[:al]Ramazani – institucion për formimin e personalitetit të shëndoshë të njeriut[:]

[:al]Sipas koncepcionit islam, për formimin e personalitetit të shëndoshë të njeriut dhe për përcaktimin e aktiviteteve të tij, muajit të Ramazanit i takon një vend mjaft me rëndësi. Ai luan rol  me rëndësi të jashtëzakonshme gjatë formimit të përsosmërisë së  tij në të gjitha aspektet jetësore.

 

Shkruan: Shaqir Fetahu

Myslimanët e gjithë  botës, duke e kuptuar rëndësinë e Ramazanit, me gëzim dhe kënaqësi të madhe e presin këtë muaj, të vetëdijshëm se ky muaj është muaj i dimensioneve të llojllojshme, muaj i agjërimit, muaj i Kuranit, muaj i bereqetit, muaj i rahmetit dhe magfiretit, muaj i shëndetit, i dashurisë dhe i solidaritetit ndërnjerëzor…

Muaji i Ramazanit, muaj i metodologjisë së vërtetë të të menduarit njerëzor

Muaji i Ramazanit paraqet  kohën në të cilin filloi zbritja e Kuranit famëlartë Muhamedit (a. s.), respektivisht  imperativi i parë që i dërgoi Allahu fuqiplotë për të lexuar, studiuar, vrojtuar etj. Me këtë imperativ  u vendos njëherë e përgjithmonë metoda e vërtetë e të kuptuarit të plotë,  e të kuptuarit të Krijuesit, të botës dhe të njeriut në përgjithësi, koncept ky që  njeriun e drejton drejt njohjes që mbështetet  në studim, në vrojtim, analizim, hulumtim etj., në të gjithë krijimtarinë  e  Allahut fuqiplotë. Me këtë iu dha fund mënyrës së të besuarit dhe të menduarit të verbër,  si dhe metodës së deriatëhershme  përmes magjisë, ëndrrave, fallit, besëtytnive të kota, parashikimeve të pavërteta etj. Nga kjo ai paraqet arsimuesin e vërtetë për tërë njerëzinë.

Ky koncept i trasuar mu në këtë muaj i hapi rrugët e dijes dhe të njohjes,  duke e ngritur shoqërinë njerëzore në piedestalin më të lartë dhe kjo solli begatinë e zhvillimeve më të mëdha në botë në të gjitha sferat e jetës njerëzore,  duke shënuar epoka të fuqishme në ardhmërinë e njerëzimit.

Në të njëjtën kohë, përmes Kuranit famëlartë njeriu u largua  nga besimet e kota dhe të deformuara, duke  i treguar njeriut se është i krijuar për të  besuar dhe për të respektuar vetëm Allahun (xh. sh.), Krijuesin e qiejve dhe gjithçka që ekziston. Kurani famëlartë e çliroi njeriun nga prangat e të menduarit të verbër dhe të errët, dhe e mësoi njeriun t’u përgjigjet pyetjeve: kush është ai, çka është qëllimi i krijimit të tij, si të jetojë,  si ta sigurojë fatin në këtë dhe në botën tjetër dhe,  më në fund, si të  vdesë?  Ai është udhërrëfyes dhe dritë që ndan të vërtetën nga e pavërteta, që ndan dritën nga errësira. Këtë e vërteton Kurani famëlartë kur thotë:

”Muaji i ramazanit është ai në të cilin filloi të shpallet Kurani, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë dhe dallimit të mirës nga e keqja.”  (El Bekaretu)

Ramazani është muaj i agjërimit

Muaji i Ramazanit, përveç që është  muaji në të cilin ka filluar të shpallet Fjala e Allahut (xh. sh.) njerëzisë, është edhe muaj i agjërimit  të detyreshëm. Kjo edhe më tepër e lartëson  këtë muaj të bekuar. Agjërimi i këtij muaji u bë obligim i detyrueshëm (fard) natën e dytë të muajit Sha’ban në vitin e dytë hixhri me fjalët e Allahut (xh. sh.):

“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin  detyrë edhe ata para jush; ndoshta do të bëheni të devotshëm.”

