GURTHEMELI PËR RINDËRTIMIN E XHAMISË SË VJETËR NË ARNAQI

“Xhamitë i ndërtojnë, meremetojnë, mirëmbajnë, vetëm ata që e kanë imanin e paluhatshëm në Allahun Fuqiplotë”, ishte mesazhi i Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në hedhjen e gurthemelit për rindërtimin e xhamisë së vjetër në fshatin Arnaqi të Shkupit.
Të enjten, më 24.06.2021, në prezencë të Myftiut të Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Kryetarit të Komuës së Sarajit z. Blerim Bexheti,  Kryetarit të Kuvendit të BFI-së, H. Fejsall ef. Kadriu, Kryetarit të OH ‘Hilal’, H. Fadil ef. Ramadani, ish drejtor i Medresesë “Isa Beu”H. Sabahudin ef. Mahmudi, hoxhallarë të kësaj ane dhe banorëve të fshatit Arnaqi e dhjetëra besimtarëve, prezent në këtë ceremoni, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai foli rreth rëndësisë së xhamive, të cilat gjatë tërë historisë kanë luajtur rolin kyç në kultivimin dhe forcimin e islamit në këto troje. Mirëmbajtja e xhamive dhe imani i fuqishëm i besimtarëve muslimanë nëpër shekuj ka garantuar të ardhmen e sigurt të islamit deri në këto ditë, si një amanet të cilin duhet përcjell tek gjeneratat që do të vijnë pas. Ky gurthemel për rindërtimin e xhamisë së vjetër, është vula se amaneti do të vazhdon edhe më tej dhe më fuqishëm, porositi Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, duke shtuar se: “Xhamitë kanë rol shumëdimensional; ato janë vende ku madhërohet All-llahu xh.sh, ku kultivohen vlerat islame e universale, vende ku ngrihen personalitetet, vende ku hartohen rregullat dhe parimet për zhvillimin shoqëror, vende ku ngrihet vetëdija fetare dhe edukohen breza të shëndoshë.”
Në fillim të programit u lexuan disa ajete Kur`anore nga Hfz. Burim Amdiu. Më pas, Suat Billalli, në emër të Këshillit Iniciues i përshëndeti gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. Ndërsa, Sabahudin ef. Mahmudi, paraqiti një retrospektivë mbi historikun e xhamisë. Të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse i’u drejtua nikoqiri i këtij programi, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, i cili përgëzoi banorët për këtë kontribut dhe mes tjerash tha:
“Të nderuar të pranishëm shfrytëzoj rastin që në emër të Myftinisë së Shkupit dhe stafit operativ si dhe në emër të të gjithë hoxhallarëve ua bëj përhajr vënien e gurthemelit të shtëpisë së Zotit dhe lus Allahun që sa më shpejtë të përfundojnë punimet e të hapet kjo xhami.”
Fjalë përshëndetëse pati edhe Kryetari i Komunës së Sarajit z. Blerim Bexheti, i cili premtoi se banorët e kësaj ane do ta kenë mbështetjen e Komunës në gjitha procedurat komunale deri në hapjen dhe funksionimin e plotë të kësaj xhamie.
Krejt në fund, duanë e rastit e bëri Orhan ef. Saliu, hatib dhe imam pranë xhamisë “Husein Shah” në Saraj.

Comments are closed.