DUA HATME NË XHAMINË TURI SINA NË GOSTIVAR

Të dielën, më 23.01.2022, Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, me ftesë të Myftiut të Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendelit dhe imamit Nurkan Aruç, mori pjesë në Xhaminë Turi Sina të qytetit të Gostivarit, me rastin e realizimit të solemnitetit fetar të përfundimit të hatmeve të Kur’anit Famëlartë nga nxënësit/et e mektebit që e ndjekin mësimbesimin fetar në Xhaminë e kësaj lagjeje tek mualimi Nurkan ef. Aruç.
Në këtë manifestim përpos xhematit, familjarëve dhe mysafirëve të shumtë, Reisul Ulemanë e shoqëruan: nikoqiri Myftiu të Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli së bashku me referentët e Myftinisë si dhe përfaqësues nga Myftinia e Tetovës: Mr. Xhemil ef. Sadiki dhe imami Bajram ef. Ferati, hoxhallarë të Gostivarit, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, potencoi faktin se mësimbesimi islam nëpër mektebet e xhamisë është forma ku mësohen të drejtat dhe bazat e Islamit dhe të Kur’anit Famëlartë. Njëherit ai e çmoi lartë punën e palodhshme dhe kualitative të Nurkan ef. Aruç deh angazhimin e tij, që u pa edhe nga vet nxënëset dhe nxënësit e mësimbesimit. Më tej, fjalën kryesore e mori Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i cili fillimisht falënderoi Myftiun dhe mualimin për ftesën e bërë dhe më pas foli rreth faktit të patjetërsueshëm se mektebet e xhamisë janë rruga më e mirë për zhvillimin dhe prezantimin e Islamit nga fëmijët, ku ata me mësimet e tyre paraqesin kulturën, dijen dhe njohuritë në familje, shoqëri e më gjerë dhe për këtë arsye kjo është forma të cilën po e mbështet seriozisht Bashkjësia Fetare Islame në RMV.
Mes tjerash, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai potencoi se: “Islami në kohën aktuale ka nevojë për aktualitetin e kohës, i mbron njerëzit nga veset negative, e këtë më së miri e demonstron mualimi në xhami me nxënësit e vet”.
Duanë e hatmeve e bëri Prof. Sherif ef. Deari, kurse programin e solemnitetit e udhëhoqi Hfz. Jusuf ef. Xheladini. Ndërkaq, namazit të drekës i priu Mr. Xhemil ef. Sadiki- Shef Kabineti i Myftiut të Tetovës, Dr. Qani ef. Nesimit.
Në fund të programit, u bë shpërndarja e diplomave dhe mirënjohjeve nga ana e Reisul Ulemasë, Myftiut dhe referentëve me të cilat u dekoruan nxënësit, mualimi/imami i kësaj xhamie dhe Këshilli i Xhamisë. Po ashtu mirënjohje ju ndanë edhe Këshillit paraprak të Xhamisë, të cilët ishin ata burra që në koordinim me Myftininë i vunë themelet e kësaj xhamie. Vlen të theksohet se numri i nxënësve që bënë hatme në këtë solemnitet ishte 15 nxënës/se.

Comments are closed.