MUAJT E SHENJTË, MESAZH PAQEJE PËR NJERËZIMIN

HËNA E RE - Temë nga numri i Shkurtit 2022

MUAJT E SHENJTË, MESAZH PAQEJE PËR NJERËZIMIN
Shkruan: Prof. dr. Abdylxhemil Nesimi

“O Zoti ynë! Na beko në muajt Rexheb e Sha’ban dhe na mundëso ta arrijmë muajin Ramazan.” (Hadith)
Nga mirësitë e Zotit të Madhërishëm ndaj robërve të Tij, është se për ta zgjedh stinë të të mirave dhe bekimeve, në të cilat i shumëfishon veprat e mira dhe i shlyen të këqijat, siç thotë i Lartësuari: “dhe përkujtoju atyre të mirat e Allahut (që u dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.” (Ibrahim: 5)
Pejgamberi ynë, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, thotë: “Vërtet, Zoti juaj sjell momente gëzimi gjatë jetës suaj. Kështu që, ekspozohuni ndaj tyre; ndoshta ndonjëri prej jush do të merrte ndonjë mirësi prej saj, pas së cilës ai kurrë nuk do të brengoset.”
Sipas kalendarit islam, që si pikënisje ka hixhretin e profetit Muhamed (a. s.), muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan janë muaj shumë të dobishëm dhe të bekuar, madje, në shoqërinë islame këta muaj njihen edhe si Tre Muajt.
Vlera e muajve të shenjtë
Nga këto stinë besimi janë muajt e shenjtë, të cilët Zoti i Plotfuqishëm i përmendi në përgjithësi në thënien e Tij: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)!” (Et-Tevbe: 36)
Ndërkaq, Pejgamberi (a. s.) duke i komentuar muajt e shenjtë të përmendur në Kuran, thotë: “Sigurisht që koha rrjedh ashtu si e ka krijuar Allahu i Lartësuar që nga dita e parë. Viti ka dymbëdhjetë muaj. Katër prej tyre janë të shenjtë, tre prej të cilëve vijnë njëri pas tjetrit. Ata janë: Dhu’l-Ka’deh, Dhu’l-Hixhxheh, Muharrem dhe muaji Rexheb, që vjen ndërmjet muajve Xhumadije’l-Ahir dhe Sha’ban, e që është muaji i fisit Mudar.” (Buhariu, Tefsir, suret 8, 9)
Nisur nga kjo, komentuesi i Kuranit, Abdullah bin Abas (r. a.) në interpretimin e thënies së Plotfuqishmit: “Fe la tedhlimu fihin-ne enfusekum – mos bëni padrejtësi ndaj vetes tuaj në ata (katër muaj)” , thotë: “Padrejtësia në të gjithë muajt është e ndaluar, mirëpo i veçoi katër muajt dhe i bëri të ndaluar dhe madhështoi shenjtërimin e tyre. Madje, mëkatin në to e bëri më të madh, kurse veprën e mirë e shpërbleu me shpërblim më të madh.”
Nga e tërë kjo mund të konstatojmë se padrejtësia që është përmendur në ajet, ka dy shpjegime: një, mos i bëni padrejtësi vetvetes duke i konsideruar këta muaj si muaj ku s’ka ndalesa, dhe së dyti, duke mëkatuar gjatë këtyre muajve.
Duhet të kemi në konsideratë se Allahu i Lartësuar kur e madhëron një gjë, duhet kuptuar se ajo ka rëndësi të veçantë, e nëse e madhëron në disa forma – pa dyshim se kjo gjë peshon edhe më shumë. Përkundrazi, dënimi i veprave të këqija shumëfishohet në këta muaj, ashtu sikurse shumëfishohet shpërblimi i veprave të mira. Ai që e respekton Allahun në muajin e shenjtë, në vend të shenjtë, në shtëpinë e shenjtë, nuk është i barabartë me atë që e adhuron në muaj tjetër, apo në vend tjetër.
I dërguari i Zotit në këta muaj të bekuar bënte ibadet më shumë se çdo muaj tjetër dhe ia bashkëngjiste këtë lutje: “O Zoti ynë! Na beko në muajin Rexheb e Sha’ban dhe na mundëso ta arrijmë muajin Ramazan!”
Objektivi kryesor i Islamit
Nga provat bindëse që tregojnë madhështinë e Islamit, është se në çdo kohë dhe në çdo vend, madje, brenda periudhës dymbëdhjetë muajshe, qofshin ata hënor apo diellor, e ndaloi padrejtësinë.
