Dr.Kujtim Mirzo: Trajtesë gjuhësore sures El-Kadr

Trajtesë gjuhësore sures El-Kadr

Dr. Kujtim Mirzo

Nata e Kadrit është nata më e madhe dhe më e bekuar e vitit, nata e lidhjes së qiellit me tokën. Ajo gjendet në muajin e bekuar të Ramazanit, gjegjësisht në dhjetë netët e fundit të tij. Për vlerën dhe madhështinë e kësaj nate Allahu i Madhëruar ka zbritur një sure të posaçme dhe e ka emërtuar atë me emrin e saj, Kaptina el-Kadr. Mjafton për treguar vlerën e kësaj nate, kjo e vërtetë, pra, që Allahu ka zbritur një sure të posaçme për të.
Në këtë sure Allahu i Madhëruar tregon për zbritjen e Kur’anit Fisnik në natën e bekuar të Kadrit, pastaj në vijim i tregon cilësitë e asaj nate madhështore.

Allahu i Lartëmadhëruar thotë:
1. Vërtet, Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit.
2. Dhe çka të bëri të dish se çka është nata e Kadrit?
3. Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.
4. Zbresin engjëjt dhe Ruh-i në të me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje.
5. Paqë është ajo deri në lindjen e agimit.

Surja El-Kadr përmban aspekte gjuhësore të bukura të cilat padyshim se e thellojnë semantikën e fjalëve dhe i qartësojnë qëllimet dhe kuptimet e sures. Në këtë shkrim do t’i bëjmë një trajtesë gjuhësore kësaj sure madhështore të ndarë në aspekte.
ﭐ ﴿إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ﴾
Vërtet, Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit.

.(إِنَّ)Aspekti i parë: Fillimi i fjalisë me pjesëzën e vërtetimit
Pjesëza (in-ne) të cilën në gjuhën shqipe e përkthejmë “me të vërtetë”
ka kuptimin e vërtetimit apo përforcimit të kontekstit apo përmbajtjes së fjalisë. Kur ajo qëndron në krye të fjalisë, kuptimi dhe përmbajtja e saj (fjalisë) janë të vërteta që nuk ka dyshim në to. Allahu i Madhëruar këtë sure e filloi me këtë pjesëzë për të vërtetuar përmbajtjen e saj, se: Zbritësi i Kur’anit është Ai, ai (Kur’ani) ka zbritur në natën e Kadrit, vlera e saj është më e madhe se një mijë muaj, në natën e Kadrit zbresin engjëjt në krye me Xhibrilin në tokë dhe se ajo (nata e Kadrit) është paqe deri në lindjen e agimit.
Gjithashtu, edhe fillimi i fjalisë me fjali emërore dhe kallëzuesi i saj fjali foljore, në rregullat e gjuhës arabe tregon vërtetim, ngase origjina është:
(نحن أنزلناه في ليلة القدر (Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit
, por është fshirë shkonja nun për lehtësim.إِنَّنَا në origjinë është إِنَّا

Aspekti i dytë: Trajta e përemrit në shumës “Ne”.
Në shumë ajete kur’anore e hasim trajtën e shumësit “Ne” kur bëhet fjalë për veprime hyjnore të Allahut i Madhëruar:
﴿إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ﴾
“Vërtet, Ne e kemi shpallë Kur’anin dhe, Ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë”
﴿إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ﴾
“Vërtet, Ne të kemi dhënë ty shumë të mira”.

Edhe në këtë sure e hasim këtë dukuri:
ﭐ ﴿إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ﴾
“Vërtet, Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit”.
Me trajtën e shumësit “Ne” synohet madhështia dhe i lartësimi i Allahut të Madhëruar, duke i përfytyruar të gjithë emrat e Tij të bukra dhe cilësitë e Tij të larta.

Ndërkaq e gjejmë trajtën në njëjës kur Allahu flet për adhurimin dhe hyjninë e Tij:
﴿إِنَّنِي أَنَا اللَّـهُ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدْنِي وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي﴾
Vërtet, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç meje, pra, më adhuro Mua dhe fale namazin për të më përkujtuar” (Taha: 14)
kështu, ngase Ai është Një dhe i Pashoq dhe vetëm Atij i takon adhurimi i krijesave të Tij.
Pra, me trajtën e shumësit Allahu e madhëron Veten e tij madhëshore kur flet për dhuntitë e Tij: furnizuam, krijuam, zbritëm, ndërsa me trajtën e njëjësit e njëson Veten e Tij të Lartësuar në aspektin e njësisë, hyjnisë dhe adhurimit të Tij.

