U MBAJT MANIFESTIMI TRADICIONAL “BAKLLAVAJA E BAJRAMIT”
U MBAJT MANIFESTIMI TRADICIONAL “BAKLLAVAJA E BAJRAMIT”
Nën patronazhin e Reisul Ulemasë të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, u organizua manifestimi tradicional “Bakllavaja e Bajramit”, një aktivitet tashmë i konsoliduar në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, i cili promovon vlerat e respektit, bashkëjetesës dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve.
Ky manifestim mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, të trupit diplomatik, përfaqësues të bashkësive fetare, personalitete nga bota akademike, kulturore e shoqërore, si dhe figura të njohura të jetës publike dhe politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ndër të pranishmit ishin: Kryetari i Kuvendit të RMV-së, z. Afrim Gashi; drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, znj. Olivera Trajkovska; z. Izet Mexhiti, kryetar i Koalicionit VLEN; ministri i Shëndetësisë, z. Azir Aliu; ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Muhamet Hoxha; zëvendësministri i Arsimit, z. Driton Sulejmani; kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra; kryetari i Komunës së Bogovinës, z. Feti Abazi; kryetari i Komunës së Studeniçanit, z. Ejup Abazi; kryetari i OEMVP, z. Nuhi Aliu; kryetari i Gjykatës Supreme, z. Afrim Fidani; kryetari i Gjykatës Civile, z. Besnik Avdija; ambasadori i Republikës së Turqisë, Sh.T. Fatih Ulusoy; ambasadori i Republikës së Kosovës, Sh.T. Florian Qehaja; drejtori i përgjithshëm i Halkbank, z. Fatih Shahbaz; rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli; rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Prof. Dr. Bekim Fetaji; si dhe rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, Dr. Prof. Asim Izairi, nënkryetar i ASH, Z. Erdoan Saraç, kryetar i MHP, Z. Nebi Rexhepi, Sekretar i përgjithshëm i BDI, dhe shumë personalitete tjera.
Në atmosferën festivtradicionalee të Bajramit, mysafirëve iu shërbye bakllavaja , simbol i mikpritjes, gëzimit dhe solidaritetit që karakterizon këtë festë të madhe islame.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai theksoi dimensionin shpirtëror dhe edukativ të Kurban Bajramit, duke nënvizuar se sakrifica në Islam nuk paraqet vetëm një ritual fetar, por një akt të lartë dashurie, bindjeje dhe përkushtimi ndaj Krijuesit.
“Mesazhi i Kurbanit është mesazhi i dashurisë, devotshmërisë dhe përgjegjësisë. Vetëm përmes sakrificës së sinqertë, përkushtimit ndaj vlerave hyjnore dhe dashurisë ndaj Zotit dhe njeriut, individi arrin ta përmbushë misionin e tij në këtë botë dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më humane dhe më solidare”, u shpreh Reisul Ulema.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, përcolli urimet e tij me rastin e Kurban Bajramit, duke dëshiruar paqe, mirëqenie, harmoni dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e vendit.
Mesazhe urimi dhe vlerësimi për rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare përcolli edhe drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, znj. Olivera Trajkovska. Ajo theksoi se prania e përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme fetare në këtë manifestim përbën një dëshmi konkrete të respektit reciprok dhe të kulturës së dialogut që karakterizon shoqërinë tonë.
Manifestimi tradicional “Bakllavaja e Bajramit” vazhdon të mbetet një nga aktivitetet më domethënëse të Bashkësisë Fetare Islame, duke shërbyer si urë komunikimi dhe afrimi ndërmjet institucioneve, komuniteteve dhe qytetarëve, si dhe duke promovuar frymën e mirëkuptimit, dialogut dhe bashkëjetesës, që përbën një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë sonë.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





