Inaugurohet Xhamia e Re në fshatin Rasadishtë

“Dje në fshatin Orashë e Epërme, sot në fshatin Rasadishtë lëshuam në shërbim dy shtëpi të Allahut Fuqiplotë” tha Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re në fshatin Rasadishtë të Tetovës, e cila u mbajt të Dielën më 18.07.2021. Në këtë manifestim morën pjesë: Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorët e tij, Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, Myftiu i Gostivarit, Sabahudin ef. Zendeli, Sekretari i Përgjithshëm i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, Drejtorët e sektorëve të Rijasetit të BFI: H. Muhamer ef. Veseli, Dr. Selver ef. Xhemaili dhe Musanif ef. Rufati, Prodekani i FSHI – së, Dr. Muaz ef. Agushi, ish Myftiu i Tetovës, Mr. Hfz. Nexhadi ef. Limani, operativa e Myftinisë, hoxhallarë, si dhe mysafirë të ndryshëm nga vendi e nga jashtë.
Para se të bëhet Duaja e hapjes së kësaj xhamie u lexuan edhe disa pjesë nga Kur’ani famëlartë nga Referenti fetaro-arsimor Hfz. Abdurahim ef. Murati, ndërsa më pas manifestimi filloi me leximin e disa pjesëve nga Kur’ani Famëlartë kënduar nga Imami i Xhamisë së Saatit Hfz. Havzi ef. Ramadani.
Të dhënat rreth ecurisë së ndërtimit të Xhamisë i prezantoi anëtari i Këshillit, Xhemaludin Akiki, ndërsa modelimin e ceremonisë e bëri Mr. Xhemil ef. Sadiki.
Pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit në këtë inaugurim, Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi e luti Allahun Fuqiplotë që të gjithë ata që kanë kontribuar ne çfarë do lloj mënyrë në ndërtimin e kësaj xhamie, Allahu Fuqiplotë ti shpërblen me shpërblimet e Tija më të mira. Mes tjerash ai tha: “Punë bëjnë njerëzit që kanë ide për një punë që bëhet. Njerëzit që angazhohen fizikisht dhe njerëzit që japin mjete financiare. Këto janë tre grupe njerëzish që bëjnë punë të mira, po në të njëjtën kohë ndërtojnë edhe Xhami. Edhe kjo xhami në fshatin Rasadishtë, një vend historik, po fillon punën e saj historike në sajë të njerëzve me mendime të mira, me qëllimë të mira, në sajë të njerëzve që bëjnë veprime të mira dhe në sajë të njerëzve që kanë të drejtuar kontributin e tyre vetëm për qëllime të mira”, tha mes tjerash Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi.
Ndërkaq fjalën kryesore e mbajti Kryetari i BFI-së Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili shprehu kënaqësinë dhe gëzimin që brenda javës, po bëhet inaugurimi i tre shtëpive të Allahut Fuqiplotë, një në Shkup dhe dy në Tetovë, që dëshmon qartë se popullata e këtij nënqielli ka baza të forta të islamit dhe iman të paluhatur në Allahun Fuqiplotë.
“Forca e besimit, forca e misionit nuk qëndron në numra por qëndron në vlerë. Mund të jemi pak, por ama veprat mund te jenë të mëdha. Edhe Ibrahimi a.s. edhe Ismaili a.s. ishin vetëm dy individë ama ndërtuan një bejtullah, një shtëpi të Allahut që në vend ti përmbante edhe të kaluarën prej para Ademit a.s. edhe të tashmen kur ata jetonin, por edhe të ardhmen deri në ditën e kiametit. Shihni vëllezër të dashur dy individë se si kanë bërë një vepër të fuqishme që kanë lidhur të kaluarën, të tashmen, të ardhmen dhe atë deri në ditën e kiametit. Edhe ju vëllezër të dashur që keni ndërtuar këtë ndërtesë, ndoshta nga forma na duket e vogël, por nga përmbajtja është shumë e madhe. Andaj me të vërtetë keni bërë një vepër madhore” tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe Myftiut të Tetovës mund ti ndiqni në linkun e mëposhtëm:
Më pas u ndanë edhe disa mirënjohje për donatorët të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj Xhamie. Ndërkaq duan e bëri Mr. Hfz. Nexhadi ef. Limani, kurse faljes së namazit të drekës i priu Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Comments are closed.