(El Bekaretu:183)

Sipas kuptimit etimologjik, fjala “Es Sijam” do të thotë “abstenim nga diçka”, ndërsa sipas kuptimit terminologjik të Sheriatit islam do të thotë:  ”abstenim nga ngrënia, nga pija dhe marrëdhëniet seksuale brenda ditës,  me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut (xh. sh.)”.

Pra, agjërimi i muajit të Ramazanit është veprim i detyrueshëm për çdo mysliman dhe myslimane të moshuar, psikikisht dhe fizikisht të aftë e të shëndoshë. Këtë bukur e shpjegon Kurani famëlartë:

“Në ditë të caktuar me numër, por ai nga ju, i cili është sëmurë ose në udhëtim- atëherë ditë të caktuara me numër. Ndërsa ata që nuk mund ta mbajnë – kompensimi është të ushqejë një varfanjak. Dhe, kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është më mirë për atë.”  (El Bekaretu:184)

Shprehja kuranore  në ditë të caktuara me numër ka të bëjë me llogaritjen e muajve  sipas hënës dhe ky numër është 29 ose 30 ditë, ndërsa shprehja “i sëmurë” në këtë ajet kuranor ka për qëllim të sëmurin  prej ndonjë sëmundje të përkohshme, por dhe femrën shtatzënë, femrën me fëmijë për gjiri, femrën në ditët e menstruacionit (hajd dhe nifas), e me shprehjen kuranore “ata që nuk mund ta mbajnë” ka për qëllim plakun  e mbetur ose atë që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, pa shpresë për shërim.

Agjërimi ka lindur bashkë me njeriun

Shikuar fenomenin e  agjërimit për nga aspekti historik,  do të konkludojmë se agjërimi filloi bashkë me njeriun e parë, andaj agjërimi i muajit të Ramazanit nuk është obligim i parë për njerëzimin, për arsye se gjithmonë, edhe në kohërat shumë më të hershme, njerëzit agjëruan. Këtë na e vërteton edhe fjala e Allahut (xh. sh.) në Kuranin famëlartë kur thotë:  …”agjërimin  e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin  detyrë edhe ata që qenë para jush…”

Për këtë flet edhe historia e cila vërteton se agjërimi ka qenë shtyllë kryesore e çdo shpalljeje hyjnore dhe gjithmonë është konsideruar si ibadet i madh dhe kryesor. Njeriu dhe pejgamberi i parë Ademi (a. s.) agjëronte të trembëdhjetën,  të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën ditë të çdo muaji; Davudi (a. s.) një ditë agjëronte e një ditë jo, pra gjysmën e vitit, ndërsa në Dhiatën Vjetër hasim në tekste të ndryshme  të cilat pjesëtarëve të vet ua bënë të obligueshëm agjërimin. Të njëjtën gjë e gjejme edhe në Dhiatën e Re, librin e shenjtë të të krishterëve, në të cilin libër ekzistojnë tekste të cilat pa masë lavdërojnë agjërimin,  të cilin edhe e numërojnë si ibadet të lartë dhe të rëndësishëm.. Dihet mirë se Musai (a. s.) ka agjëruar katërdhjetë ditë dhe të dhjetën ditë të muajit Muharrem, ndërsa hebrenjtë i agjërojnë shtatë ditë  brenda këtyre katërdhjetë ditëve. Agjërimin e hasim edhe në kohën  e paganizmit të vjetër, sidomos tek egjiptasit e vjetër, nga të cilët mënyra e agjërimit të tyre kalon te grekët dhe romakët e vjetër. Po ashtu,  agjërimi ka qenë i njohur edhe te sabejët, hindusët, budistët, mahineistët, konfuçionistët etj.

Nga e gjithë kjo nënkuptojmë  se fenomeni i agjërimit, edhe pse në forma të ndryshme, ka qenë element i pandashëm i popujve dhe kulturave të ndryshme në të kaluarën. Kjo vetvetiu tregon rëndësinë, nevojën dhe natyrshmërinë e agjërimit.

Agjërimi  –  manifestim i aktivitetit shpirtëror

Çdo obligim fetar, të cilin Allahu (xh. sh.) ua urdhëroi besimtarëve, e ka qëllimin e vet të caktuar dhe,  si i tillë,  është i dobishëm për këtë dhe botën tjetër. Po kështu është edhe me agjërimin e muajit të Ramazanit.