Aspekti i tretë: Folja në kohën e kaluar “e zbritëm”
Folja është shprehur në kohën e kaluar, kjo tregon se Kur’ani Fisnik është i zbritur i tëri në natën e Kadrit dhe poashtu ka filluar zbritja e tij në atë natë, nga Leuhi-Mahfudh (Pllaka e ruajtur) deri në Bejtul-Iz-zeh (shtëpia e krenarisë), ky është mendimi i shumicës së dijetarëve islamë. Folja është e shprehur në formën (ef-ale-enzele), ndërkaq në një ajet tjetër kur’anor e gjejmë formën e foljes (fea-ale-nezzele):
﴿إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْقُرْآنَ تَنزِيلًا﴾
Është e njejta folje në kuptimin e zbritjes, të dyja folje kalimtare, por kanë dallim mes veti. Folja (enzelna) tregon zbritjen e Kur’anit të plotë në natën e Kadrit, ndërsa folja (nez-zelna) tregon zbritjen graduale të Kur’anit Fisnik gjatë periudhës kohore 23 vjeçare, sipas ndodhive dhe rasteve.
Ndërkaq në një ajet tjetër folja e zbritjes është jokalimtare e mbështetur në vet Kur’anin:
﴿وَبِالْحَقِّ أَنزَلْنَاهُ وَبِالْحَقِّ نَزَلَ﴾
“Me të vërtetë Ne e zbritëm atë dhe me të vërtetë zbriti ai”
Njëherë tjetër folja jokalimtare e zbritjes ka ardhur e mbështetur tek engjëlli Xhibril:
﴿نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الْأَمِينُ﴾
“E zbriti atë shpirti i besueshëm”
Në të dy rastet e foljes jokalimtare (nezele), të mbeshtetur në vetë Kur’anin apo nëpërmjet Xhibrilit, tregohet siguria dhe saktësia gjatë zbritjes deri tek Muhamedi (s.a.v.s.).

Aspekti i katërt: Përemri vetor në rasën kallzore: e zbritëm “atë”.
Të gjithë dijetarët janë të një mendimi se me përemrin vetor “atë” është për qëllim Kur’ani Fisnik, por Allahu i Madhëruar nuk e ka përmendur atë sepse kjo mënyrë (pa përmendjen e tij) tregon madhështinë e Kur’anit Fisnik me tre aspekte:
1. Allahu e mbështeti zbritjen e Kur’anit në Veten e Tij “Ne e zbritëm” që të theksohet mbështetja e zbritjes tek Allahu i Lartëmadhëruar.
2. Përemëri vetor “atë”, tregon famën, namin dhe njohjen e Kur’anit Fisnik për besimtarët. Në suren paraprake të sures el-Kadr, e që është surja el-Alek, janë ajetet e para të cilat i zbritën të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s), dhe sikur Allahu i thotë Muhamedit (s.a.v.s): Ato ajete të para dhe tërë Kur’anin, Ne ta shpallëm ty në natën e Kadrit.
3. Madhërimi i kohës në të cilin zbriti në të Kur’ani Fisnik, pra, që fokusimi apo theksi më i madh të jetë tek nata e Kadrit, fjalën “Kur’an” e shprehu me përemër vetor (damir), ndërkaq natën e Kadrit me emër të shfaqur (ism dhahir).

