TOLERANCA NË ISLAM, DËSHMI E FUQISË DHE JO E DOBËSISË – Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

Kumtesë e paraqitur në Konferencën e Përgjithshme të Këshillit të Lartë për Çështje Fetare Islame të Egjiptit në Kajro

TOLERANCA NË ISLAM, DËSHMI E FUQISË DHE JO E DOBËSISË
Nga: Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, i cili na nderoi me Islamin dhe na nderoi duke na bërë prej atyre që përfaqëson vlerat e tij të larta të bukura.
Paqja dhe përshëndetjet qofshin mbi zotriun tonë Muhamedin (a. s.), i cili na mësoi mënyrën e saktë se si t’i zbatojmë këto vlera dhe virtyte, që përfaqësojnë llojet më të larta dhe më të mira të qytetërimit dhe civilizimit, dhe mbi familjen dhe shokët e tij dhe ata që e ndoqën atë në mënyrën më të mirë dhe i futën mësimet e tij të tolerancës në zemrat e njerëzve.
Zoti thotë në Kuran: “O njerëz, në të vërtetë, Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat: 12)
I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) thotë: “All-llahu e ka bërë obligim mirësjelljen në çdo veprim.”
I nderuar Ministër i Vakëve, dr. Muhamed Muhtar Xhuma;
Të respektuar dijetarë të botës islame dhe ju të pranishëm;
Jam i nderuar që jam sot mes jush, në këtë konferencë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme. Me këtë rast, përshëndes organizatorët dhe ju dëshiroj punë të mbarë në të dhe në aktivitetet shoqëruese të saj.

Islami, të nderuar të pranishëm, siç e dihet, është fe e tolerancës, e dashurisë dhe e paqes. Zoti i ka thirrur robtë e tij në tolerancë në shumë ajete në librin e Tij të shenjtë dhe feja jonë e pastër bën thirrje për falje me të mirë, për falje kur ke fuqi për ndëshkim, për sjellje të mirë dhe ruajtje të të drejtave të të tjerëve. Thotë Allahu i lartësuar: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë dhe atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë miku yt i ngushtë.” (Fusilet: 34)
I Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) na nxiti në tolerancë dhe në falje. Edhe biografia e tij është plot falje dhe tolerancë. Islami e bëri faljen dhe përmbajtjen nga bërja keq ndaj të tjerëve moral të lartë islam. E ka urdhëruar Allahu të dërguarin e Tij (a. s.) të thërriste për përulësi, për mirësi dhe ulje të krahut. Dhe kjo, jo vetëm me njeriun, por edhe me kafshët, siç thuhet në hadith: “All-llahu e ka bërë obligim mirësjelljen në çdo veprim.”
Përveç që është fe e tolerancës, Islami është gjithashtu edhe fe e krenarisë, e drejtësisë dhe e ndershmërisë. Thotë Allahu i lartësuar në Kuran: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (Al Mumtehane, 8)
Allahu urdhëroi të jemi të drejtë me jomyslimanët paqësorë dhe nga kjo bëhet e qartë toleranca. Islami është një fe që i bashkon njerëzit, jo fe e shkatërrimit dhe e rrënimit, siç bëjnë disa nën emrin e Islamit. Islami është vërtetues i asaj që thuhet në hadithe: “Kush privohet nga dhembshuria, privohet nga mirësia” dhe: “Dhembshuria nuk është në diçka, përveç se e rëndon peshoren e vet; dhe se, nuk nxirret nga diçka, përveç se e shëmton atë” – madje, edhe në polemikë me kundërshtarin.
Kjo është feja e Zotit, të nderuar pjesëmarrës; kjo është feja e tolerancës, edhe nëse kriminelët e urrejnë atë – fe të cilën disa përpiqen ta shtrembërojnë, por që është shumë larg, se Zoti është mbrojtësi më i mirë i fesë së tij.

  • PËRKUFIZIMI TERMINOLOGJIK I TOLERANCËS

Toleranca në aspektin terminologjik është: tejkalim dhe falje, e cila është një nga shtyllat e marrëdhënieve njerëzore islame. Thotë Allahu: “… pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.” (El-Maide: 13)