Njeriu, si krijesë e dalluar nga krijesat tjera, paraqet qendrën mes dy botësh, mes   shpirtërores dhe materiales, që do të thotë se njeriu është qenie dualistike, e përbërë nga shpirti dhe materia. Në sajë të këtyre dy elementeve, jeta e njeriut paraqitet si ndeshje dhe konflikt mes këtyre dy lëvizjeve kundërshtare: shpirtit, i cili gjithmonë synon të bashkohet me burimin e vet, Allahun (xh. sh.) dhe materies, e cila gjithashtu synon t’i bashkohet burimit të vet, botës shtazarake. Njeriu, sipas mësimit kuranor, gjithmonë duhet të bëjë përpjekje për mbajtjen e një ekuilibri në mes këtyre  dy elementeve kundërshtare, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund ta  trasojë rrugën më të përsosur shpirtërore, e cila do ta bëjë të aftë që me sukses ta kryejë amanetin e Allahut (xh. sh.) në tokë. Përkundrazi, nëse njeriu, p. sh. i dorëzohet hovit të materies-epshit dhe bëhet rob i tij, atëherë ai (epshi) e dërgon aty ku dëshiron, drejt mëkatit. Jemi dëshmitarë të kohës  në të cilën njeriu plotësisht i është dorëzuar elementit shtazarak të materies-epshit, që e ka drejtuar dhe e ka zhytur në narkomani, në vjedhje, në korrupsion, në krim, në terror, në luftë, në masakrime e gjenocide etj, dhe të gjitha këto janë bërë qëllim të jetës së tij, e kanë helmuar shpirtin dhe i kanë zhdukur vlerat e larta humane, të cilat janë bazë të personalitetit shpirtëror të njeriut.

Mjet më efikas për t’u çliruar nga prangat e epsheve dhe të veseve të shejtanit është agjërimi.  Këtë na e vërtetojnë fjalët e Muhamedit (a. s.):

“Shejtani qarkullon nëpër trupin e njeriut sikur gjaku. Vini re! Ngushtojeni qarkullimin e tij me uri dhe etje.”

“Kush ka muindësi (materiale dhe fizike) le të martohet,  sepse ajo e rrëzon shikimin, e më me siguri e mbron jetën seksuale, e ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është shkatërruesi i epsheve të tij.”  /Transmeton Buhariu në Sahihun e tij/

Qëllimi i çdo ibadeti në Islam është që përmes tij të arrihet frika dhe respekti ndaj Allahut (xh. sh.). Ky element në Islam paraqet të vetmen masë të çdo përparësie dhe privilegji. Pra, qëllimi kryesor i agjërimit është që përmes tij të arrihet shkalla më e lartë e përsosmërisë, e moralit,  e që është “Et Takva”- frika dhe respekti ndaj Allahut (xh. sh.), që paraqet, siç thotë Muhjud-din Mustu, “ përmbledhësin e çdo cilësie pozitive, çelësin e çdo të mire, rrugën e çdo ndihme, shenjën e çdo besintari dhe qëllimin e çdo abidi (adhuruesit) të Allahut (xh. sh.)”.  Këtë na e vërteton   fjala e Kuranit famëlartë kur thotë:  ”Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm …. Që t’u shmangeni mëkateve.”

Nëse agjërimin, si obligim ndaj Allahut (xh.sh.) e kryejmë me një  ndërgjegjshmëri dhe respekt të lartë,  atëherë me siguri domethëniet dhe dobitë nga agjërimi do të jenë të panumërta:

Agjërimi – kultivues i sinqeritetit te njeriu

Agjërimi e mëson njeriun të jetë i sinqertë. Mbasi agjërimi është fshehtësi mes Allahut (xh. sh.) dhe besimtarit, atëherë vërtetësinë e kryerjes së këtij ibadeti e di vetëm Allahu (xh. sh.). Ky, pra, është ibadet sekret, i cili nuk kryhet që ta shohë dikush prej njerëzve. Pra, nëse është i sinqertë në kryerjen e obligimeve ndaj Allahut (xh. sh.), kur nuk e sheh askush, atëherë ai mësohet të jetë i sinqertë edhe ndaj njerëzve në përgjithësi Si ibadet i tillë, që kryhet vetëm nga ndjenjat e sinqerta ndaj Krijuesit, Allahu (xh. sh.) i garantom besimtarit  shpërblim të posaçëm në botën tjetër:

