IMAMI DHE ROLI I TIJ NË SHOQËRINË OSMANE

HËNA E RE - Tema nga numri i Shkurtit 2022

IMAMI DHE ROLI I TIJ NË SHOQËRINË OSMANE

Shkruan: Dr. Mevlud Aliu

Islami i ka kushtuar kujdes të veçantë funksionimit të Imamit dhe atë e ka vënë në pozitën e përgjegjësive të mëdha, duke ia lënë amanet dhe duke e obliguar me këtë mision mjaft të rëndësishëm shoqëror çdonjërin që vihet në shërbim të tij. Kryerja e kësaj detyre madhështore është rruga e trashëguar e pejgamberëve dhe e atyre që e pasuan rrugën e tyre të drejtë: “Thuaj: Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras tek Allahu; unë dhe ai që vjen pas meje.”
Pra, të qenët Imam (prijës në namaz) është një nga funksionet e para fetare që ka njohur Shteti Islam. Më i çmueshmi dhe më i dobishmi për shoqërinë islame, Pejgamberi – paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të – e praktikoi vetë dhe për këtë detyrë zgjodhi pas tij shokët më të mirë Ebu Bekrin dhe Omerin, duke thënë: “Faluni (lidhuni) pas atyre që do të më pasojnë mua, pas Ebu Bekrit dhe Omerit.”
Nuk ka dyshim se kjo përgjegjësi bie mbi supet e çdonjërit që del Imam në xhami për t’u prirë besimtarëve në namaz, andaj ai duhet ta kryejë këtë detyrë në mënyrën më të përsosur, ashtu siç kërkon Islami, sepse atij i është besuar ky amanet i madh dhe për këtë punë madhështore ai duhet të ketë parasysh obligimet dhe përgjegjësitë që dalin nga kjo detyrë.
  • Definicioni i Imamit
Në apektin gjuhësor Imam është njeriu që përcillet, që ndiqet (të cilit i shkohet pas), ose ai që ndiqet prej njerëzve – qoftë President apo ndonjë tjetër; në këtë kuptim është edhe Imami që iu prin njerëzve në namaz. Kjo fjalë përmendet në Kuran, ku Allahu (xh. sh.) thotë: “Përkujto (o i dërguar) kur Zoti i vet Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato, e Ai i tha: “Unë po të bëj ty prijës (Imam) të njerëzimit!” Ai tha: “(bën, o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi!” (Zoti) Tha: “Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët.”
Në kuptimin terminologjik imamllëk është: “Lidhshmëria e namazit të xhematliut me namazin e Imamit, sipas kushteve të sqaruara nga sheriati, andaj Imami mund të bëhet Imam vetëm nëse ndjekësi e ka lidhur namazin e vet me namazin e Imamit; kjo lidhje është edhe esenca e imamallëkut, si dhe qëllimi i ndjekjes së tij nga ana e namazlinjve.
  • Rëndësia e Imamit në Islam
Sa i përket rolit të Imamit në shoqëri, nuk ka dyshim se ai është një rol i rëndësishëm, pasi që ai udhëheq me besimtarët në namaz, obligim ky që është shtylla themelore e Islamit pas shehadetit. Imami, pra, është prijës dhe xhematlinjtë janë pasuesit e tij.
Imami e drejton dhe e këshillon xhematin e tij me mësimet dhe këshillat që jep i dërguari i Zotit (a. s.) dhe hulefai rashidinët. Xhamia shërbente dhe vazhdon të shërbejë si vendtubim, kongres, ku mblidhen myslimanët për t’u konsultuar për çështjet e fesë së tyre dhe për jetën e kësaj bote, dhe kështu ua mësonin njerëzve besimin (monoteizmin), fikhun dhe virtytet morale, si dhe urdhëronin për të mirë dhe ndalonin nga e keqja.