I Madhërueshmi fillimisht padrejtësinë ia ndaloi vetes së Tij, me qëllim që njeriu t’i shmanget asaj, që mos të bëjë në këtë interval kohor mëkate dhe vepra të këqija. Megjithëse, mëkati është e keqe dhe e ligë në çdo kohë për vepruesin e saj, meqë është në kundërshtim me Madhërinë e Zotit. Mirëpo, në muajt e shenjtë fatkeqësia është më e madhe, sepse e kombinon veprimin kundër Zotit të Plotfuqishëm dhe mosrespektimin e asaj që i Madhëruari e lartësoi.
Katër muajt e shenjtë që i përmend Kurani, edhe në kohën paraislame janë respektuar si të shenjtë dhe në ta ka qenë ndaluar lufta, bastisja e plaçkitja dhe secili e ka ndjerë veten në rreth të sigurt. Me ardhjen e Islamit, nderi e respekti ndaj tyre vazhdoi akoma. Vallë, a nuk është e denjë për ata që i përkasin Islamit që të angazhohen dhe t’i madhërojnë këta muaj, kur dimë se moto e Islamit është paqja?! Nëse njerëzit në kohën pagane ulnin armët për hir të muajve të shenjtë, atëherë, çka me njerëzit e kohës moderne ?! Nuk i japin rol arsyes që të ulin tensionet, urrejtjen, luftërat vëllavrasëse; më së paku këtë ta bëjnë për hir të muajve, vendeve dhe ditëve të shenjta. Madje, jemi dëshmitarë ku nëpër ekrane, rrjete sociale shpërndahen propaganda luftënxitëse, urrejtje, racizëm, islamofobi, duke u përpjekur ta prezantojnë Islamin si vrasës, gjakatar, fe e terrorizmit etj. Megjithatë, muajt e shenjtë i demantojnë akuzat që padrejtësisht i vishen Islamit. Në fakt, atë që Islami e ka miratuar si mjet për sigurimin e paqes dhe të stabilitetit, e kanë paraqitur si element apo mjet të prishjes së paqes në botë.
Islami nuk ka ardhur për të shuar jetë, por për të mbrojtur jetën. Miratimin e luftës e ka bërë mjet për të ruajtur stabilitetin politik, ekonomik dhe shoqëror, për të ndihmuar të shtypurit, për të përçuar mesazhin e Allahut te njerëzit.
Muajt e shenjtë kanë shenjtëri dhe status të veçantë te Zoti i Lartësuar. U quajtën të shenjtë (el-hurum), për shkak të madhështisë së shenjtërisë së tyre. Për këtë arsye, Sheriati e ndalon luftën në to, dhe shkelja e shenjtërisë është ndalesa më e rëndë, siç thotë Madhështia e Tij: “Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: ‘Luftimi në atë kohë është gjynah i madh.’” (El Bekare: 217)
Muajt e shenjtë bartin mesazh paqeje për mbarë njerëzimin, se Islami është fe e paqes. Një nga emrat e bukur të Zotit të Madhëruar është “Selam”: “HuvAlluhuledhi la i lahe il-la huve, el-Melik, el-Kud-dus, es-Selam” –“Ai është Allahu, pos të Cilit nuk ka zot tjetër; Sunduesi, i Shenjti, i Pastri (prej të metave që i vishen); Siguruesi.” (El-Hashër: 23)
Një nga lutjet e Pejgamberit tonë fisnik pas çdo namazi ishte: “O Zot, ti je paqja dhe prej teje është paqja; je i bekuar, o zotërues i Madhërisë dhe i Nderit.”
Islami nuk është i etur për të luftuar apo për të derdhur gjak; përkundrazi, ai heq dorë prej tij për sa kohë që gjen një mënyrë për ta bërë këtë, dhe anon drejt paqes dhe e thekson atë: “Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo, e mbështetu tek Allahu. Ai është që dëgjon dhe di.” (El Enfal: 61)
Islami nuk ka ardhur për të shtypur njerëzit, por për t’i ndihmuar të shtypurit. Në këtë kontekst i dërguari i Allahut ka thënë: “Si do ta shenjtërojë (pastrojë) Allahu një popull, në të cilin nuk ndihmohet i dobëti (i shtypuri) ndaj të fortit (të padrejtit)?!”
Është e vërtetë se në muajt e shenjtë promovohet një lloj lufte e cila është përherë në fokus të Islamit – ajo është lufta kundër vetes (nefsit), smirës, xhelozisë, dhunës, urrejtjes, hakmarrjes; lufta kundër së keqes; eshtë lufta kundër nënshtrimit ndaj nefsit, ku pushtetin e nefsit ndaj njeriut Allahu Fuqiplotë e quan dhunë.“Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!”
Pra, të bësh mëkate është padrejtësi ndaj vetes, është poshtërim i vetvetes, është sikur ta hedhësh veten në greminë me duart tua. Andaj, nga këta muaj duhet të mësojmë se mëkatet janë neveritëse, nga të cilat duhet larguar.