Çdo vepër e njeriut është i tij, përveç agjërimit, që është  për Mua; andaj, për të do të shpërblej Unë vetë.” (Hadith kudsi – transmeton Buhariu dhe Muslim)

Agjërimi  – qëndrueshmëri dhe durim

Agjërimi njeriun e mëson të jetë i qëndrueshëm dhe durimtar ndaj dëshirave deformuese që i lyp trupi i tij. Nuk ka agjërim pa qëndrueshmëri, pa durim dhe pa adaptim në kushtet më të rënda dhe jo të zakonshme. Nisur nga fakti se agjërimi është  veprim jashtë kushteve të zakonshme dhe normale,  me të cilat është mësuar njeriu, ai, pra, duke agjëruar, bën  durim ndaj hajes, ndaj pijes dhe dëshirave të tjera të epshit, arrin të bëhet sundues i vetvetes dhe i forcave shtazarake dhe destruktive. Të bëhesh sundues i vetvetes,  do të thotë me sukses t’u përballosh situatave të ndryshme  me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme. Muhamedi (a. s.) në lidhje me këtë ka thënë:  “…nëse dikush e sulmon ose fillon ta fyejë, le të thotë: ‘…Unë agjëroj’”. (transmeton Buhariu)

Pra, agjërimi e forcon besimin tek Allahu (xh. sh.).  Këtë e shohim nga   fjalët e Muhamedit (a. s.) kur thotë:  “Agjërimi është gjysma e durimit”, ndërsa “durimi  – sabri është është gjysma e besimit-imanit”. Nëse arrijmë ta përfitojmë këtë cilësi të lartë – sabrin, atëherë e kemi përfituar atë cilësi për të cilën Allahu (xh. sh.) shpërblen pa masë, siç thotë në Kuranin famëlartë: “…vetëm ata që janë të durueshëm, realizojnë shpërblim të pakufizuar. /Ez Zumer: 10/

Agjërimi – institucion i humanitetit dhe fisnikërisë së vërtetë

Pa dyshim se agjërimi është institucion i kultivimit dhe edukimit shpirtëror,  përmes të cilit njeriu në vete,  në praktikë, mëson dhe edukohet të jetë human dhe fisnik i vërtetë. Ai duke agjëruar,  në personalitetin e vet mbjell  ndjenjën e humanitetit dhe të fisnikërisë së vërtetë, të cilat vlera e bëjnë atë në vetëdijen e tij dhe praktikën e tij të  bëjë vepra të mira ndaj të tjerëve dhe në këtë mënyrë ai fiton ndjenjën për të bashkëjetuar me të tjerët dhe për t’i ndihmuar ata në çdo situatë. Këtë ndjenjë të humanitetit, të bujarisë dhe të solidaritetit njeriu e mbjell mu gjatë kohës kur ai është duke agjëruar dhe duke e kapluar uria dhe etja dhe në këto momente ai në praktikë njeh dhe shijon urinë dhe etjen dhe në këtë mënyrë kupton çka do të thotë të vuash nga uria. Shpeshherë kemi rast të lexojmë shtypin dhe mjetet e infromacionit,  nga të cilat në mënyrë të trishtueshme njoftohemi mbi urinë e miliona njerëzve në vende të ndryshme të botës,  si në Sudan, Etiopi, Indi, Bangladesh dhe shumë vende të tjera në mbarë botën. Lexojmë dhe dëgjojmë, por shumica nuk e përjetojnë atë dhe nuk e dinë se çka është uria. Për ta kuptuar dhe shijuar atë, duhet në praktikë të vuash nga ajo dhe vetëm atëherë e di se çka është ajo, dhe vetëm atëherë e kupton  se duhet  t’i ndihmosh atij që vuan nga kjo.