Imamllëku është njëri nga funksionet e Davetit (thirrjes) në rrugë të Zotit. Libri i parë i thirrjes islame është Kurani, kështu që Imami është ai i cili e bën xhematin që ta dëgjojnë atë gjatë leximit të tij namaz.
Imami i xhamisë është thirrës në rrugë të Zotit me dijen e tij, ai është shëmbëlltyrë për xhematin, me urtësinë dhe dijen e tij. Xhemati udhëhiqet dhe udhëzohet me dijen e tij, sepse ai është më i thirrur dhe më mirë se ata lexon Kuranin dhe më mirë se ata e kupton sunnetin e Pejgamberit (a. s.).
  • Roli dhe ingjerencat e Imamit në periudhën osmane
Imamllëku në periudhën osmane ishte një nga funksionet që kërkonte përgjegjësi të madhe; ai nuk ishte i kufizuar mes mihrabit dhe minberit, siç vërehet kjo sot në ditët tona. Prandaj, nga ata që ngjiteshin në këtë post kërkohej që të kishin një nivel më të lartë të dijes dhe të kulturës, ngase ata emëroheshin si Imamë me “berat” sulltanor (berat: dokument apo autorizim sulltanor për emërimin e zyrtarëve në poste të rëndësishme që jepet me firmën e vetë Sulltanit).
Madje, vetë Sulltani kishte dy Imamë, të cilët e falnin namazin me ndërrime – qoftë brenda pallatit apo në xhamitë sulltanore, ku sulltani e zgjidhte Imamin për të falë namazin e xhumasë.
Imamët ishin përgjegjës për të gjitha çështjet fetare dhe shoqërore në lagjen e tyre deri në vitin 1245, kur u krijua sistemi i parë i muhtarit. Ata organizonin punët e lagjes dhe siguronin bashkëpunimin dhe koordinimin mes njerëzve të lagjes, duke qenë se Imamët gëzonin cilësinë e përfaqësuesit të Kadiut (gjykatësit) në lagjet e tyre.
Një nga detyrat më të mëdha fetare që kryente Imami ishte mësimi dhe predikimi, punë kjo me të cilën i ngarkoi Islami njerëzit e dijes. Ata duhet t’u mësojnë njerëzve atë që u nevojitet atyre nga çështjet e fesë së tyre, në atë masë në të cilën i urdhëron Islami dhe për të cilën kanë nevojë njerëzit.
Në periudhën osmane Imami e kryente mirë këtë detyrë, qoftë brenda apo jashtë xhamisë, sepse Imami njihte shumicën e banorëve të lagjes që faleshin pas tij. Ai pas përfundimit të namazit ulej në xhaminë e tij, për t’i pritur të interesuarit që të pyesin për çështjet fetare. Përveç kësaj, Imami shkonte në kafene, në parqe dhe bujtina të qytetit për të kontrolluar gjendjen e njerëzve, dhe zhvillonte ligjërata fetare dhe u jepte atyre udhëzime.
Një nga detyrat më të mëdha të Imamit gjatë periudhës osmane ishte luftimi i dukurive negative, si: inspektimi i atyre që nuk falin namaz, duke i këshilluar, dhe duke ua tërhequr vërejtjen në mënyrën më të mirë të mundshme; e nëse ata nuk udhëzoheshin, atëherë Imami lëshonte urdhër për t’i larguar nga lagjja e tyre.
Imami, pra, ishte përgjegjës në lagjen e tij dhe monitoronte çdo incident në cilësinë e gjykatësit në lagjen e tij, siç theksuam më parë, dhe askush nuk ia kontestonte kompetencat.
Në periudhën osmane çdo lagje kishte një organ sigurie për të luftuar dukuritë negative si: prostitucionin dhe pirjen e alkoolit. Ky organ ishte në kompetenca të Imamit të lagjes; vetë ai kujdesej për sigurimin e të gjitha provave të nevojshme; e nëse vërtetohej se ka vende ku mblidhen njerëzit për të pirë alkool dhe për prostitucion, atëherë ai lëshonte urdhër për mbylljen e tyre, si dhe burgosjen e grave që merreshin me këtë punë të ligë.
