RAMAZANI, KY MUAJ I NGRITJES SHPIRTËRORE

HËNA E RE - Tema nga numri i Prillit 2023

HËNA E RE – Tema nga numri i Prillit 2023
RAMAZANI, KY MUAJ I NGRITJES SHPIRTËRORE
Agjërimi i thotë njeriut: “A e sheh, o njeri, sa i fuqishëm je?! Kur mund të largohesh nga kënaqësitë e trupit gjatë një muaji, ti ke fuqinë të evitosh çdo ves të shëmtuar; andaj, vazhdo të jetosh me porositë e agjërimit edhe pas Ramazanit të bekuar: i dobishëm për veten tënde, i dobishëm për familjen dhe shoqërinë tënde. Andaj, vazhdo. Ti mundesh.”
Nga Shaqir ef. Fetahu
1.Ramazani, ky muaj i bekuar i agjërimit. Sa me gëzim po e presim. Thellë freskon zemrat dhe shpirtin. Lidh njeriun me Krijuesin, materialen me shpirtëroren; freskon të menduarit, duke e lidhur me meditimin mbi më të vlefshmen, mbi më të mirën, mbi humanen – afrimin me tjetrin, dashurinë ndaj gjithçkasë: ndaj prindit, ndaj fëmijës, ndaj njeriut, ndaj të varfrit, ndaj skamnorit etj.
E gjithë kjo ndodh se agjërimi e lidh fuqishëm njeriun me Zotin.
2.Ramazani i bekuar formon ambient të shenjtë. Gjithçka është hyjnore: sjellja, mendimi, shpirti, veprimi, buzëqeshja, bujaria, bamirësia, ndeja, paqja, biseda etj.
Andaj, kuptojeni një të vërtetë: Ramazani është i dashuri ynë, me begati të shumta për të ngritur dinjitetin tonë shpirtëror dhe moral.
3.Muaji i bekuar i Ramazanit i solli botës tri bazat e zhvillimit njerëzor: 1. Zbritjen e Kuranit famëlartë, ku u definuan çështjet dhe themelet e jetës si: Njëshmëria e Zotit, morali, marrëdhëniet njeri – Zot, njeri – botë dhe synimet e njeriut në këtë jetë; 2. Agjërimi si institucion i formimit shpirtëror dhe fizik të personalitetit të njeriut për të ndryshuar botën nga formimi i familjes, shoqërisë, jetës, zhvillimit dhe përparimit njerëzor; 3. Nata e madhe e Kadrit – nata e imperativit të dijes dhe studimit të gjithçkasë që paraqet trasimin e zbulimit të begative të Zotit në këtë botë dhe në kosmos dhe lidhjen e njeriut me qiellin, materialen me transhedenten etj.
Ramazani është fenomen i pashtershëm i ideve të formimit të individit, familjes dhe shoqërisë njerëzore.
4.Agjërimi është rezultat i lidhshmërisë së paluhatshme të besimtarit me Zotin e madhërishëm. Fuqia e besimit forcon shpirtin dhe vetëdijen, që fuqizojnë krejt trupin për të qenë në përkushtim të plotë me hyjnoren dhe me porosinë e Zotit për të agjëruar. Andaj, agjërimi dëshmon se besimi te Krijuesi, te besimtari, nuk është thjesht një teori që artikulohet përmes gjuhës, por është krejt personaliteti i tij përplot besim, që dëshmohet në mishërimin e teorisë me praktikën.
Agjërimi koncepton besimin e vërtetë si unifikim të teorisë dhe të praktikës, të të menduarit me veprën. Ky definim është baza më e fuqishme hyjnore e suksesit në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.
5.Agjërimi dëshmon konceptin islam të baraspeshës mes materiales dhe shpirtërores. Islami është mesatarja. Njeriu është përbërje e dy natyrave: asaj fizike dhe asaj shpirtërores. Që të dyja e kërkojnë ushqimin e vet. Kultivimi i njërës më tepër se tjetra, sjell disbalansin mes tyre. Ndodh që epshi, emocionet dhe materialja ta robërojnë njeriun dhe atëherë njeriu bie në kthetrat e epshores, të materiales dhe kjo e dërgon aty ku dëshiron – drejt së keqes, destruktives, si: alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, e shëmtuara etj. Pse? Sepse, e ka humbur fuqinë e shpirtit që e kontrollon egon e njeriut. Agjërimi si fuqi e shpirtit për abstenim nga haja e pija dhe punët e këqija, e vë fuqinë e njeriut për të mbajtur baraspeshën e personalitetit të tij, që trason rrugën e normalitetit si masë e së mirës dhe maturisë në jetën e tij.
6.Agjërimi formon personalitete të shëndosha me tipare të devotshmërisë, që është kurorë e të gjitha vleftave. Esencialja e agjërimit është evitimi i veseve destruktive dhe të shëmtuara nga njeriu dhe formimi i vetëdijes, mendimit dhe veprimit të pastër. Pa këtë segment agjërimi do të ishte si një trup të cilit i ka mbetur vetëm skeleti, andaj agjërimi bëhet që te njeriu të kultivohen vlera njerëzore, që do të aplikohen në jetën e përditshme në çdo sferë të aktivitetit shoqëror.
Koncepti kuranor e sheh atë si elementin më ndikues drejt devotshmërisë së njeriut. Muhamedi (a. s.) abstenimin nga haja dhe pija e definon si një gjendje meditimi për të trasuar rrugën e veprave të mira; përndryshe, vetëm abstenimi nga materialja, do të ishte i zbehtë dhe pa ndikim në reformimin e vetëdijes së besimtarit.
