[:al]Reisul Ulema mes personaliteteve në pritjen e Presidentit Shqiptar për 28 Nëntorin[:]

[:al]Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, ka organizuar një pritje shtetërore në Pallatin e Brigadave, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-presidentë e ish-kryeministra shqiptarë, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit iplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, artistë, intelektualë, familjarë dhe trashëgimtarë të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, përfaqësues nga Kosova dhe bashkatdhetarë të shumtë nga mbarë trojet shqiptare si dhe miq të shquar të vendit tonë. Në mesin e këtyre personaliteteve ishte i pranishëm edhe Reisul Ulema i BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepi.
Me këtë rast, në fjalimin e vet z. Meta i falënderoi përzemërsisht për praninë e tyre në festimin e 28 Nëntorit, 105-vjetorit të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në vazhdim ai tha se, në historinë e kombit shqiptar kudo që jeton, data e 28 Nëntorit është krye-festa më përbashkuese.
“28 Nëntori i shtrirë në një hark pesë shekullor lidh dy ngjarje madhore të historisë sonë: Çlirimin e Krujës nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 1443 dhe shpalljen e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë nga Ismail Qemali në vitin 1912.
Dita e madhe e shpalljes së pavarësisë hodhi rrënjë dhe u formësua në vitet e ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, e cila rreth figurës së Skënderbeut ndërtoi forcën e pavdekësisë së identitetit kombëtar dhe luftës së popullit tonë për liri e pavarësi.
Kjo ditë e lavdishme u kurorëzua falë patriotëve që formuan Lidhjen e Prizrenit dhe atdhetarëve dhe dijetarëve që u mblodhën në Kongresin e Manastirit, dy institucionet historike të kombit tonë në ditët e vështira të mbijetesës.
Këto momente kulmore të historisë së lavdishme të popullit shqiptar na shërbejnë për reflektime të mëdha në mobilizimin e energjive mbarëkombëtare, për ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë, për konsolidimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, forcimin e institucioneve, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian. Gëzuar 105-Vjetorin e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar! Lavdi veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Ismail Qemalit! Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen krye-festën tonë kombëtare”, ka përfunduar fjalimin e vet Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta.

[maxgallery id=”7916″][:]

Comments are closed.