Arsimimi dhe vlera e mësimdhënësit në Islam

Hëna e Re - Tema nga numri i Majit 2023

Arsimimi dhe vlera e mësimdhënësit në Islam

 

Procesi edukativo-arsimor duhet të kuptohetsi një obligimi hyjnor dhe pejgamberik, i kryer me nder dhe me dinjitet, me veshje morali dhe të karakterit.

 

 

 

Shkruan: mr. Seid Fejzuli

 

 

Baza e zhvillimit të një shoqërie pa dyshim janë dituria dhe morali. Pejgamberi (a.s.) në thëniet e tij shpeshherë e potenconte vlerën e diturisë dhe të dijetarëve, kurse si kusht të suksesit të tyre e vinte moralin dhe karakterin.

 

[1]

 

Pejgamberi (a.s.) në veprimtarinë e tij si mësues dhe edukator është interesuar rreth të gjitha shtresave në shoqëri. Asnjëherë nuk ka bërë dallime mes të lirëve dhe robërve, mes meshkujve dhe femrave, mes të rriturve dhe të vegjëlve.

 

Pejgamberi (a.s.) suksesin e tij si mësues dhe edukator e arriti me ndihmën e Allahut (xh.sh.) përmes mjeteve mjaft efikase në këtë drejtim: fjalës dhe punës. Aktivitetin e tij edukues e shtriu në të gjitha fushat e jetës.

 

Padyshim, formimi i shëndoshë varej prej karakterit të individëve, që do thotë se për një shoqëri të tillë duheshin individë të shëndoshë.  Për atë edhe Pejgamberi (a.s.) u përqendrua mjaft në këtë aspekt. Esenca e formimit të karakterit të shëndoshë është përkujtimi i Allahut (xh.sh.) dhe dija se Ai është njohës i mirëfilltë i çdo gjëje, prandaj si rezultat i kësaj del animi i njeriut kah ajo që është e vlefshme dhe e dobishme, si dhe largimi i tij nga gjërat që janë të neveritshme.[2]

 

 

 

Islami urdhëron që të arsimohemi

 

Arsimimi është metodë edukimi dhe ngritjeje kulturore, që për bazë ka dituritë e marra nga shkrimet e ndryshme shkencore.[3]Islami nëpërmjet porosive hyjnore dhe pejgamberike urdhëron që të arsimohemi dhe kjo arrihet përmes leximit, studimit, edukimit, hulumtimit etj.

 

Allahu (xh.sh.) thotë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).  Lexo! Se Zoti yt është më bujari.  Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë.  Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[4]

 

Ndërsa Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush ndjek një rrugë për të kërkuar diturinë, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet, ndërsa engjëjt lëshojnë flatrat e tyre përtokë për kërkuesin e diturisë. Ata e bëjnë nga kënaqësia për shkak të veprimit të tij. Për dijetarin kërkojnë falje (luten) çfarë ka në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera e hënës ndaj planetëve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve. Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as ar, as argjend, por kanë lënë diturinë. Kush kapet pas saj, është kapur pas gjësë së duhur.”[5]

 

Të tillë janë: dijetarët, mësimdhënësit, edukatorët, hoxhallarët, të cilët në mënyrë të vazhdueshme diturinë ua përcollën gjeneratave të tjera. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ju dëgjoni (prej meje), ndërsa prej jush dëgjojnë (të tjerët) dhe të tjerët do të dëgjojnë prej atyre që kanë dëgjuar prej jush.”[6]

 

S’do mend se mundin dhe sakrificën e atyre që kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së popullatës dhe në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor Islami jo vetëm që e vlerëson, por edhe ka përcaktuar për to shpërblime në këtë botë, si dhe pas vdekjes së tyre.

 

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush thërret në rrugë të vërtetë, do të shprëblehet aq sa edhe të gjithë ata që e kanë ndjekur, e që në këtë nuk do t’i mungojnë asnjë pjesë e shpërblimit të tyre.”[7]

 

Pra, edhe pasi që të ndërrojnë jetë shpërblimet nuk pushojnë. Pejgamberi (a.s) ka thënë:“Kur vdes njeriu, sevapet i pushojnë, përveç në tri raste: të sadakasë së përhershme, të diturisë prej së cilës ka dobi njerëzia dhe (në rastin e) fëmijës së mirë që lutet për të.”[8]

 

Fatkeqësisht, sot ka raste kur mësimdhënësit paragjykohen, ofendohen, kërcënohen, përbuzen, kushtëzohen.  Krejt ky fenomen ndodh si rezultat i mentalitetit të brishtë, i mosdijes së vlerës së tyre, por edhe i ndikimeve të ndryshme nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm. Sikur tëkuptohej thënia e Aliut (r.a.),  do të ishte shumë më ndryshe. Ai ka thënë: “I bëhem rob tërë jetën atij që ma mëson një shkronjë.”