Pra, agjërimi është metoda më e përsosur psikologjike për ta kuptuar nevojën fiziologjike të tjetrit dhe në të njëjtën kohë krijon tek njeriu ndjenja të bujarisë, të humanitetit dhe të solidaritetit. Kjo e bën njeriun që të jetë bujar dhe fisnik në çdo moment, në çdo situatë, në çdo vend, duke e kuptuar se pasuria në duart e tij është vetëm mjet për të jetuar, e jo edhe qëllim i jetës. Për këtë Islami gjithmonë kërkon  nga pjesëtarët e vet që të jenë bujarë dhe fisnikë.  Këtë e shohim edhe nga jeta e Muhamedit (a. s.),  i cili ishte bujar i pashembullt, posaçërisht në ditët e muajit të agjërimit. Agjërimi është rast më i volitshëm për të shijuar nevojën e të tjerëve, rast kur duhet ta ndajë  një pjesë  të pasurisë së vet,  siç është zeqati, sadekatul-fitri dhe ndihmat tjera materiale, për të varfrit dhe skamnorët e ndryshëm në vendin ku jetojnë, ose duhet drejtuar drejt institucioneve të Bashkësisë Islame, respektivisht për nevojat e saj, e cila me anë të këtyre ndihmave  bën çmos që ta mbajë kontinuitetin e një pune të drejtprogramuar dhe solide, dhe e cila    garanton  një interpretim të drejtë dhe të vërtetë të Islamit në kushtet dhe kohën në të cilën jetojmë.

Agjërimi është rregulli më  i përsosur social

Agjërimi është rregulli më i përsosur social, për arsye se i lidh dhe i bashkon besimtarët mes vete. Para tij janë të barabartë i pasuri dhe i varfri, i bardhi dhe i ziu, mashkulli dhe femra, kryetari dhe qytetari etj. Duke agjëruar, “të gjithë janë barazuar në ndjenjat  e tyre  dhe “të lidhur me shijimin e dhembjes së njëjtë”. Kjo është ajo që ka thënë Jusufi (a. s.), kur si ministër i Ekonomisë gjithmonë e mbante stomakun të uritur dhe kur u pyetën se pse e bën këtë, ai u përgjigjet:  ”Frikësohem të ngihem, që mos ta harroj të varfrin.”

Agjërimi është forcues i shpirtit të njeriut

Agjërimi është edukues dhe forcues i shpirtit të njeriut, për arsye se ai formon personalitete shpirtërisht të forta dhe të vendosura, me karakter të fortë dhe të vendosur. E bën të matur në qëndrimet e tij, të kuptueshëm në situata të ndryshme-qofshin ato pozitive apo negative. Dijetari i njohur gjerman, Gardeti, në shkrimet e tij mbi forcimin dhe formimin e vullnetit të fortë të njeriut si bazë e merr agjërimin dhe pohon se agjërimi është mjet më efektiv dhe më aktiv  në të vërtetuarit e fuqisë së shpirtit ndaj trupit, gjë që e bën njeriun  sundues të vetvetes”. Duke u formuar si personalitet i këtillë, agjëruesi i hap dyert e shpirtit, e shijon ëmbëlsinë e ibadetit dhe afërsinë e Allahut (xh. sh.).  Kurani famëlartë rrëfen për agjërimin e Musait (a. s.), të cilin Allahu (xh. sh.) para se të bisedojë me të e urdhëroi që të agjërojë tridhjetë ditë, e pastaj edhe dhjetë ditë të tjera, që t’i shërbejë si përgatitje shpirtërore për bisedë me Allahun (xh. sh.). Pra, agjërimi është mjet i bisedës shpirtërore dhe afrimit tek Allahu (xh. sh.).  Për atë Allahu (xh. sh.),  mbasi që i urdhëroi besimtarët që të agjërojnë,  thotë:

”Dhe, kur të të pyesin robërit e mi për Mua, Unë jam me të vërtetë afër – i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet.”  /El Bekaretu: 186/