Tek “e zbritëm atë” ka një çështje tjetër, është përmendur përemri “atë” pa mos i paraprirë një emër i shfaqur (ism dhahir), gjë kjo që nuk lejohet në gjuhën arabe, për shembull në një fjali tjetër themi:
(E pashë Muhamedin në mëngjes, e pashë “atë” edhe në mbrëmje). Pra, përmendja e emrit “Muhamed” (emër i shfaqur-ism dhahir) lejoi që herën e dytë të mjaftohemi vetëm me përemrin “atë”.
Ndërsa në ajetin kur’anor “Ne e zbritëm atë në natë e kadrit” nuk ka paraprirë ndonjë emër i shfaqur (në këtë rast fjala “Kur’an”) që të lejohet përdorimi i përemrit “atë”. Tani, përemri “atë” kërkon një mbështetje në një emër të shfaqur (ism dhahir) në të cilin do të kthehet (referohet), pra, kujt i kthehet ai përemër? Ai përemër kthehet tek fjala “Kur’an” (emër i shfaqur) në suren el-Bekare, ku Allahu thotë:
﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ ﴾
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kur’ani…” dhe arsyeja e kësaj është që të tregojë se i tërë Kur’ani, nga fillimi deri në fund, është një, i ndërlidhur, pjesa e fundit e tij e komenton pjesën e parë, pjesa e fundit i zbulon margaritarët e pjesës së parë. Sikur përemëri “atë” i kapërceu dhjetëra sure të Kur’anit Fisnik, qindra ajete të tij, mijëra shkronja që t’i kthehet emrit të shquar (ism dhahir), e që është Kur’ani Fisnik, në suren el-Bekare. Pra, e lidhi fundin me fillimin e Kur’anit Fisnik.

Aspekti i pestë: Fjala “Lejl”: natë, pse Allahu për zbritjen e Kur’anit zgjodhi pikërisht natën, e jo ditën?
Ngase nata ka qetësi, heshtje dhe prehje, ndërkaq dita ka lëvizje dhe zhurmë, dhe këto ia humbin njeriun koncentrimin dhe vëmendjen, ndërsa në gjendjen e qetësisë dhe të prehjes shpirti i njeriut është më i gatshëm për të pranuar çështje, siç thotë Allahu i Lartëmadhëruar:
﴿إِنَّ نَاشِئَةَ اللَّيْلِ هِيَ أَشَدُّ وَطْئًا وَأَقْوَمُ قِيلًا﴾
Qetësia e natës, me siguri, është më efektive dhe më qartë theksohet”.”
Ky është mendim i Sharavit, Allahu e mëshiroftë.

Aspekti i gjashtë: Fjala “el-Kadr” dhe emërtimi i kësaj nate me të.
1. Fjala “el-Kadr” ka kuptimin e caktimit, e që nënkupton caktimin e gjërave, fateve, furnizimeve, lindjeve, vdekjeve, shiut, thatësisë etj në natën e Kadrit. Këtë e vërteton ajeti tjetër kur’anor:
﴿فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ﴾
“Në të caktohet çdo gjë e urtë”.

2. Fjala “el-Kadr” ka kuptimin edhe të vlerës, pozitës dhe madhështisë. Këtë e vërteton ajeti në vetë suren El-Kadr:”Nata e kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj” pastaj kjo përmban dy aspekte:
Aspekti i parë: T’i kthehet ajo vlerë, pozitë dhe madhështi personit të cilit e kalon atë natë me adhurime të ndryshme, e të bëhet njeri me vlerë dhe me nder.
Aspekti i dytë: Të jetë për qëllim vlera e adhurimeve në atë natë madhëshore në krahasim me netët tjera të vitit, pasi që në natën e kadrit adhurimet shpërblehen me shpërblime më të mëdha.

Në këtë kontekst Ebu Bekr El-Ver-rak ka thënë: Është quajtur “Nata e Kadrit (Nata e vlerës)” për shkak se në atë natë zbriti libri me vlerë të lartë, nëpërmjet një meleku me vlerë të lartë, për një ummet me vlerë të lartë, dhe ndoshta për këtë (këto tre gjëra) është përmendur fjala “Kadr (vlerë) është përmendur tre herë në suren el-Kadr.

3. Fjala “el-Kadr” në gjuhën arabe ka kuptimin edhe të ngushtësisë, e që nënkupton se në natën e Kadrit hapësitat e qiellit e të tokës ngushtohen nga engjëjt e shumtë të cilët zbresin, këtë kuptim e vërteton ajeti: Në të (natën e Kadrit) zbresin engjëjt dhe Ruhi me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje.

Fjala el-Kadr ka ardhur në trajtën e shquar, kjo shquarsi tregon vlerë dhe lartësim në vete, dhe nuk është thënë Lejletu Kadrin (nata e një vlere), ndërkaq Lejletul-Kadri përkthehet: nata e vlerës së madhe.

