U NËNSHKRUA MARRËVESHJA PËR HAXHIN 2027 NDËRMJET MINISTRISË SË HAXHIT TË ARABISË SAUDITE DHE BASHKËSISË FETARE ISLAME TË RMV-së
U NËNSHKRUA MARRËVESHJA PËR HAXHIN 2027 NDËRMJET MINISTRISË SË HAXHIT TË ARABISË SAUDITE DHE BASHKËSISË FETARE ISLAME TË RMV-së
Më 10.11.2026 në kuadër të qëndrimit zyrtar në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe pjesëmarrjes në Konferencën Botërore për Haxhin dhe Umren në Xheda, u nënshkrua Marrëveshja për organizimin dhe realizimin e Haxhit për vitin 2027, ndërmjet Ministrisë së Haxhit dhe Umres të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja u nënshkrua nga Shkëlqesia e Tij, zëvendësministri i Haxhit, z. Abdulfetah bin Sulejman Meshat, dhe Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në vazhdimësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame dhe institucioneve përgjegjëse të Mbretërisë së Arabisë Saudite, duke krijuar bazën për përgatitjen me kohë dhe organizimin sa më cilësor të procesit të Haxhit për besimtarët myslimanë të vendit tonë.
Me këtë rast, u ritheksua rëndësia e koordinimit të ndërsjellë, respektimit të standardeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve, me qëllim që besimtarëve tanë t’u mundësohen kushte sa më të mira, siguri dhe lehtësi gjatë përmbushjes së njërës prej shtyllave themelore të Islamit.
Bashkësia Fetare Islame mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet kompetente saudite, të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për realizimin e suksesshëm të Haxhit 2027, duke e konsideruar shërbimin ndaj haxhinjve një përgjegjësi të lartë fetare, institucionale dhe njerëzore.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