Agjërimi – mbrojtje dhe përtëritje e shëndetit të njeriut

Pa dyshim, agjërimi, si çdo obligim tjetër islam, kryhet për hir të Allahut (xh. sh.), por çdo obligim islam është bërë obligim dhe porosi hyjnore me qëllim të dobisë së njeriut, respektivisht për formimin e personalitetit të njeriut,  me qëllim të aplikimit sa më të lartë të porosive hyjnore dhe sa më me sukses ta kryejë misionin e tij hyjnor në botë, me qëllim që të fitojë edhe botën tjetër, ahiretin. Andaj,  edhe agjërimi është dydimensional, edhe atë: në dimensionin shpirtëror,  që ka të bëjë me lidhëshmërinë e njeriut me Krijuesin dhe forcimin e marrëdhënieve të tij me Krijuesin, dhe dimensionin praktiko-fizik, që ka të bëjë me ndikimin e obligimeve dhe porosive në sferën fizike-praktike të njeriut,  si dhe  me krijimin e mënyrës së jetës në këtë botë.

Ekzistojnë të atillë të cilët, duke mos e njohur mirë  institucionin e agjërimit, mundohen agjërimit t’ia ngjeshin një të pavërtetë,  se gjoja sjell pasoja për shëndetin e agjëruesitt. Mirëpo, e vërteta është krejtësisht ndryshe, për arsye se konncepcioni  islam mbi agjërimin është i qartë dhe shumë mirë i definuar. Për ata për të cilët dyshohet se  mund të kenë pasoja në shëndetin e tyre, janë të lirë në haje dhe pije, sikurse: i çmenduri, fëmija, i sëmuri, udhëtari, femra shtatzënë, femra gjidhënëse, femra në ditët e menstruacionit (hajkd dhe nifas).

Për këtë shkak, i sëmuri prej ndonjë sëmundje të përkohshme, udhëtari, femra shtatzënë, femra me fëmijë për gjiri, femra në ditët  e veta – hajd dhe nifas, pasi që të evitohet kjo gjendje tek ata/ato, e kanë për detyrë ta kompensojnë agjërimin ditë për ditë, ndërsa plaku i mbetur dhe i sëmuri prej ndonjë sëmundje që nuk ka shërim, nuk e kompensojnë, por ushqejnë një   të varfër (dy ushqime mesatare), respektivisht e japin vlerën e një sadekatul fitrit-fidje.

Pra, agjërimi është më se i dobishëm për shëndetin e njeriut. Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë thotë:

“…Por, të agjëroni është më mirë, ta dini.”  /El Bekaretu:184/  Pastaj: ”…Allahu ju dëshiron lehtësim,  e nuk ju dëshiron vështirësi…”  /El Bekaretu: 185/

I dërguari i Allahut,  Muhamedi (a. s.), në fjalët e tij në lidhje me agjërimin thotë:

“Agjëroni, të bëheni të shëndoshë.” /Transmeton Taberaniu/

“Çdo gjë ka pastrim, e pastrimi i trupit është agjërimi.”  /Transmeton Buhariu/

Fjalët e lartpëmendura tregojnë konceptin se agjërimi është i dobishëm edhe për organizmin  e njeriut,  edhe për shëndetin e tij, dhe në këtë mënyrë e provokon shkencën,  medicinën në veçanti, që ta hulumtojnë këtë fenomen.

Medicina  bashkëkohore me gjurmimet e saj të gjera dhe të thella, tashmë ka vërtetuar se agjërimi paraqet mbrojtje dhe ripërtëritje të organizmit të njeriut dhe shpeshherë mjekët e njohur atë e kanë emëruarshkopth magjik, që me një shpejtësi të madhe i shëron sëmundjet që i sjell lukthi  /Mek Fedon/ dhe në të njëjtën kohë paraqet “operacion pa thikë/Dr Ridlin/.

