Reisi takoi Bekir Bozdağ, intensifikohet bashkëpunimi me Turqinë

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka qenë nikoqire e zëvendës kryeministrin e Turqisë, Bekir Bozdağ, i cili po qëndroi në Maqedoni në krye të një delegacioni të lartë të qeverisë së Turqisë.
Gjatë një takimi të zhvilluar mes Reis Ul Ulemanë haxhi Sylejman ef. Rexhepi, dhe zëvendës kryeministrit të Turqisë, Bekir Bozdağ, u tha se bashkëpunimi I deritashëm mes Republikës së Turqisë dhe Bashkësisë Fetare Islame është në vijën e duhur, por nuk u përjashtua edhe intensifikimi I këtij bashkëpunimi sidomos në vijën e mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë islame në Maqedoni.
“Mbi të gjitha, brengë e krejt neve është trashëgimia kulturore islame, element i cili flet për kulturën dhe historinë tonë fetare në këto troje. Ky njëherit është edhe element që e mbron identitetin tonë fetar. Natyrisht se shteti dhe qeveria turke gjithnjë janë afër nesh dhe ata gjithnjë janë shprehur se e përkrahin plotësisht BFI-në në çdo qëndrim dhe çështje”, theksoi Reis Ul Ulemanë haxhi Sylejman ef. Rexhepi.
Në anën tjetër zëvendës kryeministri i Turqisë, Bekir Bozdağ, falënderoi kreun e BFI-së për bashkëpunimin në çdo aspekt si me Turqinë ashtu edhe më institucionet turke që veprojnë në Maqedoni.
“Këto marrëdhënie do të intensifikohen në aspekt të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Në për nga besimi jemi vëllezër dhe gjithmonë do të punojmë që së bashku të ecim drejt shtigjeve të reja”, theksoi Bozdağ.
Pas takimit me Reis ul Ulemanë haxhi Sylejman ef. Rexhepi, delegacioni I Turqisë vizitoi Strugën për tu njohur me gjendjen momentale me objektin e xhamisë “Mustafa Çelebi” në Strugë.
Gjatë qëndrimit të tij në selinë e Myftinisë së Strugës, zv/kryeministri Bekir Bozdağ, u prit nga myftiu Salim Sulejmani me bashkëpunëtorët e tij. Zotëri Bekir Bozdağ, u njoftua nga afër për situatën dhe gjendjen me xhaminë “Mustafa Çelebi” nga nikoqirët, pas gjithë atyre ngjarjeve turbulente që ndodhën rreth rindërtimit dhe zgjerimit të kësaj xhamie.
Pasi e pa gjendjen faktike të xhamisë, para gazetarëve të tubuar, Bekir Bozdağ tha se “Shpresoj se në bashkëpunim të autoriteteve kompetente, do të arrijmë mirëkuptim dhe do të merremi vesh dhe punimet të fillojnë në një afat optimal”.

1 2 3 4

Comments are closed.