• Çairska nr.52, Shkup 1000
  • Hën - Pre 8:00 - 16:00
Na ndiqni:
SHQ | MKD | ENG
  • Info:
  • Tel: + 389 2 3117 410
  • + 389 2 3117 410

INTERVISTË ME REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI PËR REVISTËN HËNA E RE INSTITUCIONI, DIJA DHE PËRGJEGJËSIA SHOQËRORE: NJË VIT SUKSESI PËR BFI-NË



Shpërndaje:

INTERVISTË ME REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI PËR REVISTËN HËNA E RE INSTITUCIONI, DIJA DHE PËRGJEGJËSIA SHOQËRORE: NJË VIT SUKSESI PËR BFI-NË

INTERVISTË ME REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI PËR REVISTËN HËNA E RE
INSTITUCIONI, DIJA DHE PËRGJEGJËSIA SHOQËRORE: NJË VIT SUKSESI PËR BFI-NË
Në një kohë kur shoqëritë po përballen me ndryshime të shpejta kulturore, arsimore dhe gjeopolitike, roli i institucioneve fetare po merr gjithnjë e më shumë një dimension strategjik dhe shoqëror. Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nën udhëheqjen e Kryetarit të saj, Reisul Ulema Hfz. H. Shaqir ef. Fetahu, ka shënuar një vit me zhvillime të rëndësishme dhe arritje të dukshme, duke konsoliduar pozicionin e saj institucional si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Akreditimi i Medresesë, intensifikimi i bashkëpunimit me botën islame dhe me partnerë ndërkombëtarë, përfshirja e kuadrove të reja në strukturat drejtuese dhe arsimore, si dhe forcimi i lidhjeve me diasporën, përbëjnë vetëm disa nga shtyllat kryesore që kanë shënuar këtë vit të suksesshëm. Në këtë intervistë për fundvit, Reisul Ulema flet me një qasje të matur, duke reflektuar mbi vizionin, prioritetet dhe sfidat e Bashkësisë Fetare Islame në një realitet gjithnjë e më kompleks.
Përmes këtij bashkëbisedimi, lexuesi ka mundësinë të njohë jo vetëm arritjet institucionale, por edhe filozofinë udhëheqëse që qëndron pas tyre, një filozofi që ndërthur traditën islame me nevojat e kohës moderne, duke synuar një BFI profesionale, të hapur dhe të qëndrueshme në shërbim të besimtarëve dhe shoqërisë në tërësi.
Intervistoi:
Driton Dikena
Hëna e Re: Duke qenë se po e mbyllim një vit kalendarik të ngarkuar me angazhime intensive, procese të rëndësishme institucionale dhe zhvillime domethënëse për Bashkësinë Fetare Islame, lind natyrshëm pyetja: si e vlerësoni këtë vit nga këndvështrimi juaj si udhëheqës i institucionit, në aspektin e arritjeve, prioriteteve dhe sfidave?
Reisul Ulema: Viti që po e mbyllim ka qenë një vit i ngarkuar, por njëkohësisht domethënës për Bashkësinë Fetare Islame. Ai ka reflektuar qartë se institucionet tona, edhe në rrethana të ndërlikuara shoqërore, ekonomike dhe gjeopolitike, kanë arritur të ruajnë stabilitetin, funksionalitetin dhe orientimin e duhur. Ka pasur arritje konkrete, procese të rëndësishme që janë finalizuar me sukses, por edhe sfida që na kanë kërkuar maturi, durim dhe përgjegjësi institucionale. Për mua, ky vit përfaqëson një periudhë konsolidimi, ku janë forcuar themelet mbi të cilat ndërtohet vizioni afatgjatë i Bashkësisë Fetare Islame.
Një dimension shumë i rëndësishëm i këtij viti ka qenë çështja e financimit dhe mbështetjes nga besimtarët tanë. Populli ynë i mrekullueshëm ka dëshmuar edhe një herë se është shtylla kryesore e qëndrueshmërisë së institucioneve fetare. Në një kohë krize ekonomike globale, me sfida të shumta sociale, besimtarët tanë kanë vazhduar të mirëmbajnë dhe të mbështesin institucionet e Bashkësisë Fetare Islame me përkushtim dhe përgjegjësi. Falë kësaj mbështetjeje, sot funksionojnë me dinjitet pesë medrese, rreth 700 xhami, një Fakultet i Shkencave Islame, si dhe një rrjet i gjerë shërbimi me rreth 1200 nëpunës fetarë dhe mbi 200 nëpunës administrativë, përfshirë drejtorë, profesorë të medreseve dhe kuadro të tjerë profesionalë. Kjo është dëshmi e gjallë se besimi, solidariteti dhe ndjenja e përgjegjësisë kolektive janë ende të forta në shoqërinë tonë.
