Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

REIS ULEMA

Prof. Shaqir Fetahu u lind më 25.04.1959, në fsh. Çegran-Gostivar.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në vitin 1974, ku u dallua ndër nxënësit më të mirë të gjeneratës. Gjatë kësaj kohe, krahas mësimeve të shkollës, iu përvesh punës edhe në nxënien e mësimeve fillestare të leximit të Kur’anit Famëlartë dhe njohurive elementare të Islamit, edhe atë një kohë të shkurtër tek alimi i njohur H. Qemal ef. Abduli, pastaj tek hafizi Vesel Langu, e më pastaj mjeshtrinë e Kur’anit e mëson te hafiz Arif ef. Sadiku, tek i cili edhe e filloi hifzin – memorizimin e Kur’anit. Por, më vonë vazhdon hifzin te imami i xhamisë Loke në fsh. Çegran, Hafiz Qebir ef. Mahmudi, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm ia përcjellë procesin e hifzit – memorizimin e Kur’anit, kështu që në vitin 1975, në moshën 15 vjeçare, arrinë edhe ta kryejë atë.

E jep me sukses provimin e hifzit para komisionit në përbërje të: Hafiz Hasan ef. Zendelit, Hafiz Qahil ef. Halilit dhe Hafiz Nuriman ef. Abdulit, përndryshe imamë dhe hafiza të mirënjohur të asaj kohe, pas të cilit akt i jepet edhe dëshmi – diplomë të hifzit nga BFI e RM.

Me të kryer shkollën fillore, regjistrohet në Shkollën e Mesme Islame “Medreseja Alaudin” në Prishtinë, të cilën me sukses e kryen në vitin 1980. Në këtë shkollë i inspiruar nga mësimdhënësit e kësaj medreseje, në veçanti nën mbikqyrjen e dy alimëve të njohur, H. Hasan ef. Nahit dhe H. Sherif ef. Ahmetit, më vonë edhe përkthyes të Kur’anit Famëlartë në gjuhën shqipe, përvetëson jo vetëm njohuri të shumta nga shkencat fetaro-islame, por edhe inspirohet që të vazhdojë rrugën e profesionalizimit fetar duke vazhduar po në të njëjtin vit studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë të B dhe H, të cilin po ashtu me sukses e kryen në vitin 1984. Gjatë studimeve në Sarajevë, shfrytëzon rastin që të përvetësojë edhe idetë e dijetarëve të njohur të këtij nënqielli, Prof. Husein ef. Gjozo dhe Prof. Dr. Ahmed Smajloviq, me të cilët ishte në lidhje të ngushtë dhe të cilët lanë mbresë të veçantë në rrugën e profesionalizimit fetar të Hfz. Shaqir ef. Fetahut.

Pas kryerjes së Fakultetit, punësohet në fsh. Çegran si imam dhe mualim dhe në bazë të rezultateve të treguara gjatë kësaj kohe, emërohet si mësimdhënës në SHMI ”Medreseja Isa Beu” – Shkup, ku si ligjërues punon 10 vjet, kryesisht si profesor i lëndës së Akaidit Apologjetikës islame dhe Filozofisë islame dhe të përgjithshme, por gjatë kësaj kohe ka ligjëruar edhe disa lëndë tjera. Në vitin 1994, emërohet Drejtor i Sektorit për shkencë e kulturë islame pranë BFI në RM, pastaj plot katër vite kryen edhe detyrën e Sektorit fetaro-arsimor, në Kryesine e BFI të RMV, derisa në vitin 2001 zgjidhet Mufti i Muftinisë së Gostivarit, ku edhe sot e kësaj dite kryen këtë funksion.

Prej ditëve të para në Medresenë e Alaudin-it në Prishtinë, fillon të merret me shkrime, duke i botuar ata në Gazetën e Shoqatës së nxënësve të Medresesë me emrin “Nur”.
Ka botuar mbi 100 artikuj edhe në gazetat tjera si: Dituria Islame, Hëna e Re, Flaka, Fakti, Vepra, Drita Islame, etj.
Ka shkruar mbi gjashtë vepra të sferës islame. Është njohës i mirë i religjioneve komparative, kjo ka ndikuar që të merrë pjesë aktive në disa konferenca, simpoziurme dhe panele në vend dhe jashtë vendit, në sferën e dialogut ndërreligjioz mbi paqen, tolerancën dhe bashkëpunimin ndërfetar.

Prej ditëve studentore është marrë edhe me përkthime edhe atë ka qenë anëtar i grupit për përkthimin e veprës së Rozhe Garodit me titull: ”Islami, kultura dhe socializmi” të botuar në Sarajevë, pastaj ”Feja- fenomen i vërtetë”, botuar nga BFI në RM në Shkup, ”Akaid”-1 në Tiranë, pastaj Akaidi II-Gjashtë kushtet e besimit, që të dyja këto libra janë botuar nga Komuniteti Musliman në Tiranë, si tekste mësimore për nevojat e shkollave të mesme islame në tërë Shqipërinë dhe më gjërë.

Tashmë ka kryer provimet postdiplomike në USHT, në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë por nuk ka dhënë punimin e magjistraturës.
Èshtè iniciator dhe themelues i Shkollës së Mesme Islame për gjininë femërore në Gostivar ku ka qenë plotë 11 vjet Koordinator i saj. Themelues i Institutit për profesionalizim të Kur’anit Famëlartë “Hfz. Hasan ef. Zendeli”. Është dekoruar me dekorata të ndryshme, këtu po ceken vetëm dy prej shumë tjerash: Dekorata “Vehbi Dibra” – Dekoratë e BFI e RMV dhe dekoratën nga Akademia Internacionale e Shkencave Sociale në Palm Beach, Florida, SHBA. Është prind i tre fëmijëve.