U PËRMBYLL ME SUKSES SEMINARI TRAJNUES FETARO-SHKENCOR ME IMAMË, VAIZË DHE HATIBË
U PËRMBYLL ME SUKSES SEMINARI TRAJNUES FETARO-SHKENCOR ME IMAMË, VAIZ DHE HATIB
Më 13 nëntor 2026 (e xhuma), në prani të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u përmbyll me sukses edicioni i dytë i Seminarit Trajnues Fetaro-Shkencor me imamë, vaiz dhe hatib, i organizuar në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe Ministrisë për Çështje Islame, Thirrje dhe Udhëzim të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Dita e tretë dhe përmbyllëse e këtij seminari u realizua në qytetin e Gostivarit, nën mikpritjen e Muftiut të Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, në ambientet e SHAM Medreseja “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar, me pjesëmarrjen e nëpunësve fetarë të Muftinisë së BFI-së në Gostivar.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm fetaro-arsimor, krahas Reisul Ulemasë, morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së së RMV-së, H. Irsal ef. Jakupi, Muftiu i Manastirit, H. Amit ef. Rasimi, Muftiu i Ohrit, H. Samet ef. Ajdari, Muftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi, si dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Xhluvi bin Sead el-Mutejri.
Seminari, me temë “Akideja e Tahaviut të Imam Ebu Xhafer Et-Tahaviu El-Hanefiu”, u ligjërua nga Shejh Muhammed bin Hassan bin Abdullah Al-Shehri, ligjërues nga Ministria për Çështje Islame, Thirrje dhe Udhëzim e Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Përmes ligjëratave dhe trajtesave fetaro-shkencore, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi çështjet themelore të besimit islam, duke u mbështetur në trashëgiminë e pasur të dijetarëve klasikë të traditës islame, me theks të veçantë në veprën e njohur të Imam Ebu Xhafer Et-Tahaviut, një ndër personalitetet më të shquara të shkollës hanefite.
Me këtë rast, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai theksoi rëndësinë e organizimit të seminareve të këtilla, duke nënvizuar se ngritja e vazhdueshme profesionale dhe intelektuale e kuadrit fetar përbën një ndër prioritetet themelore të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema shprehu falënderime dhe mirënjohje të veçantë për Ministrin e Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Shkëlqesinë e Tij, Dr. Abdullatif bin Abdulaziz Al-Shejh, për përkushtimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën fetaro-arsimore.
Njëkohësisht, Reisul Ulema vlerësoi lart vizionin dhe përkujdesjen e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Selman bin Abdulaziz Al-Suud, si dhe të Princit të Kurorës, Muhamed bin Selman bin Abdulaziz Al-Suud, për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Arabisë Saudite u ofron institucioneve islame dhe për angazhimin e tyre në promovimin e vlerave të mirëfillta islame, përhapjen e dijes, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive islame dhe kultivimin e frymës së paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit.
Reisul Ulema theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe institucioneve përkatëse të Mbretërisë së Arabisë Saudite përbën një shembull të shkëlqyer të partneritetit të sinqertë dhe konstruktiv, i cili po jep rezultate konkrete në ngritjen profesionale të kuadrit fetar dhe në avancimin e jetës fetare e arsimore në vendin tonë.
Në përfundim të seminarit u bë edhe shpërndarja e certifikatave për pjesëmarrësit, duke kurorëzuar kështu me sukses një aktivitet të rëndësishëm në shërbim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe fetaro-arsimore të nëpunësve fetarë.
Me realizimin e programit në Gostivar, pas aktiviteteve të zhvilluara në Strugë dhe Kërçovë, u përmbyll edicioni i dytë i këtij seminari trajnues, i cili dëshmoi edhe një herë përkushtimin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së për avancimin e dijes, përgatitjen profesionale dhe fuqizimin e misionit të shërbimit fetar në vend.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





