Hëna e Re – Tema nga numri i Nëntorit 2023

Kumtesa

 

Meddah, amanet i myderrizit Ataullah ef. Kurtishi

 

 

Nga Shaqir ef. Fetahu

 

Më 7 nëntor, 2023, si Reis’ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, bashkë me Myftiun e Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, mora pjesë në “Simpoziumin ndërkombëtar të 100-vjetorit të Medresesë Meddah”,  organizuar nga Fondacioni për Studime Ballkanike, ku si përkrahës i këtij simpoziumi shkencor është edhe Myftinia e Shkupit.

 

Në prezencë të ministrave, rektorëve, myftinjve, drejtorëve, hulumtuesve dhe shumë mysafirëve nga brenda dhe jashtë vendit, uruam kryetarin e FSB dr. Sevba Abdulla dhe shprehëm gatishmërinë për mbështetje të iniciativave të këtilla me karakter hulumtues për vendin tonë.

 

Në hapjen solemne pata edhe Fjalën time mbi vlerën dhe rëndësinë e Medresesë Meddah dhe rolin e Myderrizit të mirënjohur dhe shtyllën kryesore të saj, rahmetli Ataullah ef. Kurtishin.

 

 

I nderuar Kryetar i Fondacionit për Studime Ballkanike, z. Abdulla Sevba

I nderuar Myfti i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

 

Kam nder të veçantë që në këtë tubim shkencor t’ju përshëndes me përshëndetjen islame Es Selamu alejkum ve rahmetullahe ve berekatuhu.

 

Së pari,  më lejoni të falënderoj organizatorët për organizmin e këtij simpoziumi shumë të rëndësishëm dhe domethënës, për një qasje historike-shkencore një vatre të shkencës dhe të moralit – Medresesë Meddah dhe personalitetit të shquar të saj në trevat tona,  Myderrizit të kësaj Medreseje, Ataullah ef. Kurtishi dhe bashkëpunëtorëve të tij.

 

Andaj, ky simpozium është një ngjarje e madhe për të gjithë, sepse përkujtojmë institucionin e mirënjohur dhe shumë të rëndësishëm në trevat tona me seli në Shkup.

 

Medreseja Meddah ka qenë vatër e arsimit dhe edukimit fetar, bashkë me shumë medrese të tjera të kohës së Perandorisë Osmane, e cila pas luftërave ballkanike dhe me largimin e Perandorisë Osmane mbyllet nga qarqet sunduese sllave.

 

Por, në vitin 1923 arrin që të rihapet dhe në krye të saj vjen Myderrizi i mirënjohur Ataullah ef. Kurtishi me bashkëpunëtorët e tij,  të cilët kishin mbi supet e tyre një amanet të rëndë, sepse përpjekjet e tyre përveç mësimeve në shkenca të ndryshme, ata synonin me sa vijon:

 

1.Ripërtëritja i lidhshmërisë fetare e kulturore me kohën e Perandorisë Osmane,  ku populli ynë ka qenë pjesë konstituive e saj;

 

2.Përmbushja e zbrazëtirës së madhe të shkollimit fetar dhe nxjerrjes së kuadrove fetare për të shpjeguar Islamin në këto treva;

 

  1. Ndërprerja e ndikimit sllavo-serb në asimilimin e popullatës myslimane, si dhe degjenerimin e saj, në veçanti me hapjen e Medresesë së Mbretit Aleksandër, e cila kishte për qëllim që të krijojë kuadro që do të jenë në shërbim të strategjisë robëruese dhe shkatërruese;

 

  1. Ngritja e vetëdijes, e dashurisë ndaj vatanit, si dhe pengimi i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, që ishte synimi institucional i Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, me qëllim të prishjes së raporteve demografike të popullatës shqiptare e myslimane në Shkup;

 

  1. Ngritja e Shkupit si qendër e shkollimit dhe të shqiptarëve, respektivisht të myslimanë, si bazë e dijes, tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës.