Njëkohësisht, Bashkësia Fetare Islame i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe kultivimit të paqes shoqërore dhe përpjekjeve të vazhdueshme kundër çdo forme radikalizmi dhe dhune. Islami që ne përfaqësojmë është fe e paqes, e dialogut dhe e bashkëjetesës. Përmes ligjërimit fetar, edukimit të kuadrove, bashkëpunimit ndërfetar dhe kontakteve institucionale brenda dhe jashtë vendit, BFI ka punuar vazhdimisht për të promovuar një kuptim të drejtë të Islamit, larg ekstremizmit dhe keqinterpretimit. Dialogu ndërfetar, respekti reciprok dhe angazhimi për stabilitet shoqëror kanë qenë dhe mbeten prioritete të qarta të institucionit tonë.
Në këtë frymë, ky vit nuk ka qenë vetëm një vit aktivitetesh, por një vit përgjegjësie, reflektimi dhe përforcimi të rolit të Bashkësisë Fetare Islame si faktor stabiliteti, paqeje dhe shërbimi ndaj besimtarëve dhe shoqërisë në tërësi.
Hëna e Re: Gjatë këtij viti është vërejtur një hapje e theksuar e BFI-së ndaj vendeve arabe, e shoqëruar me një diplomaci institucionale aktive dhe konstruktive. Duke qenë tashmë edhe anëtar i Këshillit të Dijetarëve dhe pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare, si e shihni rolin e kësaj diplomacie fetare në forcimin e pozitës së BFI-së dhe në shkëmbimin e përvojave shkencore e fetare?
Reisul Ulema: Kjo hapje ndaj botës arabe nuk ka ndodhur rastësisht dhe as për arsye formale. Ajo është ndërtuar me kujdes, hap pas hapi, përmes një diplomacie fetare institucionale që synon ta vendosë Bashkësinë Fetare Islame në një pozicion të denjë brenda botës islame bashkëkohore.
Gjatë këtij viti dhe viteve të fundit, BFI ka intensifikuar ndjeshëm lidhjet me institucionet qendrore të botës arabe dhe islame: me Mbretërinë e Arabisë Saudite, me Ligën Islame Botërore, me Ministrinë e Haxhit dhe Umres, me institucionet shkencore dhe fetare të Mekës dhe Medinës, si dhe me përfaqësi diplomatike arabe në rajon. Këto marrëdhënie janë ndërtuar përmes vizitave të ndërsjella, takimeve zyrtare, pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare dhe nënshkrimit të marrëveshjeve konkrete bashkëpunimi.
Anëtarësimi im në Këshillin e Jurisprudencës Islame pranë Ligës Islame Botërore dhe pjesëmarrja e rregullt në konferenca ndërkombëtare në Mekë, Xheda dhe qendra të tjera islame, nuk janë thjesht nderime personale, por dëshmi se BFI po shihet si institucion serioz, me përvojë dhe me kontribut në çështjet e fikhut bashkëkohor, dialogut fetar dhe menaxhimit të jetës islame në kontekst evropian.
Një dimension i veçantë i kësaj diplomacie është çështja e Haxhit dhe Umres. Përmes kontakteve të drejtpërdrejta me Ministrinë e Haxhit të Arabisë Saudite, BFI ka siguruar marrëveshje të rregullta dhe të qëndrueshme për organizimin e Haxhit, duke e futur institucionin tonë në arkitekturën globale të menaxhimit të këtij adhurimi. Vizitat e ministrave dhe delegacioneve saudite në Shkup, si dhe vizitat tona zyrtare në Xheda dhe Mekë, flasin për një raport që shkon përtej administrimit teknik dhe merr karakter partneriteti institucional.
