PROMOVOHEN GJASHTË LIBRA, BOTIME TË BFI-SË ME RASTIN DITËS SË ALFABETIT SHQIP

PROMOVOHEN GJASHTË LIBRA, BOTIME TË BFI-SË ME RASTIN DITËS SË ALFABETIT SHQIP
Në vigjilje të 22 nëntorit, ditës së 36 margaritarëve të gjuhës së ëmbël shqipe, në hapësirat e tempullit të dijes, Medresenë “Isa Beu”, në prezencën e shumë mysafirëve, dashamirë të fjalës së shkruar u bë promovimi i gjashtë librave të botuara nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut;
1. “Mrekullitë Kuranore dhe Shkenca”- e autorit mr. Irfan Bexheti.
2. “Bashkësia Islame në Maqedoni Historiku dhe Funksionimi”- i autorit, dr. Mevludin Aliji.
3. “Vakëfet në Maqedoni gjatë periudhës osmane të shekullit XIX”- në gjuhën turke i autorit Prof. dr. Mumin Omerov.
4. “Harixhitë në mendimin islam”- të autorit Prof. dr. Shinazi Memedi.
5. “Jeta dhe vepra e Hafiz Haxhi Sabit ef. Shehu 1924-2011 Monografi”- e autorit Mushteba Shehu.
6. “Talimul Islam”- e autorit Rexhep Muminhoxhiq, e përkthyer nga dr. Hasan Xhilo.
Kjo ngjarje u bë edhe më e bukur dhe më madhështore me prezencën e kreut më të lartë të BFI-së, Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir Ef. Fetai, sekretarit të përgjithshëm të BFI-së, Irsal ef. Jakupi, shefit të kabinetit të Reisul Ulemasë, dr. Abdulkerim Iseni, Muftinjtë e myftinive të BFI-së, zëvendësministri i kulturës, z. Daim Luci, përfaqësuesi i Institutit të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, drejtorët e Rijasetit, profesorët dhe profesoreshat e Medresesë, nxënësit dhe studentët dhe sigurisht, nikoqiri i këtij eventi, drejtori i përgjithshëm i Medresesë “Isa Beu”, dr. Islam Islami. Prezent ishin edhe dy veteranët e mendimit dhe veprimtarisë islame, Mushteba Shehu, autor i veprës monografike “Jeta dhe vepra e Hafiz Haxhi Sabit ef. Shehu 1924-2011”, dhe mysafiri i nderuar, profesor Resul Rexhepi nga Republika e Kosovës.
Recenzentë të këtyre veprave ishin, Dr. Selver Ef. Xhemaili, myfti i muftinisë së Tetovës, Prof. dr. Shenazi Ef. Memedi, Dr. Abdulkerim Ef. Iseni, Prof. Resul Rexhepi, Dr. Hasan Xhilo, Mr. Fehmi Ebibi, të cilët në mënyrë brilante bënë prezantimin e këtyre veprave të mrekullueshme që tashmë gjenden në duart e lexuesve dhe vepra që do mbeten të shënuara në thesarin e botimeve të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Fundi i këtij manifestimi madhështor u përmbyll me një premtim nga Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai, se i ka vënë për obligim vetes që BFI për çdo vjet të mos ngelet pa botimin e të paktën dhjetë veprave nga autorë të ndryshëm.

Comments are closed.