 

Vetë fakti se është udhëhequr nga Myderrizi i mirënjohur Ataullah ef. Kurtishi,  i tregon qëllimet e larta të Medresesë Meddah.  Ataullah ef. Kurtishi  ka qenë bashkëkohanik dhe bashkëpunëtor i mulla Idriz Gjilanit, mulla Sherif Langut, h. Bedri ef. Hamidit. Kjo e tregon karakterin dhe personalitetin e fuqishëm të tij fetar, patriotik, kombëtar, vizionar, e tregon karakterin e tij si atdhedashës i madh.  Nuk ka qenë e rastit që ka qenë i përndjekur, i persekutuar dhe i internuar.

 

Prej pas Luftë së Dytë Botërore u ndie një zbrazëtirë e madhe për kuadro të mirëfillta, deri sa në vitin 1984 rihapet Medreseja e mirënjohur nga periudha osmane Medreseja Isa Beu, prej së cilës tashmë kanë dalë mbi 4.000 kuadro,  që mbulojnë gjithë territorin e RMV dhe mërgatën në Evropë e më gjerë.

 

Medreseja Meddah ka ndjekur konceptin e mishërimit të besimit me dijen, të teorisë dhe praktikës, të moralit dhe shkencës, që është e vetmja rrugë e zhvillimit njerëzor.

 

Ky koncept është i domosdoshëm sot në kohën bashkëkohore,  sepse tashmë po vërtetohet që bota sot po lëviz me një dinamizëm të paparë në sferën materiale e teknologjike, por harron se kjo rrugë ka ngufatur moralen, shpirtëroren dhe njerëzoren – segmente këto që janë të domosdoshme në jetën e individit, të familjes, shoqërisë dhe njerëzimit. Zbehja e këtij segmenti bën zhveshjen e materiales nga ajo humania te njeriu bashkëkohor, e bën rob të epshit, të emocionit, satanikes dhe e verbon atë, duke mos e parë vlerën dhe njerëzoren në jetë. E gjithë kjo e sjell shkatërrimin e njeriut, mbytjen, vrasjen, shfrenimin ndaj të paaftit; sjell varfëri, skamje, uri dhe rrezikim të jetës njerëzore.

 

Andaj, koncepti islam nuk njeh zhvillim pa mishërim të materiales me shpirtëroren, zhvillim ekonomik pa segmentin moral, zhvillim shkencor pa segmentin human etj. Çdo rrugëtim jashtë këtij koncepti të çon drejt dominimit të destruktives, të shëmtuarës. Civilizimet janë ngritur në konceptin e mishërimit të shpirtit, të moralit, me atë materialen, dhe me prishjen e këtij koncepti fillon rënia e tyre. Ky është ligj i Zotit, që ka të bëjë kryesisht me njeriun, me shoqëritë, me popujt dhe gjininë njerëzore. Jashtë këtij koncepti rrezikohet dinjiteti njerëzor, rrezikohet natyra me të cilën jemi të lidhur ngushtë, rrezikohet bota e gjallesave të tjera që janë pjesë përbërëse të procesit jetë. Këtë koncept e vërtetuan kolosët e mëdhenj të mendimit shkencor Gëte, Shpengler, Rasel dhe shumë gjigantë të tjerë të mendimit botëror.

 

Pyetja se pse gjithë këto probleme në kohën e një zhvillimi kaq të fuqishëm, ka këtë përgjigje:  thjesht, për shkak të disbalancës mes materiales dhe shpirtërores, interesit dhe morales.

Fatkeqësisht,  njeriu modern për gjithçka mendon; vetëm për njeriun aspak nuk mendon. Vlerat dhe dinjiteti njerëzor po vendosen në harresë.

 

Të gjitha medresetë, në veçanti Medreseja Meddah, kanë mësuar kryesoren e jetës:  se njeriu është vepra më madhore e Zotit dhe çdo atak kundër kësaj vepre të Zotit,  është atak në vullnetin dhe proceset e Tij në këtë krijimtari.

 

Edhe një herë më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV dhe në emrin tim këtij simpoziumi t’i uroj mbarëvajtje dhe suksese të larta.

 

Qofshi të bekuar.

 

Ves selamu-alejkum.

Comments are closed.