Po ashtu, kjo hapje ka prodhuar rezultate edhe në fushën e edukimit dhe formimit fetar. Memorandumet e bashkëpunimit, trajnimet me imamë, hatibë dhe muezinë, si dhe shkëmbimi i përvojave me institucionet arabe, kanë ndihmuar në ngritjen profesionale të kuadrove tona dhe në përballjen më të mirë me sfidat e kohës: ekstremizmin, keqinterpretimet fetare, radikalizmin dhe presionet sociale mbi komunitetet myslimane në Evropë.
Në plan më të gjerë, kjo diplomaci fetare e ka forcuar pozitën e BFI-së edhe në arenën ndërkombëtare. Sot, zëri i BFI-së dëgjohet në forume ku diskutohet e ardhmja e botës islame, dialogu ndërfetar, paqja dhe stabiliteti global. Kjo na jep kredibilitet, por edhe përgjegjësi më të madhe.
Prandaj, ne e shohim diplomacinë fetare si mjet thelbësor për forcimin e institucionit, për ruajtjen e identitetit fetar dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me botën arabe dhe islame. Është një proces që do të vazhdojë, sepse besojmë se BFI duhet të jetë pjesë aktive e mendimit dhe veprimit islam në nivel global, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin dhe përgjegjësinë ndaj besimtarëve tanë.
Hëna e Re: Ky vit u shënua edhe nga vizita të shumta delegacionesh nga Mbretëria e Arabisë Saudite, por një ngjarje me rëndësi të veçantë ishte ardhja, për herë të parë, e Imamit të Qabes. Si e vlerësoni këtë ngjarje në aspektin simbolik, fetar dhe institucional, dhe çfarë mesazhi përcolli ajo për besimtarët dhe për pozitën e BFI-së në botën islame?
Reisul Ulema: Vizita e Imamit të Qabes përbën një nga ngjarjet shumë të rëndësishme të Bashkësisë Fetare Islame. Kjo nuk ishte një vizitë formale apo simbolike në kuptimin e ngushtë, por një ngjarje me peshë të thellë fetare, shpirtërore, institucionale dhe historike.
Së pari, duhet theksuar qartë se kjo vizitë u realizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame dhe Ministrisë së Vakfit dhe Çështjeve Islame të Arabis Saudite. Ky fakt është thelbësor, sepse dëshmon se marrëdhëniet tona me institucionet qendrore të botës islame nuk janë as rastësore, as emocionale, por të ndërtuara mbi baza institucionale, besim të ndërsjellë dhe vizion afatgjatë.
Në aspektin fetar dhe shpirtëror, reagimi i besimtarëve ishte i jashtëzakonshëm. Pritja ishte e ngrohtë, emocionale dhe thellësisht domethënëse. Shumë besimtarë na thanë me sinqeritet: “Sikur na e keni sjellë Qaben këtu.” Kjo fjali flet më shumë se çdo analizë. Ajo tregon lidhjen e fortë shpirtërore të besimtarëve tanë me Qaben dhe Mekën.
Në aspektin simbolik, kjo vizitë dha një mesazh shumë të qartë: se muslimanët e këtij vendi nuk janë në periferi të botës islame. Ata janë pjesë e saj aktive, me identitet të konsoliduar, me traditë fetare të qëndrueshme dhe me institucione që gëzojnë respekt dhe besueshmëri. Prania e Imamit të Qabes ishte një shenjë e qartë se kjo hapësirë fetare është e njohur, e respektuar dhe e vlerësuar.
Në aspektin institucional, kjo ngjarje përforcoi ndjeshëm pozitën e Bashkësisë Fetare Islame në botën islame. Ajo konfirmoi se BFI është një institucion serioz, stabil dhe i aftë të ndërtojë marrëdhënie të nivelit të lartë me qendrat më të rëndësishme fetare. Kjo vizitë nuk ishte vetëm nderim, por edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për të ruajtur këtë besim, për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta çuar më tej rolin e BFI-së si faktor uniteti, stabiliteti dhe orientimi fetar.
Pra, vizita e Imamit të Qabes ishte një ngjarje historike në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo forcoi besimin e besimtarëve, rriti vetëdijen institucionale dhe dërgoi një mesazh të fuqishëm se Bashkësia Fetare Islame është e rrënjosur fort në traditë, por e hapur dhe e pranishme në rrjedhat kryesore të botës islame. Kjo është një arritje që na nderon, por edhe na obligon.