Ndër detyrat e Imamit gjatë periudhës osmane ishte edhe ruajtja e sigurisë në lagjen e tij dhe monitorimi i saj.
Për arritjen e këtij qëllimi fisnik, të huajt që vinin në lagje detyroheshin të kërkojnë leje për hyrje në të. Një i huaj nuk mund të hynte në lagje derisa të merrte leje qëndrimi nga Imami i lagjes.
Për të qenë siguria e të panjohurit më e madhe, i huaji nuk kishte të drejtë të kërkonte strehim në lagje, vetëm pasi të kishte siguruar një garantues vendas gjatë qëndrimit të tij në atë lagje, dhe nëse ndodhte që një i huaj të hynte fshehurazi në atë lagje, Imami menjëherë lëshonte urdhër për gjetjen e tij.
Ndër kompetencat e Imamit në periudhën osmane ishte edhe e drejta e tij për të dhënë certifikata transferimi për patundshmëritë dhe pronat e tjera.
Imami po ashtu e kishte për detyrë që “të bënte regjistrimin e pasurive të patundshme në përputhje me ligjin në regjistrin përkatës, duke shënuar të dhënat dhe të drejtat pronësore të palëve”.
Kompetenca të gjera për Imamin
Nëse paraqitej nevoja për të mbledhur donacione nga xhemati për ndihma humanitare, ose punë të tjera bamirësie, si: restaurimi i xhamisë ose restaurimi i pjesshëm i xhamisë, Imami në këtë rast ligjëronte në lidhje me temën apo projektin; e nëse këto donacione ishin për qëllime ushtarake, atëherë Imami e nxiste xhematin që ata të bëjnë xhihad me pasurinë e tyre.
Vlen të theksohet me këtë rast se Imamët e lagjeve dhe fshatrave ishin të liruar nga shërbimi ushtarak, për shkak të kryerjes së detyrës së tyre të Imamit. Ata ishin të përkushtuar në këtë detyrë me tërë qenien e tyre, kështu që Imami në paqe ishte predikues, mirëpo në kohë vështirësish dhe lufte, roli i Imamit zgjerohej përmes ligjëratave të tij duke inkurajuar njerëzit për luftë dhe xhihad me para (pasuri) dhe jetë.
Dhe, jo vetëm kaq. Kompetencat e Imamit, madje, shtriheshin edhe në të gjitha aspektet sociale dhe ekonomike: Imamët ishin ndër nënshkruesit dhe mbajtësit e vulave të hetimeve dhe dokumenteve të përgatitura zyrtare po ashtu.
Procedurat e vdekjes dhe të varrimit, regjistrimi i lindjes, kontrata e martesës dhe divorci, kryheshin nga Imamët; disa nga detyrat e bashkisë, kujdesi për pastërtinë e lagjes dhe sigurimi i ambientit të pastër ishin ndër detyrat e tij.
Bashkë me kryeplakun dhe fisnikët e lagjes iu kaluan edhe punët si: kontrolli i bukës në furra buke, parandalimi i aktiviteteve përfituese e mashtruese, si dhe grumbullimi i dhurimeve dhe lëkurëve të kurbanit” etj.
Ky ishte roli i Imamit derisa u aplikua sistemi i Zyrave të vendit, i njohur si sistemi i Muhtarit (kryeplakut) në Devletin Osman në vitin (1245 hixhri / 1829), kur filloi ndikimi i Imamit të zvogëlohej, pasi Imamit iu hoq roli i mëparshëm dhe roli i tij mbeti vetëm në jetën fetare, për t’i prijë xhematit në faljen e namazit në xhami, në ligjërata dhe edukim fetar, derisa në periudhën pas shpalljes së Turqisë republikë më 1923, Imami u kufizua brenda mureve të xhamisë, vetëm për faljen e namazit, pa pasur fare kompetenca.

(Autori është Profesor në ShMI “Medreseja Isa Beu” – Shkup)

Comments are closed.