Vetë fuqia e largimit të njeriut nga kënaqësitë e kësaj bote, formon vetëdijen dhe sigurinë te njeriu, se ka fuqi të formohet duke evituar të keqen nga vetja e tij dhe reflektimin e energjisë për të qenë i devotshëm, fisnik, i moralshëm dhe i dobishëm.
7.Agjërimi është institucion që e kalit dhe e formon personalitetin e njeriut në qëndrueshmëri ndaj sfidave të ndryshme të jetës, në veçanti në kohëra të skamjes. Në uri dhe etje, besimtari kultivon ndjenjat e durimit – të sabrit dhe gjatë tërë ditës ai është në aksion të kryerjes së veprës madhore, deri tek arritja e qëllimit e që quhet – agjërim i ditëve të Ramazanit për hir të Allahut fuqiplotë.
Agjërimi më së miri na e shpjegon definicionin e durimit – të sabrit, që do të thotë se çdo vepër madhore kërkon mobilizim të të gjitha potencialeve morale, shpirtërore dhe fizike për të arritur deri te synimi. Dhe, mu për këtë Islami vlerën e durimit, të qëndrueshmërisë, të sabrit e llogarit gjysmë iman – besim.
Qëndrueshmëria dhe durimi janë vlera të personaliteteve të forta shpirtërisht dhe moralisht, ndërsa agjërimi është rruga drejt kësaj vlere.
8.Agjërimi është shkolla më praktike dhe më efikase e humanizimit të personiletit të njeriut, sepse abstenimi nga haja dhe pija e sjell organizmin në gjendjen e etjes dhe të urisë, gjendje kjo që sjell “dhimbje” të barabartë te të pasurit dhe të varfrit. Në momentin e urisë dhe të etjes njeriu vetvetiu kupton çka do të thotë gjendja e urisë dhe e etjes. Kjo ngjall ndjenjat ndaj atyre që nuk kanë dhe kjo mbjell në shpirtin e njeriut ndjenjën e bujarisë, të humanizmit dhe të solidaritetit, e shton kujdesin ndaj njeriut – qenies më të bukur që krijoi Zoti, pa të cilin kujdes dobësohen lidhja me Zotin dhe porositë e tij. Jusufi (a. s.) shpesh thoshte se nuk ngihet nga frika që mos të harrojë të varfrit.
Andaj, agjërimi e sjell konceptin e dashurisë ndaj tjetrit, kujdesin dhe obligimin ndaj skamnorit, bujarinë, humanitetin, solidaritetin, vetëdijën për të jetuar me dhimbjen e njëjtë me të tjerët.
9.Njeriu shpeshherë e harron pozicionin e tij të lartë, duke qenë i shurdhër për të dëgjuar zërin e arsyes, të logjikës; të kuptuarit, hyjnoren dhe bëhet fuqi e karakterit tjetër destruktiv – satanik. Ai në këtë harresë i jep hapësirë botës materiale, destruktives, e cila e robëron atë, duke ia ngushtuar hapësirën e vetëdijes, të shpirtërores, të hyjnores. Kjo e shndërron atë prej subjektit dhe udhëheqësit të së mirës, në objekt dhe të udhëhequr, në ndjekës të verbër të urdhrit të epshit dhe materiales dhe me apo pa vetëdije bëhet udhëheqës i trasimit të rrugës satanike, destruktive, të errët dhe luftëtar i pakompromis i kultivimit të së keqes, negatives, shkatërrueses etj.
Agjërimi i jep njeriut forcën e shpirtit, të morales, kujdesit, evitimin e të së keqes dhe e drejton drejt hyjnores që i jep drejtimin për të mirën dhe humanen.
10.Agjërimi është koncept edukimi të sjelljes fizike dhe moralo shprtërore. Ai mëson në praktikë që trupi të mëshirohet me shpirtin. I gjithë trupi duhet të qëndrojë në përputhshmëri me shpirtin, duke agjëruar çdo pjesë e trupit – agjërim ky që e mëson trupin të jetë brenda konceptit të së mirës. Mendja të meditojë mbi konceptin e të mirës, gjymtyrët të drejtohen drejt kultivimit të morales, paqes, qetësisë, mirësjelljes dhe shumë vlerave tjera.
Largimi nga kënaqësitë e jetës i dëshmojnë njeriut se mund të jetë plotësisht në përputhshmëri me aksionin e plotë për të zhvilluar atë që është e vlertë dhe fuqinë e madhe që ka njeriu për të evituar të keqen, të shëmtuarën dhe gjithçka të dëmshme për vetë njeriun dhe rrethin ku jeton.
Agjërimi i thotë njeriut: “A e sheh, o njeri, sa i fuqishëm je?! Kur mund të largohesh nga kënaqësitë e trupit gjatë një muaji, ti ke fuqinë të evitosh çdo ves të shëmtuar; andaj, vazhdo të jetosh me porositë e agjërimit edhe pas Ramazanit të bekuar: i dobishëm për veten tënde, i dobishëm për familjen dhe shoqërinë tënde. Andaj, vazhdo. Ti mundesh.”
Agjërimi është ambient hyjnor, që edukon personalitete të fuqishme, që e reformon njeriun drejt së mirës dhe konstruktives, si kreator i ndryshimit drejt së mirës. /Facebook, faqja personale, 23 mars – 13 prill, 2023/
(Autori është Kryetar/Reis’ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut)

Comments are closed.