Hëna e Re: Përveç thellimit të bashkëpunimit me botën islame, gjatë këtij viti keni zhvilluar edhe një sërë takimesh me përfaqësues diplomatikë të vendeve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si e konceptoni këtë balancë në raportet ndërkombëtare të BFI-së dhe çfarë roli luan ajo në promovimin e dialogut ndërfetar, bashkëjetesës dhe stabilitetit shoqëror?
Reisul Ulema: Balanca në raportet ndërkombëtare të Bashkësia Fetare Islame nuk është as kompromis dhe as neutralitet i paqartë. Ajo është pozicionim i vetëdijshëm institucional. BFI vepron mbi parimin se një institucion fetar serioz duhet të jetë njëkohësisht i rrënjosur në traditën e vet islame dhe plotësisht i përgjegjshëm ndaj realitetit shoqëror ku jetojnë besimtarët e tij. Kjo është arsyeja pse, krahas thellimit të bashkëpunimit me botën islame, ne kemi punuar fuqishëm në marrëdhënie të qëndrueshme me vendet evropiane dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Takimet me përfaqësues diplomatikë evropianë dhe amerikanë gjatë këtij viti kanë qenë pjesë e një strategjie afatgjatë, të prezantohet BFI si institucion fetar i besueshëm, i moderuar dhe i orientuar drejt paqes shoqërore. Në këto kontakte kemi artikuluar qartë vizionin tonë për dialogun ndërfetar, respektimin e lirive fetare, bashkëjetesën dhe parandalimin e çdo forme radikalizmi apo instrumentalizimi të fesë. Mesazhi ynë ka qenë i qartë, feja nuk është problem për shoqërinë moderne, por mund të jetë pjesë e zgjidhjes, nëse udhëhiqet me dije, etikë dhe përgjegjësi institucionale.
Në realitet, kjo balancë ndërkombëtare nuk është vetëm diplomaci. Ajo është shprehje e një vizioni të qartë qe BFI si institucion ndërton ura mes Lindjes dhe Perëndimit, mes traditës dhe modernitetit, mes identitetit fetar dhe qytetarisë evropiane. Ky pozicionim i shërben drejtpërdrejt stabilitetit shoqëror, forcimit të dialogut ndërfetar dhe ruajtjes së paqes sociale, si në vend, ashtu edhe në diasporë.
BFI nuk lëkundet nga parimet e saj dhe nuk izolohet nga bota. Ajo vepron me maturi, flet me përgjegjësi dhe ndërton partneritete që i shërbejnë besimtarëve tanë, shoqërisë në tërësi dhe paqes afatgjatë. Kjo është balanca jonë dhe ky është roli që e shohim për veten në raportet ndërkombëtare sot.
Hëna e Re: Bashkësia Fetare Islame vepron edhe përmes disa Qendrave islame shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të lidhura ngushtë me besimtarët tanë nga vendi. Vizitat janë shtuar, bashkëpunimi është intensifikuar dhe diaspora vazhdon të ruajë një lidhje të fortë me vendlindjen. Si e vlerësoni rolin e këtyre qendrave në ruajtjen e identitetit fetar, gjuhësor dhe kombëtar, si dhe në integrimin e besimtarëve tanë në shoqëritë ku ata jetojnë dhe veprojnë?
Reisul Ulema: Veprimtaria e Bashkësisë Fetare Islame në diasporë përbën një dimension thelbësor të misionit tonë fetar dhe institucional, sepse ajo lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e identitetit shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor të besimtarëve tanë jashtë atdheut. Në traditën islame, ruajtja e lidhjeve dhe kujdesi për umetin, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, është një parim themelor. Ndarja dhe shkëputja nga rrënjët shpesh çojnë në harresë identitare, ndërsa lidhja e vazhdueshme institucionale dhe shpirtërore krijon vazhdimësi, vetëdije dhe përgjegjësi.
