
Metoda e thirrjes në namaz
Edhe pse ky titull i referohet namazit, e cila është një temë e veçantë, ai mund të quhet një ftesë për udhëzim në terma të përgjithshëm. Sepse, me vendosjen dhe fillimin e namazit, njeriu hyn në një rreth praktik të vazhdueshëm dhe të rregullt të Islamit. Namazi është fillimi i një jete të re. Pas këtij fillimi, personin e presin ndryshime pozitive në strukturën e personalitetit dhe stilin e jetës. Thirrësi duhet ta drejtojë dhe ta ndihmojë atë në rregullimin e çdo aspekti të jetës së tij, në mënyrë që ta bëjë personin të dobishëm dhe besimtar të denjë.
Çështja që thirrësi duhet t’i kushtojë vëmendje këtu është për t’i dhënë atij dijen, besimin dhe guximin e nevojshëm për të organizuar vazhdimësinë e adhurimit në jetën e tij të ardhshme sipas standardeve islame. Më e rëndësishmja, mënyra më efektive që mund të bëjë thirrësi është të japë një shembull të mirë me jetën e tij. Nuk është e lehtë të bësh një ndryshim rrënjësor në jetën e një personi për shkak se ai ka kaluar shumë vite në shkujdesje. Kjo kërkon vëmendje të vazhdueshme. Duke pasur parasysh se braktisja e praktikës së kaluar dhe fillimi i një jete me namaz është gjëja më e rëndësishme për njeriun, thirrësi i cili e fton duhet të jetë i pajisur me dije të thellë fetare. Kjo nuk është dhe aq e lehtë si mendohet. Thirrësi duhet të dijë ajete, hadithe, histori dhe shembuj nga jeta e përditshme për namazin dhe të ketë një shpjegim të mirë. Ai duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet justifikimeve, pyetjeve dhe problemeve të paraqitura në lidhje me namazin dhe t’i hapë rrugën personit.
Thirrësi për në namaz mund të has në vështirësi vetëm te një popull mohues. Në një shoqëri që është e prirur për besim, ekziston një mjedis i gatshëm dhe i lehtë për një thirrës të ditur. Gjërat e nevojshme për këtë mjedis janë: morali i mirë, njohuritë e mjaftueshme, fytyra e qeshur, aftësitë, përpjekjet dhe durimi. Edhe nëse këto cilësi nuk janë te thirrësi, falë qëllimit, sinqeritetit dhe mundimit të tij, cilësitë që nuk i ka, mund t’i jepen si dhuratë hyjnore.
Thirrësi duhet të ketë njohuri dhe përvojë për pengesat dhe zgjidhje për problemet që njerëzit hasin sapo kanë filluar të falen. Pengesat me të cilat ballafaqohet praktikuesi i ri i namazit mund të jenë: shprehi të këqija, dobësi të ndryshme, nënçmim nga ana e familjes, shokëve apo kolegëve të punës, distancim apo tallje me të. Përveç kësaj ai mund të ketë edhe ndrojtje nga ndonjë shkak tjetër dhe kjo mund të jetë pengesë për namazin e tij. Këto mund të jenë shkaqe që ai të fillojë dhe pastaj ta braktis faljen e namazit. Dobësitë e tilla thirrësi duhet t’i hetojë dhe të mundohet t’i largojë nga ai.
Si rrjedhim, sinqeriteti, dija dhe vazhdimësia në thirrje vijnë në fillim të kushteve të domosdoshme të saj (të ftesës). Kështu që është e nevojshme të kujdeseni për të pa ndërprerje dhe të mos mërziteni. Lënia e papërfunduar e thirrjes dhe shfaqja e plogështisë i bën të kota të gjitha përpjekjet e mëparshme.
Comments are closed.