HËNA E RE – Tema nga numri i Marsit 2024

Hutbeja e Reisul Ulemasë me rastin e Fitër Bajramit

 

 

بسم الله الرحمن الحيم

قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّى  وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّىٰ

 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që falet!”   “El A’la:14-15

 

Besimtarë të nderuar, vëllezër e motra.

Sot po përjetojmë Festën e madhe të Fitër Bajramit, festë kjo që sjellë gëzimin më të madh tek besimtarët. Është e këtillë sepse është ditë e fitores së madhe, e shpërblimeve të panumërta nga i madhi Zot, sepse gjatë muajit të Ramazanit kryem agjërimin e ditëve të tij me çka treguam lidhjen tonë të paluhatshme me Zotin e plotfuqishëm duke dëshmuar se i jemi përkushtuar vetëm madhërisë së Tij dhe se jemi çliruar nga robëria e satanikes, epsheve, emocioneve dhe veseve të shëmtuara.

Festa e Fitër Bajramit na gëzon edhe më tepër, sepse ngadhënjyem në sfera të ndryshme, ngritëm vetëdijen mbi Zotin, vetveten, familjen, të mirën, paqen, solidaritetin dhe respektin ndaj njeriut.

Me largimin dhe abstenimin nga kënaqësitë trupore në shpirtin dhe zemrat tona kuptuam se etja dhe uria, mbi të gjitha mbjellin tek njeriu vetëdijen mbi njeriun, kujdesin mbi skamnorin, të varfrin, mbi njeriun me nevoja të veçanta, jetimin dhe mbi njeriun me halle. E gjithë kjo na e mësoi konceptin islam se kujdesi ndaj njeriut është vlera kulminante dhe më fisnike e besimtarit. Ky koncept  është i domosdoshëm, sepse vërtetë bota sot po bënë hapa të fuqishëm në zhvillimin materialo – teknologjik, por në anën tjetër po pëson rënie drastike në vlerat që njeriun e bëjnë njeri, në atë morale dhe shpirtërore, po nënçmohet dinjiteti i njeriut, familjes, largimi i njeriut nga njeriu, harresa e prindërve, vëllait, fqinjit dhe njerëzve, pastaj lufta,  vrasja, mbytja, shkatërrimi, gjenocidet dhe shumë anomali të kohës që rrezikojnë qenien e rinisë dhe njeriut në përgjithësi

Andaj, Ramazani dha porositë e shenjta, se njeriu është i krijuar të ndryshojë botën drejt të së mirë dhe e vendos atë në shërbim të njeriut, ngritjes së dinjitetit, sigurinë e jetës dhe identitetit të tij, ngritja e konceptit të respektit ndaj njëri tjetrit, prindërve, të afërmve, shpresës për një ardhmëri më të bukur, kultivimi i paqes, tolerancës, solidaritetit,  dhe mirëqenies në botë për të gjitha kombet pa marrë parasysh racën dhe përkatësinë fetare dhe etnike.

Ramazani me të gjitha porositë e tij si agjërimi, lutjet, shërbimi ndaj njeriut, ngrirja e vetëdijes për të qenë të mirë, fisnik, bujar, paqësor, solidar na e mësoi parimin e shenjtë që na e la amanet Muhamedi a.s: “Nuk ka besuar askush prej jush derisa nuk ia do vëllait të tij atë që e do për vete”.

Sot ju gëzohemi arritjeve të këtilla në shkollën e madhe edukative të muajit të bekuar të Ramazanit. Festa e Fitër Bajramit vërtetë është festë e madhe, festë e fitoreve të mëdha shpirtërore dhe morale, sepse mësuam të duam dijen dhe vatanin, ta ngritim atë, ta drejtojmë drejt rrugës së zhvillimit dhe përparimit, të evitojmë të shëmtuarat tek ai, të largojmë nga shoqëria keqpërdorimin e të mirave që na i falë Zoti, evitimin e korrupsionit, bixhozit, dhe shumë anomalive tjera për të ndërtuar një sistem ekonomik të shëndoshë me tipare morale, për të ngritur vatanin tonë dhe për ta bërë të bukur e të përshtatshëm për rininë tonë. Vetëm kështu mund t’i themi stop emigrimit, stop shkretimit të atdheut dhe shpërnguljeve. Ramazani na mësoi se nuk ka proces të pamundshëm. Ramazani na mësoi se mundemi, se kemi fuqinë e dijes dhe shpirtit për të ngadhënjyer në çdo sferë të jetës sonë, vetëm nëse vendosim me  trup e me shpirt, me dije e profesionalizëm, me urtësi dhe aksion. Islami na mëson se pa sakrifica të mëdha nuk ka vepra madhore.

“Nuk e ke arritur të mirën derisa nuk e ndanë atë më të dashurën që ke”.

Andaj, të ndajmë më të mirën nga ne për të qenë në shërbim të së mirës.

Jemi sot të gëzuar sepse i madhi Zot lëshon shpërblimet e Tija të shumta për besimtarin, sepse në mënyrë dinjitoze kreu obligimet e Muajit të Ramazanit dhe ngriti lartë dinjitetin e tij.

Andaj, shfrytëzoni këtë Ditë të madhe në falënderim ndaj të madhit Zot, përhapni buzëqeshjen me njerëzit, gëzohuni në familjet e juaja, afrohuni dhe vendosni që të jeni bashkë, shtrini dorën e mirësisë, pajtimit, paqes, solidaritetit, shërbeni njëri tjetrin, bëhuni faktor që të gjithë të jenë të lumtur. Sepse vetëm kështu na do Zoti i madhërishëm.

 

Vëllezër e motra!

Kam nder të veçantë, që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, organeve, enteve dhe institucioneve fetare-arsimore të saj si dhe në emrin tim, t’ju shprehim urimet më të përzemërta, duke lutur Allahun fuqiplotë që t’i pranojë me mëshirën e Tij të gjitha ibadetet tona, agjërimin tonë, të gjitha veprat tona të bëra gjatë muajit Ramazan.

 

E gëzofshi Fitër Bajramin.

 

Shkup, 9 prill 2024

Reisul-Ulema i BFI-së

H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

Comments are closed.