Kjo do të thotë, gjithashtu, tolerancë ndaj të tjerëve, në marrëdhënie të ndryshme, që është për t’i lehtësuar gjërat dhe për të qenë me sjellje të mirë, të cilat do të vijnë në shprehje në lehtësimet ndaj tyre dhe jo të ketë shtypje.
  • SHFAQJET E TOLERANCËS NË MËSIMET E ISLAMIT ME JOMUSLIMANËT
Njerëzimi nuk njeh një fe që është më e gjerë në tolerancë dhe më përfshirëse në mirëkuptim me të tjerët nga Islami. Edhe i Dërguari i Zotit na dha shembujt më të mirë të tolerancës: duke jetuar me pjesëtarët e feve të tjera, duke i siguruar ata në besimet, adhurimet, tempujt, ritualet dhe kryqëzimet e tyre dhe i ka lënë ata të lirë t’i praktikojnë ritualet e tyre, pa siklet apo shqetësim.
Allahu i ka urdhëruar myslimanët të bashkëjetojnë me njerëzit e feve të tjera, që të bashkëjetojnë paqësisht me ta, duke u sjellë mirë dhe me përkëdheli. Siç thotë në Kuran: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (El-Mumtehine, 8)
Islami i ka fshirë injorancën dhe tabutë dhe falsitetet e tij, duke përfshirë edhe fanatizmin etnik apo rajonal; qoftë për shkak të ngjyrës së bardhë apo të zezë të personit, apo për shkak se ai është arab apo joarab; apo se kjo është nga Lindja, apo nga Perëndimi. Islami e ka bërë të qartë se nuk ka dallim midis një arabi dhe një joarabi, përveç se në devotshmëri dhe të gjithë ata janë të barabartë si dhëmbët e krehrit. Ka thënë i Dërguari (a. s.): “O ju popull, zoti juaj është një, e babai juaj është një; nuk ka kurrfarë privilegji për arabin mbi joarabin, as për joarabin mbi arabin; as të të kuqit mbi të ziun, as të të ziut mbi të kuqin, përveç se në devotshmëri”.
Islami e ka lejuar të hash ushqimin e ithtarëve të Librit dhe të martohesh me gratë e tyre. Thotë Zoti në Kuran: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që iu është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit duke u martuar me ato e jo duke bërë kurvëri, as duke i marë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij, do të zhvlerësohet dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.” (El-Maide: 5)
  • ARGUMENT PËR FUQINË
Prandaj, është e gabuar të besosh se toleranca është provë e dobësisë së pronarit të saj dhe e impotencës së tij, por më tepër një ngritje për pronarin e saj dhe krenari për popullin e tij. Siç thuhet në hadith: “Nuk është i fortë ai që ngutet, por ai që e mban veten gjatë hidhërimit.“ Edhe në hadithin: “Zoti nuk ia rriti njeriut krenarinë, përveç se me falje.”
Ja shembulli i Jakubit (a. s.), kur fëmijët e vet kërkuan prej tij që t’i falte dhe të kërkonte falje për ta: nuk bëri dua kundër tyre, as shfaqi dhunë ose ndëshkim ndaj tyre, por ai i trajtoi ata me amnisti dhe falje të bukur.
Nga që, toleranca ka të bëjë me bashkimin e njerëzve para se të vijë në shprehje interesi personal. Nuk mund të arrihet bashkimi dhe tubimi që ka urdhëruar Allahu pa zbatuar dhe ndjekur shkaqet e bashkimit. Dhe, njëra nga arsyet më të mëdha është toleranca. Toleranca gjithashtu është virtyt i personaliteteve të mëdha. Ajo është sjellje e njerëzve besnikë, metodologji e njerëzve me karakter të lartë. Këto ne duhet t’i përkthejmë në realitetet e jetës sonë të përditshme, të kuptojmë qëllimin e saj fetar, përkatësisht harmoninë dhe kohezionin, dhe të jemi si një strukturë e cila na e rrit forcën dhe stabilitetin – qoftë psikologjik, apo atë shoqëror, social. (…)
Ky parim islam është rrënja që do të na mbrojë nga ata që me ambicie kërkojnë shkatërrimin dhe bëjnë kërdinë në tokë. Një shoqëri tolerante e pranon tjetrën dhe i bashkon duart me të për të ndërtuar dhe për të dhënë; ajo beson se Allahu i Plotfuqishëm i urdhëroi njerëzit që të njihen, e jo të bien ndesh me njëri-tjetrin. Siç thotë i Plotfuqishmi: “O ju njerëz, vërtet ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete; s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat); Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El-Huxhurat: 13)
Kështu, rezulton që toleranca është rruga e të fuqishmve dhe jo përzgjedhje e të dobtëve. Ata janë të fortë me falje dhe nuk u ngushtohen kraharorët duke pranuar tjetrin, kundërshtarin.
Dhe, meqë jemi në kontekstin e tolerancës në Islam, theksojmë rëndësinë e përhapjes së Islamit të vërtetë te të tjerët, duke treguar madhështinë e kësaj feje në tolerancë dhe nxitjen e saj për vlera të larta etike duke afirmuar parimin e paqes, duke refuzuar urrejtjen, diskriminimin dhe terrorizimin e njerëzve dhe duke shkaktuar humbjen e të drejtave të tyre. E gjithë kjo është në kundërshtim me tolerancën e Islamit dhe origjinën dhe qëllimet e tij. “Në këtë ka përkujtim për ata që mendojnë.”

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut kontribuon shumë dhe është e kujdesshme në përhapjen e këtyre vlerave të larta islame, duke marrë pjesë gjithmonë në takime të rregullta midis përfaqësuesve të të gjitha Bashkësive Fetare në Republikën e Maqedonisë, si inicuese e shumë projekteve të përbashkëta për të zhvilluar bashkëjetesën midis pjesëtarëve të bashkësive fetare dhe kulturave të ndryshme. Për më tepër, institucionet arsimore të BFI-së kontribuojnë në kultivimin e këtyre vlerave fetare në të gjitha nivelet e shkollimit.
Në fund, unë ju falënderoj që patët durimin dhe më dëgjuat dhe i lutem Zotit që t’ju bekojë dhe të shpërblejë organizatorin me shpërblimin më të mirë.

(Kumtesë e paraqitur në Konferencën e përgjithshme të Këshillit të Lartë për Çështje Fetare Islame të Egjiptit në Kajro nga data 12 deri më 13 shkurt të vitit 2022)

Comments are closed.