REISUL ULEMA VIZITOI BASHKËSINË ISLAME TË BULLGARISË – UROI KRYEMYFTIUN E SAPOZGJEDHUR, Z. AHMED ASANOV
REISUL ULEMA VIZITOI BASHKËSINË ISLAME TË BULLGARISË – UROI KRYEMYFTIUN E SAPOZGJEDHUR, Z. AHMED ASANOV
Sofje, 6 tetor 2026 – Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Irsal ef. Jakupi, Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, Dekanin e FSHI – së Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, Myftiu i Shtipit, Mr. Nasir ef. Rexhepi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shkollës së Mesme Islame „Medreseja Isa Beu“, Dr. Islam Islami, vizitoi Bashkësinë Islame të Bullgarisë.
Delegacioni i BFI-së u prit nga Kryemyftiu i sapozgjedhur i Bashkësisë Islame të Bullgarisë, z. Ahmed Asanov, i shoqëruar nga ish-Kryemyftiu, Dr. Mustafa Haxhi, i cili është zgjedhur në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Bullgarisë, si dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë takimit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i përcolli Kryemyftiut të sapozgjedhur, z. Ahmed Asanov, urimet më të përzemërta për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë, duke i uruar shëndet, dinjitet, mbarësi dhe suksese në ushtrimin e përgjegjësive të tij.
Njëherazi, Reisul Ulema përcolli urimet e tij të përzemërta edhe për ish-Kryemyftiun, Dr. Mustafa Haxhi, me rastin e zgjedhjes së tij në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Bullgarisë, duke i uruar punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësinë e re.
Gjatë takimit u vlerësua lart bashkëpunimi i sinqertë dhe vëllazëror ndërmjet dy Bashkësive Islame, si dhe shkëmbimi i përvojave ndërinstitucionale ndër vite. Të dyja palët shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke u thelluar dhe pasuruar më tej në frymën e respektit të ndërsjellë, vëllazërisë dhe interesit të përbashkët.
Në përfundim të takimit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e ftoi Kryemyftiun e Bashkësisë Islame të Bullgarisë, z. Ahmed Asanov, për një vizitë në Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Reisul Ulema shprehu falënderimin e tij për mikpritjen dhe pritjen e ngrohtë e vëllazërore, duke vlerësuar lart gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