Qendrat islame të BFI-së në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë thjesht struktura organizative, por institucione të edukimit fetar, të formimit moral dhe të ruajtjes së gjuhës dhe traditës sonë. Ato shërbejnë si hapësira ku brezat e rinj mësojnë parimet themelore të Islamit, kulturën fetare dhe gjuhën amtare, duke u rritur me një vetëdije të qartë për përkatësinë e tyre shpirtërore dhe kulturore. Në këtë kuptim, këto qendra janë ura që lidhin vendlindjen me realitetin shoqëror të vendeve pritëse.
Njëkohësisht, ne e shohim integrimin e besimtarëve tanë në shoqëritë ku jetojnë si një obligim fetar dhe qytetar. Islami na mëson të jemi faktor paqeje, bashkëjetese dhe kontributi pozitiv në çdo mjedis ku veprojmë. Prandaj, përmes këtyre qendrave, ne promovojmë një model të besimtarit që ruan identitetin e tij fetar dhe kombëtar, por që është i hapur, i integruar dhe aktiv në institucionet dhe jetën publike të vendeve ku punon dhe jeton. Kjo qasje reflekton parimin kuranor se “Ne ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni mes vete”, duke e kuptuar diversitetin si pasuri dhe jo si pengesë.
Lidhja e vazhdueshme me diasporën është, pra, thelbësore për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe për forcimin e unitetit shpirtëror. Qendrat islame shqiptare në diasporë janë pjesë integrale e këtij vizioni, sepse ato mbajnë gjallë fenë, gjuhën dhe traditën, duke parandaluar asimilimin dhe harresën, dhe njëkohësisht duke kontribuar në ndërtimin e shoqërive më të drejta, më të qëndrueshme dhe më të hapura. Në këtë frymë, Bashkësia Fetare Islame do të vazhdojë të investojë në forcimin e këtyre lidhjeve, duke e konsideruar diasporën jo si një realitet të largët, por si pjesë të pandashme të trupit tonë institucional dhe të umetit tonë të përbashkët.
Hëna e Re: I nderuar Reisul Ulema, akreditimi i Medresesë përfaqëson një sukses të madh për Bashkësinë Fetare Islame dhe për arsimin fetar në vend. Si e vlerësoni këtë proces nga aspekti strategjik dhe akademik, dhe çfarë ndikimi afatgjatë mendoni se do të ketë ky akreditim në cilësinë e arsimit, në afirmimin institucional të Medresesë dhe në formimin e kuadrove të ardhshme fetare dhe intelektuale?
Reisul Ulema: Akreditimi i Medresesë është një arritje me rëndësi të veçantë, e cila duhet parë si fryt i një vizioni të qëndrueshëm institucional dhe i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta harmonizuar misionin fetar me standardet bashkëkohore të arsimit. Nga këndvështrimi islam, dituria-ilmi zë një vend qendror, pasi që fjala e parë e shpallur në Kur’an është “Lexo” , duke dëshmuar se arsimi dhe formimi intelektual janë shtylla themelore të ndërtimit të individit dhe të shoqërisë. Në këtë kontekst, akreditimi i Medresesë nuk është vetëm një njohje formale akademike, por edhe një konfirmim se arsimi fetar islam mund dhe duhet të ecë paralelisht me standardet moderne të dijes.
Nga aspekti strategjik, ky proces e forcon pozicionin e Bashkësisë Fetare Islame si institucion përgjegjës për edukimin dhe formimin e kuadrove të denja, të afta për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, pa u shkëputur nga burimet autentike islame. Medreseja e akredituar krijon një urë të qëndrueshme mes traditës dhe bashkëkohësisë, duke u mundësuar nxënësve që, përveç formimit fetar, të pajisen edhe me kompetenca akademike të njohura nga sistemi shtetëror i arsimit.
Në planin afatgjatë, ndikimi i këtij suksesi pritet të jetë shumëdimensional. Para së gjithash, ai do të kontribuojë në formimin e kuadrove fetare me horizont më të gjerë intelektual, të cilët do ta kuptojnë fenë jo vetëm si praktikë rituale, por edhe si burim vlerash morale, sociale dhe qytetëruese. Po ashtu, ky proces do të rrisë besimin e shoqërisë në arsimin fetar dhe do ta afirmojë Medresenë si institucion që edukon breza të rinj me identitet të qartë fetar, por edhe me përgjegjësi qytetare.
Në këtë frymë, ne e shohim akreditimin si amanet dhe përgjegjësi, që na obligon të vazhdojmë përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies, duke u mbështetur në parimin islam se dituria e dobishme është ajo që i shërben njeriut dhe shoqërisë.
