REISUL ULEMA U PRIT NGA MINISTRI I HAXHIT DHE UMRES SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, SHKËLQESIA E TIJ DR. TEUFIK BIN FEUZAN AL-RABIAH
Në kuadër të qëndrimit në Xheda të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u prit në një takim të veçantë nga Shkëlqesia e Tij, Ministri i Haxhit dhe Umres, Dr. Teufik bin Feuzan Al-Rabiah.
Gjatë këtij takimi u zhvillua një bisedë e përzemërt dhe konstruktive, në të cilën u vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe institucioneve përkatëse të Mbretërisë së Arabisë Saudite, veçanërisht në fushën e organizimit dhe realizimit të Haxhit dhe Umres.
Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, shprehu mirënjohjen e tij për përkushtimin e Ministrisë së Haxhit dhe Umres ndaj organizimit sa më dinjitoz të pelegrinazhit, si dhe për kujdesin dhe shërbimet që ofrohen për mysafirët e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka për besimtarët tanë mundësia për ta kryer këtë obligim madhor fetar në kushte sa më të mira.
Nga ana e tij, ministri Dr. Teufik bin Feuzan Al-Rabiah vlerësoi bashkëpunimin me Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve institucionale, në funksion të përmirësimit të shërbimeve për haxhinjtë dhe besimtarët që vizitojnë vendet e shenjta.
Ky takim përbën një dëshmi të marrëdhënieve të mira institucionale dhe të përkushtimit të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit, në shërbim të haxhinjve dhe të gjithë besimtarëve myslimanë.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