 

Prandaj, mësimdhënësit, apo thënë ndryshe gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, medoemos duhet të respektohen, të nderohen, të dekorohen, të lutemi për ta etj.

 

Rezultatet, falë kontributit dhe sakrificës së arsimdashësve

 

Sa u përket periudhave në të cilat kaloi shoqëria jonë, krahas torturave, vështirësive, kushteve jo të përshtatshme për zhvillim të procesit edukativo-arsimor, pengesave, mohimit të së drejtës për të mësuar në gjuhën amtare, prapëseprapë arsimimi nuk kishte të ndalur falë kontributit dhe sakrificës së arsimdashësve. Në këtë drejtim kontribut kishin edhe prijësit fetarë.

 

“Ata, edhe pse kishin jetuar në rrethana dhe me sfida të njëpasnjëshme, në mënyrë institucionale,  por edhe private ndikuan në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.

 

Në vitin 1942 drejtuesit e Lidhjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim, respektivisht Shaban ef. Osmani, Azem ef. Latifi, Hajdar ef. Jashari dhe hafëz Jashari, morën një nismë për hapjen e shkollave shqipe në rajonin e gjerë të Karadakut[9], që nënkuptohet se “deri para LDB procesi në këtë anë ishte zhvilluar në gjuhën serbe,  edhe atë vetëm në disa fshatra të caktuar, por jo në nivel të rajonit dhe vendit, ndërsa për fshatrat malore as që bëhej fjalë.”[10]

 

Kur jemi tegjeneratat e mëhershme, theksojmë senjë numër i vogël e kanë vijuar procesin edukativo-arsimor, ngase ashtu ka qenë e fiksuar në mentalitetin e tyre dhe se ai që shkon në shkollë,sipas perceptimeve të tyre,‘bëhet shka’.  Por, me kalimin e kohës, rrethanat dhe botëkuptimi në mesin e tyre filloi të ndryshojë gradualisht.

 

Ditëve të sotme, ndërkaq, procesi edukativo-arsimor i nivelit të mesëm dhe atij të lartë vijohet lirshëm nëpër institucione të ndryshmeedukativo-arsimore në kushte shumë më të mira, edhe atë në cilëndo gjuhë dëshirohet.

Arsye tjetër pse një numër i vogël e vijonin procesin edukativo-arsimorishte se arsimimin e kuptonin si joobligativ dhe më shumë kanë qenë të përqendruar dhe të përkushtuar në zhvillimin e blegtorisë dhetë bujqësisë.

 

Thënë ndryshe,procesin edukativo-arsimor nuk duhet kuptuar vetëm si obligativ dhe si marrje të njëdiplome me të vetmin qëllim që të zihet një vend pune, apo si avancim në karrierë dhe rritje të pagës mujore, siç po perceptohet pjesërisht, por si kryerje të një obligimi hyjnor dhe pejgamberik me nder dhe me dinjitet, edhe atë duke i veshur asaj (diturie) moralin dhe karakterin.

 

(Autori ështëEdukator në SHMI “Medreseja Isa Beu” në Shkup)

 

 

 

 

[1] Bashkim Aliu. Muhammedi alejhis-selam, Pishtari ndriçues. “Furkan-ISM”, Shkup, 2012, fq. 461.

[2] Po aty, fq. 462-463.

[3] www.fjalorshqip.com

[4] El-Alek, 1-5.

[5] Ebu Davudi.  Suneni i Ebu Davudit, 3. “Furkan-ISM” Shkup, 2016, fq. 577, nr. 3641.

[6]Po aty, fq. 584, nr. 3659.

[7] Imam Nevevi. Rijadus-Salihin. “Logos-A”,  Shkup,  2013, fq.  415, nr. 1382.

[8] Po aty.

[9] Sipmozium shkencor-Kontributi i ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare. Botues: BFI e RMV,  Shkup,  2012, fq. 158-160.

[10]Nehat Jahiju, Brez pas brezi për shkolla shqipe, botues “Asdreni”, Shkup, 2008, fq. 27.

Comments are closed.