Përveç kësaj, duke u njohur rëndësia e agjërimit në këtë fushë, sot në botën e zhvilluar, sikurse në SHBA, Gjermani, Zvicër, Angli, Suedi, Itali dhe shumë vende të tjera ekzistojnë klinika  të specializuara, ku me ndihmën e llojeve dhe mënyrave të ndryshme të agjërimit shërohen sëmundje të ndryshme, si: sëmundjet psikike – duke stabilizuar sistemin nervor, sëmundjet e lëkurës – duke normalizuar materiet e tepërta  kimike; normalizon shtypjen e gjakut, shëron reumën, sëmundjet e stomakut, zorrët, veshkat, lehtëson frymëmarrjen, mënjanon dhjamin dhe pakëson peshën trupore dhe në tërësi zhduk  mbeturinat e dëmshme të ushqimit në trupin  e njeriut etj. E gjithë kjo na jep të kuptojmë rëndësinë e agjërimit edhe në aspektin shëndetësor të njeriut.

Në vend të përfundimit

Agjërimi, pra, luan rol të rëndësishëm në procesin e përsosmërisë së moralit të njeriut, është metodë edukative e cila i përfshin të gjitha sferat e aktivitetit njerëzor.  Për atë, agjërimi sot është gjithnjë e më aktual  edhe në qendër  të vëmendjës  së qarqeve shkencore. Andaj, atij i qasen nga të gjitha aspektet dhe sot është lëndë studimi tek etikologët, psikologët, sociologët, filozofët, ekonomistët, mjekët, ndërsa praktika dhe ambienti i  muajit të Ramazanit është inspirim i vërtetë edhe te krijuesit letrarë.  Ai është  burim i pashtershëm për çdo kohë dhe  çdo kohë merr nga ai aq sa ka mundësi dhe aftësi për t’u zhytur dhe thelluar në esencën e agjërimit.

Posaçërisht  duhet  ta kemi ndër mend se në këtë muaj bie Nata e Kadrit, natë e  cila shënon ngjarjen më të rëndësishme dhe më madhështore në historinë e njerëzimit, pse në të zbriti imperativi i Allahut (xh. sh.) “për të lexuar, mësuar dhe studiuar“,  drita e të cilit ndriçoi botën që ishte në terr,  eksploatim, adhurim të idhujve, mbretërve,  sunduesve etj.,  natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Me një fjalë, kjo është nata në qetësinë e së cilës besimtari e sheh vetveten ashtu sikur që shihen yjet në natën e kthjellët.

Prandaj, besimtari këtë muaj të begatshëm duhet ta  shfrytëzojë deri në maksimum  duke u falur, duke u lutur, duke lexuar Kuran dhe, më në fund, duke iu kthyer vetvetes dhe duke u zhytur në të, e kjo do të thotë t’i bëjë pyetje vetvetes:  sa është në rrugën e Allahut, sa është i dobishëm për vetveten, për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi?

Begatitë e muajit të Ramazanit nuk mund të arrihen nëse hyjmë në të të papërgatitur.  Përgatitja më e madhe për të është nëse  e presim me zemra të mbushura plot me pendim – teube,  me vendosje – nijet të pastër dhe të sinqertë.  Për atë Muhamedi (a. s.) në fund të muajit Sha’ban shokëve të vet u drejtohej me këto fjalë:  ”Në prag e kemi muajin e Ramazanit, muajin e bereqetit, në të cilin Allahu do t’ju përfshijë me mëshirën e tij – ju fal gabimet, ju pranon lutjet, ju sheh sa jeni të dhënë pas punëve të mira, ju lavdëron tek engjëjt, pra tregoni punë të mira, sepse nuk ka dëshpërim më të madh nëse njeriu nuk përfshihet nga kjo mëshirë e Allahut (xh. sh.).” /Transmeton Taberaniu/

Pra, nëse agjërimit i hyjmë me bindje të plotë dhe nëse e kuptojmë ashtu si duhet, atëherë agjëruesi do të jetë fitues e jo i fituar,  i lartësuar e  jo i nënçmuar, më krenar se çdoherë tjetër, më i fortë dhe më i shëndoshë seç  ka qenë, i falur nga gabimet dhe i afërt me Allahun (xh. sh.), me një fjalë kryerës i vërtetë i obligimit të Allahut, përkatësisht ashtu siç ka thënë Muhamedi (a. s.):

”Kush e agjëron Ramazanin në emër të Allahut (xh. sh.) duke llogaritur në dhuratën e Tij,  do t’i falen të gjitha gabimet –mëkatet  e mëparshme.” /Transmeton Buhariu /

 [:]

Comments are closed.