ﭐﱡﭐﱫ ﱬ ﱭ ﱮ ﱯﱠ
Dhe çka të bëri të dish se çka është nata e Kadrit?
Kjo është pyetje retorike në shenjë të madhërimit dhe lartësimit të vlerës së natës së Kadrit, siç e pyet Allahu të Dërguarin e Tij në disa ajete kur’anore në këtë mënyrë.
Jahja ibën Zijad el-Fer-ra ka thënë:”Në ato raste kur Allahu i Madhëruar e ka pyetur të Dërguarin e Tij me pyetjen (ve ma edrake) folja në kohën e kaluar, i ka treguar atij për atë gjë, ndërsa në ato raste kur e ka pyetur me pyetjen (ve ma judrike) në kohën e tashme, nuk i ka treguar”.
Në këtë ajet (ajeti i dytë i sures el-Kadr) është përsëritur edhe një herë ليلة القدر për t’i dhënë asaj më shumë vëmendje dhe për t’ia ngritur vlerën, ndryshe mund të ishte shprehur me përemër vetor:
( إنا أنزلناه في ليلة القدر – وما أدراك ما هي)

﴿لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ﴾
Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.
Këtu, Allahu e dha përgjigjen e pyetjes paraprake retorike dhe tregoi për vlerën e asaj nate duke e vlerësuar atë me një vlerë më të madhe se njëmijë muaj, e nata e Kadrit nuk është në mesin e tyre (pra, përveç natës së Kadrit).
Këtu, gjithashtu vërejmë se edhe një herë është përsëritur (Lejletu-Kadr), për herën e tretë rradhazi, edhe pse mund të shprehej me përemër (hije-ajo), kështu, që të vihet në vëmendje emri i asaj nate me vlerë shumë të madhe.
Ndërkaq Ibën Arafe thotë se përsëritja e (Leljetul-Kadri) është për bukuri tingëllore mes dy fjalëve apo ajeteve fqinje, siç është në disa ajete tjera të Kur’anit Fisnik:
﴿مَثَلُ نُورِهِ كَمِشْكَاةٍ فِيهَا مِصْبَاحٌ ۖ الْمِصْبَاحُ فِي زُجَاجَةٍ ۖ الزُّجَاجَةُ كَأَنَّهَا كَوْكَبٌ دُرِّيٌّ﴾
﴿وَيُطَافُ عَلَيْهِم بِآنِيَةٍ مِّن فِضَّةٍ وَأَكْوَابٍ كَانَتْ قَوَارِيرَا
﴾ قَوَارِيرَ مِن فِضَّةٍ قَدَّرُوهَا تَقْدِيرًا ﴿١٦﴾
Përsëritja e fjalëve (Misbah-Misbah), (Zuxhaxhe-zuxhaxhe), dhe në ajetin e dytë fjalët (Kavarir-Kavarir), vërtet krijon një tingull të këndshëm për dëgjimin.

Fjala (Hajr) në ajetin përkatës është në shkallën e tretë të mbiemrit (ism tafdil), në formën e tij (ef-al), por që nuk përdoret në atë mënyrë, pra, nuk thuhet (ahjer), i fshihet elifi për lehtësim, kjo vlen edhe për fjalën (sherr).

Numri (1000) është real në llogari, pra, tetëdhjetë e tre vite e disa muaj, bazuar në disa hadithe profetike, ndërkaq disa mendojnë se për qëllim është shumimi i numrit, ngase arabët numrin (1000) e përdorin për të shprehur diçka të shumtë, siç ka thënë Allahu në suren el-Bekare:
﴿يَوَدُّ أَحَدُهُمْ لَوْ يُعَمَّرُ أَلْفَ سَنَةٍ ﴾
Ndonjëri prej tyre (jehudijve) dëshiron të jetojë njëmijë vjet.

﴿تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ﴾
Zbresin engjëjt dhe Ruh-i në të me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje.