Muaji Rexheb
Muaji Rexheb është muaji i shtatë sipas kalendarit hixhrij. Është një nga muajt e shenjtë (Muharrem, Dhul Hixhah, Dhul Qi’da dhe Rexheb). Pozita e tij është e madhe te Zoti i Lartësuar, pasi e bëri një nga katër muajt e shenjtë, të cilin Fuqiploti e veçoi me potencim në Librin e Tij. Ndryshe, muaj Rexheb cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaj i ujitjes, kurse muaji i Ramazanit si muaj i korrjes apo i mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr çka mbjell; merr barasvlerën e asaj që ka bërë.
Rexheb në gjuhën shqipe do të thotë i Madhëruar. Ndryshe quhet “mudir”, sepse fisi Mudir e respektonte dhe e nderonte shumë këtë muaj. Arabët nuk e ndryshonin dhe nuk e zëvendësonin këtë muaj me të tjerë, siç vepronin me muajt tjerë të shenjtë. Gjatë këtij muaji nuk dëgjohej tingulli i armëve, prandaj e quanin “el-esem – i shurdhët”.
Është detyrë e myslimanit që ta njohë vlerën e këtij muaji të shenjtë, sepse njohja dhe lavdërimi i tij janë nga feja e drejtë në të cilën nuk ka shtrembërim, as ka mashtrim e as devijim. Duhet të kemi kujdes nga mëkatet në të, sepse mëkati në të nuk është njëjtë si mëkati në muajt tjerë. Përkundrazi, mëkati në të është shumë më i madh, meqë vlera e tij është shumë e madhe; siç ka thënë i Plotfuqishmi: “Të pyesin ty për muajin e ndaluar, për luftën në të. Thuaj: luftimi në të është gjynah i madh.” (El-Bekare: 217)
Rëndësia e muajit Rexheb: Në këtë muaj ndodhi mrekullia më e madhe pas zbritjes së Kuranit Famëlartë – Israja dhe Mi’raxhi. Po ashtu, Zoti i Plotfuqishëm urdhëroi ndërrimin e Kibles së myslimanëve nga Jerusalemi, drejt Qabesë në mes të muajit Rajab në vitin e dytë të migrimit, siç raportohet nga Ibn Abasi (r. a).
Muaji Sha’ban
Pas muajit Rexheb vjen muaji Shaban. Aisheja (r. a.) thotë: “Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut të mbajë më shumë agjërim se sa në muajin Shaban.” (Muslim, Sijam, 175)
Transmetohet nga Enes b. Malik se Pejgamberi (a. s.) pyetet: “O i dërguar i Allahut! Në cilin muaj është agjërimi më i mirë përveç Ramazanit? Pejgamberi përgjigjet: “Për nder dhe respekt të Ramazanit, është agjërimi i mbajtur në muajin Shaban.” (Tirmidhi, Zekat, 28)
Pejgamberi dhe sahabët punonin shumë për të kapur mirësitë e këtyre tre muajve. E shtonin shumë më tepër përkujtimin (dhikrin), lartësimin (tesbihun), falënderimin (hamdin & shukrin) ndaj Allahut Fuqiplotë, kërkonin falje, ndihmonin të varfrit, gëzonin jetimët, të vetmuarit dhe të moshuarit. Gjatë muajve Rexheb dhe Shaban i kushtonin vëmendje agjërimit të ditëve të hëna dhe të enjte.
Është e preferuar që myslimani në këta muaj të shtojë më tepër namaze suplementare (nafile), agjërim i të hënës dhe të enjtes, dhënia e lëmoshës dhe vepra të tjera të mira. E sa për farzet, as që duhet të bisedohet.
Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që tregon armiqësi ndaj mikut Tim, unë do t’i shpalli luftë. Me asgjë robi im nuk mund më mire të më afrohet, pos me atë me çfarë Unë e kam obliguar (farzet) dhe vazhdimisht robi im më afrohet me vepra vullnetare (nafile), derisa Unë ta dua; e kur ta dua, Unë bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon; syri i tij me të cilin sheh; dora e tij me të cilën sulmon fuqishëm; këmba e tij me të cilën ecën. E nëse më kërkon diçka, do t’ia jap; e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”
Agjërimi në muajt e shenjtë
Njerëzit në të kaluarën e kishin traditë agjërimin e muajit të Rexhebit për shkak të vlerës së madhe të tij dhe se ky muaj ka gjashtëmbëdhjetë emra, duke përfshirë: Rexheb, el-As’hab, el-Hurum, el-Muali, el-Mukim, Shehrul Atirah etj. Veçohet me emrin Rexheb, sepse madhërohej në kohën e injorancës. Pra, e konsideronin si muajin e tyre më të mirë dhe më të famshëm.