Hëna e Re: Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij viti është angazhimi dhe punësimi i kuadrove të reja, si në organet udhëheqëse ashtu edhe në institucionet arsimore të BFI-së. Sa i rëndësishëm është ky proces i rinovimit institucional për vizionin tuaj drejt një BFI-je moderne, profesionale dhe të qëndrueshme në të ardhmen?
Reisul Ulema: Angazhimi dhe punësimi i kuadrove të reja përbën një proces thelbësor për gjallërinë dhe vazhdimësinë institucionale të Bashkësisë Fetare Islame. Në traditën islame, rinovimi është parim i njohur dhe i nevojshëm, sepse vetë Pejgamberi Muhamed a.s na mëson se në çdo kohë Allahu xh.sh i dërgon umetit njerëz që e ripërtërijnë kuptimin dhe zbatimin e fesë në përputhje me rrethanat e kohës, pa e cenuar thelbin e saj. Prandaj, rinovimi institucional nuk nënkupton shkëputje nga tradita, por forcim të saj përmes energjisë, dijes dhe përkushtimit të brezave të rinj.
Nga këndvështrimi im, ky proces është i domosdoshëm për ndërtimin e një BFI-je moderne, profesionale dhe të qëndrueshme. Kuadrot e reja sjellin ide të freskëta, njohuri bashkëkohore dhe aftësi të reja menaxheriale e pedagogjike, të cilat janë të nevojshme për të përballuar sfidat e sotme në fushën e edukimit fetar, administrimit institucional dhe komunikimit me shoqërinë. Njëkohësisht, integrimi i tyre me përvojën dhe urtësinë e kuadrove ekzistuese krijon një balancë të shëndoshë mes vazhdimësisë dhe inovacionit.
Në plan afatgjatë, ky rinovim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit dhe transparencës institucionale, si dhe në ndërtimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të BFI-së. Nëse investojmë sot në kuadro të përgatitura mirë, me formim fetar dhe akademik, ne po ndërtojmë themelet e një institucioni të qëndrueshëm që do t’u shërbejë besimtarëve dhe shoqërisë në përgjithësi edhe në dekadat që vijnë. Ky është një proces që kërkon vizion, durim dhe përgjegjësi, por është një domosdoshmëri për të ardhmen e BFI-së.
Hëna e Re: Nga aktivitetet e shpeshta të Muftinive dhe institucioneve vartëse, shihet një angazhim i vazhdueshëm në organizimin e jetës fetare. Cilat janë prioritetet tuaja për ngritjen e cilësisë së shërbimit fetar dhe për unifikimin e praktikës institucionale në nivel vendi?
Reisul Ulema: Angazhimi i Muftinive dhe i institucioneve vartëse në organizimin e jetës fetare është një amanet i madh dhe një përgjegjësi që buron drejtpërdrejt nga misioni ynë fetar dhe institucional. Allahu i Lartësuar na porosit: “Vërtet, Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua dorëzoni atyre që u takojnë dhe kur të gjykoni mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi” (En-Nisa, 58). Ky parim na udhëheq në çdo përpjekje për përmirësimin e cilësisë së shërbimit fetar dhe për forcimin e funksionimit të përbashkët institucional.
Prioriteti ynë i parë është ngritja e cilësisë profesionale dhe etike të shërbimit fetar. Kjo nënkupton investim të vazhdueshëm në edukimin dhe formimin e kuadrove fetare, përmes trajnimeve periodike, zhvillimit profesional dhe thellimit të njohurive islame, por edhe të aftësive komunikative dhe pedagogjike. Imami, mualimi apo nëpunësi fetar duhet të jetë jo vetëm bartës i dijes fetare, por edhe shembull i moralit, urtësisë dhe përgjegjësisë shoqërore.
Një prioritet tjetër thelbësor është unifikimi i praktikës institucionale në nivel vendi. Bashkësia Fetare Islame vepron si një trup i vetëm dhe kjo kërkon standarde të qarta, rregullore funksionale dhe zbatim të njëtrajtshëm të vendimeve në të gjitha Muftinitë. Unifikimi nuk do të thotë uniformitet i verbër, por harmonizim i praktikave në përputhje me parimet e fesë islame, me traditën tonë dhe me kornizën ligjore të shtetit. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë barazi, drejtësi dhe besueshmëri në shërbimin fetar.