Folja (tenez-zelu) në origjinë është (tetenez-zelu), është fshirë shkonja “Ta” në fillim për lehtësim në aspektin morfologjik, e në aspektin semantik, disa dijetarë thonë se fshirja e shkonjës “Ta” e cila është fshirë për lehtësim, aludon zbritjen e melekëve lehtë e qetë, ngase ata janë melekë të paqes e të mëshirës, dhe jo të dënimit.
Në shkencën e morfologjisë arabe është një rregullore e cila thotë:”Sa më shumë shkonja t’i shtohen rrënjës së foljes, folja merr kuptim më të madh”.
Rrënja e foljes (tenez-zele) është (nezele), në ajetin përkatës nuk është shprehur me foljen (nezele, e cila në kohën e tashme bën tenzilu), por është shprehur me dy shkonja të shtuara (tenez-zele) për shkak se folja e shtuar me dy shkronja (tenez-zele) merr kuptimin e shumimit (el-kethreh), që domethënë: zbresin melekë me një numër shumë të madh.

Fjala “Ruh”, siç e dim të gjithë, domethënë: shpirt, dhe me të është për qëllim Xhibrili-alejhi selam-, a thua vallë pse Allahu e ka emërtuar me atë fjalë?
Nehasi thotë:”Është quajtur Xhibrili me emrin Shpirt sepse krijimi i tij është drejtpërdrejtë nga Allahu i Lartëmadhëruar, si shpirt, pa lindje, siç është quajtur Isai -alejhi selam- shpirt, sepse ai u krijua me fjalën (bëhu), prandaj quhet edhe si (kelimetullah-fjala e Allahut), ose si (ruhull-llah: shpirti i Allahut) sepse ai u krijua pa baba, me fjalën dhe urdhërin e Allahut Fuqiplotë.
Ndërsa një mendim tjetër thotë se Xhibrili është quajtur me emrin “shpirt” sepse nëpërmjet tij zbriti Kur’ani i cili i gjallëron zemrat e besimtarëve, pra, Kur’ani është shpirt i zemrave të besimtarëve.

Tek fjala”min kul-li emrin” pjesëza e rasës gjinore “min”(nga, prej) është me kuptimin e pjesëzës “li” (për), dmth:”li kul-li emrin” (për çdo çështje), ndërkaq disa mendojnë se pjesëza “min” e ka kuptinin e pjesëzës “bi” (me), pra,”bi kul-li emrin” (me çdo çështje), të dy kuptimet janë të përshtatshme me detyrën e engjëjve në atë natë. Kjo dukuri në sintaksën arabe quhet “Tenavubu hurufil-xher” (zëvendësimi i pjesëzave të rasës gjinore me njëra-tjetrën).

﴿سَلَامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ الْفَجْرِ﴾
Paqe është ajo deri në lindjen e agimit

Fjala سَلاَمٌ në gjuhën shqipe përkthehet: paqe dhe shpëtim, por mund të komentohet me shumë sinonime tjera: siguri, qetësi, stabilitet, mirësi, bekim, shpërblim, falje, mëshirë, ngase fjala paqe i përfshin të gjithë ato kuptime.
Ajo ka ardhur në trajtën e pashquar (سَلَامٌ) për të treguar madhërim dhe vlerë.
Disa tefsirologë thonë se me fjalën (سَلاَمٌ) është për qëllim zbritja e engjëjve në tokë për t’i uruar dhe përshëndetur besimtarët, pasi që fjala (سلام) ka kuptimin e përshëndjetjes.

﴿سَلَامٌ هِيَ﴾ Kjo është një fjali emërore, origjina e saj është:هِيَ سَلاَمٌ) ) Ajo është paqe, në analizën gramatikore themi: (هِيَ: مبتدأ) Ajo-kryefjalë, ndërsa (سَلَامٌ: خبر) Paqe-kallzues, që duket se kallzuesi ka dalur para kryefjalësi.
Pse është shprehur kështu ﴿سَلَامٌ هِيَ﴾?
Ka dalur kallëzuesi përpara për të treguar specifikën dhe karateristikën(قصر واختصاص) e asaj nate, duke e përcaktuar si: (مَا هِيَ إِلاَّ سَلاَمٌ) Ajo është vetëm paqe.
Gjithashtu, fjala ( (سَلاَمٌi takon edhe ajetit paraprak, origjia është: مِنْ كُلِّ أَمْرٍ سَلاَمٌ)) “Për çdo gjë paqe”. Por, i takon edhe ajetit në vijim, për të treguar afatin e të qenurit paqe të asaj nate. Pra, është vendosur në atë pozicion që t’i përfshijë të dy ajetet. Nëse do ishte هِيَ سَلامٌ حتى مطلع الفجر)), fjala سلام)) nuk do ta përfshinte.

