BFI Mbajti Manifestimin Tradicional Për Vitin E Ri Islam – Hixhri 1446
Me rastin e Vitit të Ri Islam – Hixhri 1446, të dielën më 07.07.2024, Bashkësia Fetare Islame e RMV, nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e të parit të jetës fetare në vendin tonë, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mbajti manifestimin qendror tradicional, i cili u transmetua drejt për drejt në TVM2 – Kanali i dytë në gjuhën shqipe në Radio Televizionin Shtetëror.
Në këtë manifestim morrën pjesë muftinjtë e muftinive nga tërë vendi bashkë me operativat e tyre, drejtorë të drejtorive të ndryshme të Rijasetit të BFI, kryetarë të komunave, hoxhallarë, stafi i Medresesë dhe Fakultetit të Shkencave Islame, dashamirë, donatorë të BFI-së, fytyra publike nga jeta shoqërore, besimtarë, e mysafirë nga vendi dhe nga jashtë.
Manifestimi qendror filloi me vargjet e bukura të Kuranit Famëlartë të lexuara nga Hfz. Idriz Osmani, ndërsa më pas, moderatori Mr. Musanif ef. Rufati, pasi bëri hapjen oficiale të Manifestimit Qendror të Hixhretit 1446, ftoi nikoqirin e këtij evenimenti, Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai që të përshëndesë këtë manifestim dhe të pranishmit në të.
Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai foli rreth rëndësisë së këtij manifestimi, ku Hixhreti si ngjarje, shënoi historinë e re të njerëzimit, e cila bëri që në shoqëri të vendoset: drejtësia, meritokracia, toleranca, mirëkuptimi, mbrojtja e vlerave të njeriut dhe shumë dimensione të tjera.
Në vazhdim të programit, në binë u ftua edhe themeluesi i korit të BFI, Dr. Abas Jahja i cili ndër vite e ka udhëhequr Korin e BFI, ndërsa autoriteti dhe figura e tij janë shumë të njohur edhe në vend por edhe jashtë. Ai pasi bëri prezantimin e Korit të BFI-së, së bashku me Hfz. Sabaatin Nuhiju interpretuan disa ilahi të shoqëruar nga Kori.
Më pas, mysafiri special nga Republika e Kosovës, Hfz.
Egzon ef. Ibrahimi nëpërmjet interpretimit të ilahisë solo “Esmaul Husna” ngjalli emocione tek të pranishmit.
Ndërsa Nderim Alimi interpretoi ilahinë e përgatitur enkas për këtë natë me titull “Mos u shqetëso”.
Aktori i mirënjohur Arsim Fazlija para të pranishmëve interpretoi monologun “U nda hëna”, ndërsa më pas, për nderin dhe kënaqësinë e të pranishmëve, në binë u ftua sërish, hfz. Egzon ef. Ibrahimi i cili interpretoi ilahinë “Nur”.
Duke përkujtuar hixhretin e Muhamedit a.s. ne e sjellim atë në kohën tonë për të marrë inspirim të gjallë dhe impuls të fuqishëm të pjekurisë shpirtërore dhe intelektuale, për të ngritur veten tonë drejt një zhvillimi në të gjitha sferat në veçanti në atë intelektuale, ekonomike dhe morale për të ndërtuar vatrat dhe vatanin tonë. Në këtë rrugëtim disa personalitete shquhen më tepër nga të tjerët, andaj për veprimtarinë e tyre të spikatur, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, bëri ndarjen e dekoratave për personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyera në ecurinë e Institucionit fetar, Bashkësisë Fetare Islame, me çmimin më të lartë të titulluar “Myfti Vehbi Dibra”, një titull i cili në vete ngërthen privilegjin dhe përgjegjësinë ndaj Zotit të Madh dhe shoqërisë. Pasi u lexua nga një pjesë e shkurtër e biografisë së këtyre personaliteteve, në binë u ftuan:
Dr. Nasir Husejni, Abdulbaki Kasami, Jashar Ibrahim, Zërijeta Hajro Jajaga, Abdurahim Kurtishi, Prof. Dr. Skender Asani dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës përfaqësuar nga Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Bashkësia Fetare Islame e RMV hixhretin e kupton kthim drejt vetvetes për të ngritur vetëdijen e saj dhe të çdo një besimtari për një zhvillim të shëndoshë në prezantimin e vlerave madhore islame. Andaj, organizimi i mirëfillte, investimi në arsim dhe shkencë, edukimi i gjeneratave të reja, sidomos me frymën e Kuranit Famëlartë, janë prioritet për BFI e RMV. Në këtë kuadër, në pikën e fundit të programit, e cila për nga rëndësia do të llogaritej prijatare, u bë ndarja e Diplomave të Hafizëve të cilët me sukses kanë përfunduar memorizimin e Kur’anit Famëlartë për vitin kalendarik hënor 1446.
Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjithë besimtarëve kudo që janë, ua uron Vitin e Ri Hixhri 1446 duke ju uruar një vit të mbarë, të suksesshëm, me plot shëndet dhe lumturi.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