Për sa i përket agjërimit të tij pas ardhjes së Islamit, nuk ka asnjë hadith të saktë që flet se është i pëlqyeshëm agjërimi në këta muaj.
Disa as’hab kanë folur dhe kanë konsideruar të pëlqyeshme agjërimin e muajve të shenjtë. Prej tyre është Ibn Omeri (r. a.), mirëpo ky nuk e sheh të pëlqyeshme përveç për atë që agjëron gjatë tërë vitit – d.t.th. një ditë po, një ditë jo.
Ibn Tejmijje thotë: “Veçimi i muajit Rexheb dhe Sha’ban me agjërim ose i’tikaf, nuk kemi asnjë argument nga Pejgamberi (s.a.v.s) për këtë vepër, as nga sahabët e as nga prijatarët e myslimanëve. Për sa i përket agjërimit të muajit Rexheb, të gjitha hadithet që flasin për këtë temë janë të dobët ose të trilluar.”
Ibn Sibki ka transmetuar në Nil el-Avtar të Shavkanit (4/331), nga Muhamed bin Mansur el-Sam’ani, se ka thënë: “Nuk është potencuar hadith i saktë në preferimin e agjërimit të Rexhebit në mënyrë të veçantë, madje hadithet e transmetuara në lidhje me të janë të dobët.”
Hafiz ibn Haxheri el Askalani, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Nuk është transmetuar asnjë hadith që flet për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij, apo agjërimin e ndonjë dite të veçantë, apo në faljen e ndonjë nate të veçantë që mund të merret si argument.”
Është i vërtetë fakti se Omeri (r. a.) u mëshonte duarve atyre që agjëronin në muajin Rexheb dhe thoshte: “Hani, sepse është muaj të cilin e madhëronin injorantët.”
Sidoqoftë, gjatë këtyre muajve nuk parashihet ndonjë ibadet i veçantë, nga fakti se i dërguari i Zotit nuk na rekomandon diç të tillë; as shokët e tij të nderuar nuk bënë një gjë të tillë.
Kjo, për shkak se u transmetuan shumë hadithe të dobëta, për të treguar dëshirën e rigjallërimit të disa netëve në këtë muaj, ose preferencën për vazhdimin e agjërimit, pagimin e zeqatit gjatë këtij muaji. Këto hadithe nuk janë të përshtatshme për t’u mbështetur për të provuar ligjshmërinë e adhurimit të këtij muaji me adhurime të tilla, sepse ibadetet në Islam nuk justifikohen përpos me dëshmi të qarta nga Libri i Shenjtë, ose nga Sunneti i saktë i Pejgamberit.
Është e arsyeshme që të agjërojmë ditë nga këta muaj si përgatitje për muajin e shenjtë të Ramazanit. Mirëpo, adhurimet si: namazi, agjërimi, namazet vullnetare (nafile), leximi i Kuranit e kështu me radhë, duhet bërë në çdo kohë dhe në çdo vend, pa përjashtuar dhe pa u përkufizuar në muaj të caktuar, siç është muaj Rexheb apo Sha’ban.
Sa bukur është për ne që të përfitojmë nga muajt e shenjtë në bindje ndaj Zotit të Plotfuqishëm, duke ndërtuar tokën, duke përsosur punën, shtimin e veprave të mira, duke siguruar ushqim për skamnorët dhe duke përhapur shpirtin e solidaritetit dhe të mëshirës. Siç thotë Pejgamberi ynë: “Njerëz më të dashur tek Allahu janë më të dobishmit për njerëzit; vepra më e dashur tek Allahu i Plotfuqishëm është gëzimi që i sjell myslimanit, duke e lehtësuar nga shqetësimi, duke i shlyer borxhin, ose duke ia larguar urinë. Të eci me një vëlla në nevojë, është më e dashur për mua sesa të bëj I’tikaf në këtë xhami, domethënë xhamia e Medinës, për një muaj. E kush e ndrydh zemërimin, të cilin po të donte do ta realizonte, Zoti ia mbush zemrën në Ditën e Kiametit me kënaqësi. Kush ecën me vëllanë e tij në nevojë derisa t’ia plotësojë atë, Allahu do t’ia forcojë këmbët atij ditën kur do të rrëshqasin këmbët.”
Nuk ka dyshim se këta muaj janë shans i mirë për t’i qetësuar shpirtrat tanë të trazuar me punët e rënda të dynjasë, për t’u strehuar në mëshirën dhe faljen e Allahut Fuqiplotë.
(Autori është Profesor në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup)

Comments are closed.