Pjesëza حَتَّى) ) në ajetin përkatës tregon se afati i natës së bekuar të Kadrit e përfshin edhe lindjen e agimit, gjegjësisht edhe namazin e sabahut të ditës së re në vijim, që të mos mendohet se afati i saj përfundon sikur koha e syfirit, pra, me përfundimin e çastit të fundit të natës. Kjo është një mirësi nga Allahu i Madhëruar për zgjatjes e kohës së asaj nate të bekuar që besimtarët ta shfrytëzojnë atë më shumë.
Po të ishte shprehur me pjesëzënإِلَى : ((سلام هي إلى مطلع الفجر, afati i asaj nate do të kishte përfunduar me përfundimin e natës (deri në syfir).
Shabiu ka thënë:”Vazhdon bekimi i asaj nate edhe në mëngjesin e ditës së nesërme për shkak se në atë kohë engjëjt ngjiten lartë pas namazit të sabahut dhe për këtë shkak dielli lind pa rreze, i ndritëshëm sikur hëna”.

Lidhëshmëria e sures el-Kadr me suren paraprake”el-Alek” dhe suren vijuese “el-Bej-jineh”.

Surja “el-Kadr” fillon me ajetin:”Vërtet, Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit”, ndërsa surja paraprake “el-Alek” fillon me ajetin:”Lexo në emrin e Zotit tënd i cili krijioi (çdo gjë)”. Pra, sikur Allahu i thotë Muhamedit (s.a.v.s.): Lexo atë që Ne e zbritëm në natën e Kadrit.

Ndërsa për sa i përket lidhëshmërisë me suren vijuese “el-Bej-jineh” është kështu: Surja “el-Kadr” fillon me ajetin:”Vërtet, Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit”, pra, tregohet zbritësi me përemër (Ne e zbritëm), poashtu tregohet edhe sendi (gjëja) që u zbrit, nëpërmjet përemrit “atë” që i referohet fjalës Kur’an në suren el-Bekare, por nuk e ka përmendur atë të cilit i është zbritur (personin), tani vjen surja el-Bej-jine dhe e plotëson këtë paqartësi (nëse mund ta quajmë ashtu), ku thuhet:
﴿رَسُولٌ مِّنَ اللَّـهِ يَتْلُو صُحُفًا مُّطَهَّرَةً ﴿٢﴾ فِيهَا كُتُبٌ قَيِّمَةٌ﴾
“I Dërguar prej All-llahut, që lexon fletë të pastra, Në të cilat ka vetëm dispozita të drejta.
Pra, e tregoi zbritësin me emër të shfaqur: “prej Allahut”, e tregoi atë tek i cili u zbrit: “I Dërguar” dhe tregoi se çka është ajo që u zbrit “fletë të pastra, Në të cilat ka vetëm dispozita të drejta”.
Surja El-Bej-jineh i sqaroi përemrat e përmendura në suren el-Kadr dhe kjo është nga karakteristikat dhe veçoritë e Kur’anit Fisnik, në të cilin ka përputhshmëri të bukur, lidhëshmëri të qartë mes sureve të tij, madje edhe vetë emri i sures “el-bej-jineh” (sqaruese) aludon se në këtë sure ka sqarim për përemrat e përmendur në suren paraprake të saj, el-Kadr, gjë kjo që e bën shumë të qartë lidhëshmërinë mes dy sureve fqinje.

Literatura e shfrytëzuar:
1. Mefatihul-Gajb, Tefsiri i Razit.
2. Et-Tahrir Vet-Tenvir, Ibën Ashur.
3. El-Kesh-shaf, Tefsiri i Zemahsheriut.
4. Fet’hul Kadir, Tefsiri i Sheukanit.
5. I’rabul Kur’an, Muhamed Sulejman Jakut.
6. Tefsiri i Sha’ravit.

Comments are closed.