Biblioteka “Isa Beu”

Biblioteka e Isa Beut është një ndër bibliotekat më të vjetra, dikur ka qenë më e pasura në Ballkan, të cilën në shekullin XV e themeloi prijësi i njohur i ushtrisë Osmane Gazi Isa Beu, i biri i Is’hak Beut, i cili ka lënë edhe prona të tjera vakëf që mbajnë emrin e tij, siç janë: Xhamia e Isa Beut, Medreseja e Isa Beut, etj..
Një ndër institucionet më të pahulumtuara këtu në Ballkan, pa dyshim kanë qenë bibliotekat tradicionale orientale. Për një sjellje të këtillë ndaj këtyre institucioneve kulturore ekzistojnë më shumë shkaqe. Veprimtaria e bibliotekës shpesh herë ka ndodhur që të ndërpritet për shkaqe objektive si: vërshimet kohore, luftërat e ndryshme, zjarret, etj..
Edhe biblioteka e ka marrë emrin e themeluesit të saj Gazi Isa Beu, siç përmendet në Vakufnamen e tij, dokument ky që e vërteton pronësinë e objektit në fjalë. E gjithë pasuria e lëvizshme dhe e palëvizshme, që është evidentuar në Vakufnamen e tij, është lënë në shërbim të veprimtarisë fetare, humanitare dhe arsimore.
Në djegien e Shkupit të vitit 1689 nga gjenerali austriak Pikolomini, bashkë me objektet e tjera fetare, është dëmtuar shumë edhe biblioteka e cila deri atëherë me sukses ka vepruar në suaza të Xhamisë së Isa Beut.
Për periudhën e mëhershme të bibliotekës, do të thotë para djegies, për fondin e librave të kësaj biblioteke shkruan udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebi në veprën e njohur të tij Sejahatname.
Sipas tij bibliotekat më të njohura në atë kohë ishin ajo e Is’hak Beut e ngritur më 1445 në Shkup, e Isa Beut më 1459 në Shkup dhe ajo e Is’hak Çelebiut më 1508 në Manastir. Biblioteka e Isa Beut ishte një ndër më të mëdhatë në Ballkan, e padyshim më e madhja në Maqedoni gjatë shekullit XV nga aspekti i numrit të librave që ka përfshirë. Çelebiu ka numëruar afro 230 tituj në 320 vëllime, nga sfera të lëmive të ndryshme. Vlera e kësaj biblioteke shihet në atë se ka përfshirë libra nga 16 drejtime shkencore, duke përfshirë shkencat fetare, gjuhësore dhe logjike.
Edhe Glisha Elezoviq, një studies i madh i osmanizimit thekson se “një kohë, në kuadër të xhamisë së Isa Beut ka pasur bibliotekë dhe medrese. Biblioteka numëron 320 dorëshkrime. Sipas numrit të librave, por edhe shumëllojshmërisë së tyre, kjo bibliotekë mund të renditet ndër bibliotekat më të mëdha të shekullit XV-të.”
Një pjesë e nga këto dorëshkrime janë libra të lëna vakëf dhe përmendën në Vakufnamen e Gazi Isa Beut që nga shekulli XV. Në mesin e librave të cilat përmenden në këtë dokument dhe që, për fat të keq, janë djegur në zjarrin e 1689 ka qenë edhe vepra e Hipokratit, babait të mjekësisë bashkëkohore, vepër të cilën vepër Europa ka nisur ta përkthejë në gjuhën latine në shekullin XVI. Ndërsa ne, veprën në fjalë me plotësime dhe sqarime nga ana e Fuzulit, e gjejmë në bibliotekën e Isa Beut njëqind vjet me herët.
Pas shekullit XVII nuk hasim në të dhëna për veprimtarinë e bibliotekës. Iniciativën për aktivizimin e sërishëm të saj e ka ngritur më 1932 Shoqata e atëhershme e Vakëf-mearife. Kështu që biblioteka, pasi u përgatit, përsëri u hap më 1936. Ajo ka qenë publike për të gjithë shtresat.
Deri në Luftën e Dytë Botërore kjo bibliotekë ka punuar mjaft me sukses. Në të kanë vepruar njerëz të njohur të jetës fetare, kulturore dhe politike të Shkupit. Aty janë mbajtur ligjërata të ndryshme, është diskutuar për çështje dhe problematika aktuale shkencore, shoqërore-politike si dhe në të janë sjellë botime ditore e periodike.
Në vitin 1941 Biblioteka e Isa Beut pushon së punuari. Pas luftës së Dytë Botërore një numër i madh i librave është bartur në Bibliotekën Popullore Universitare të Shkupit, kurse një numër i vogël është ruajtur në bibliotekën Cvetan Dimov.
Bashkësia Fetare Islame në fund të viteve të ‘70 përsëri e ngrenë iniciativën për grumbullimin e librave në tërë territorin e vendit, me qëllim që Biblioteka “Isa Beu” të riaktivizohet. Më 1991, në lokalet e reja të adaptuara në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, biblioteka rifilloi me punë dhe funksionoi aty deri sa u transferua në kompleksin e Fakultetit të Shkencave islame.
Përveç fondit të librave të mbledhura në teren, në bibliotekën “Isa Beu” ekziston edhe një fond i dorëshkrimeve dhe librave në gjuhën arabe arabe, osmane, persiane, angleze, frënge, turke, shqipe, maqedonase, boshnjake dhe serbokroate. Mijëra libra janë të periudhave më të vonshme, kurse mbi 2100 tituj janë në arabisht, osmanisht dhe persisht dhe i përkasin kohës më të vjetër. Madje, në këtë bibliotekë janë ruajtur edhe 320 dorëshkrime, të cilat kanë vlerë të madhe artistike dhe estetike.
Biblioteka “Isa Beu” është pasuri e trashëguar e popullit dhe si e tillë është thesar i çmueshëm për çdo musliman që jeton në Maqedoni dhe përtej kufijve, duke qenë se mbledh, pasuron dhe ruan këtë trashëgimi, është edhe njëkohësisht edhe pjesë përbërëse e kulturës së përgjithshme evropiane.
Bibliografia e bibliotekës “Isa Beu”