Po ashtu, rëndësi të veçantë i kushtojmë forcimit të koordinimit dhe komunikimit ndërinstitucional, si dhe përdorimit të mjeteve bashkëkohore të menaxhimit dhe digjitalizimit, për ta bërë shërbimin fetar më efikas dhe më të afërt me besimtarët. Qëllimi ynë përfundimtar është që çdo besimtar, kudo që ndodhet në vend, të marrë shërbim fetar cilësor, të unifikuar dhe të mbështetur në parimet e Kur’anit dhe Sunetit, duke kontribuar kështu në ruajtjen e unitetit dhe stabilitetit shpirtëror të shoqërisë sonë.
Hëna e Re: Herë pas here në opinionin publik shfaqen edhe kritika ndaj punës së Bashkësisë Fetare Islame. Megjithatë, nga ana juaj vërehet një qëndrim i matur dhe i përmbajtur, pa prirje për polemika apo arsyetime publike të vazhdueshme. Si e konceptoni këtë qasje dhe çfarë filozofie udhëheqëse qëndron pas këtij qëndrimi tuaj ndaj kritikës?
Reisul Ulema: Kritika, kur është e sinqertë dhe e qëllimshme për përmirësim, është pjesë e natyrshme e jetës institucionale dhe shoqërore. Bashkësia Fetare Islame, si institucion me përgjegjësi të madhe publike dhe shpirtërore, nuk është dhe nuk mund të jetë e përjashtuar nga vlerësimi, mendimi apo edhe kritika e opinionit. Megjithatë, qasja jonë ndaj kritikës buron nga një filozofi e qartë islame dhe institucionale, e mbështetur në parimin e hikmetit dhe sabrit.
Allahu i Lartësuar na mëson: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të bukur” (En-Nahl, 125), ndërsa i Dërguari i Allahut xh.sh Muhamedi a.s. na ka porositur se forca e vërtetë e besimtarit nuk qëndron në reagimin e ashpër, por në vetëpërmbajtje dhe mençuri. Nisur nga kjo, ne besojmë se polemikat e shpeshta publike shpeshherë nuk sjellin zgjidhje, por prodhojnë ndarje, konfuzion dhe dëmtojnë besimin e përgjithshëm.
Qëndrimi ynë i matur dhe i përmbajtur nuk buron nga mungesa e argumenteve apo nga frika e debatit. Përkundrazi. Ai buron nga bindja se një institucion serioz nuk reagon me impuls, por me përgjegjësi. Ne besojmë se jo çdo kritikë meriton përgjigje publike dhe jo çdo sulm verbal kërkon polemikë. Institucionet që e shpenzojnë energjinë duke u justifikuar vazhdimisht, zakonisht humbin fokusin nga misioni i tyre real. Heshtja në momentin e duhur nuk është shmangie, por vetëkontroll. Në një klimë ku shpesh mbizotëron zhurma, reagimi i matur është akt përgjegjësie dhe udhëheqjeje.
Për më tepër, ne dallojmë qartë mes kritikës së sinqertë dhe asaj destruktive. Kritikat e bazuara në shqetësim real, në interes publik dhe në qëllim përmirësimi, i marrim seriozisht dhe i trajtojmë brenda institucioneve tona. Ndërsa kritikat që synojnë vetëm diskreditimin, provokimin apo krijimin e përçarjeve, nuk i shërbejnë as fesë dhe as shoqërisë dhe pikërisht për këtë arsye nuk u japim hapësirë.
Filozofia udhëheqëse pas këtij qëndrimi është përgjegjësia ndaj amanetit që na është besuar. Bashkësia Fetare Islame nuk udhëhiqet nga logjika e momentit, por nga vizioni afatgjatë për ruajtjen e harmonisë fetare, stabilitetit shoqëror dhe besueshmërisë morale. Ne besojmë se heshtja e matur, e shoqëruar me punë të ndershme dhe përkushtim, shpesh flet më fort se çdo fjalë, dhe se koha është dëshmitari më i drejtë i sinqeritetit dhe drejtësisë së një institucioni.
Shpërndaje: