NATA E MADHE E MEVLUDIT “MIRË SE ERDHE O RESULALL-LLAH” – 23 VITE TRADITË QË BASHKON ZEMRAT NË DASHURI PËR TË DËRGUARIN
NATA E MADHE E MEVLUDIT
“MIRË SE ERDHE O RESULALL-LLAH” – 23 VITE TRADITË QË BASHKON ZEMRAT NË DASHURI PËR TË DËRGUARIN
Më 24 gusht 2026, e hënë, në I.N. Qendrën për Kulturë në Gostivar, në organizim të Muftinisë së BFI – Gostivar dhe nën patronazhin e Reisul Ulemasë të BFI-së së RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u mbajt për të 23-tin vit radhazi Manifestimi Tradicional “MIRË SE ERDHE O RESULALL-LLAH”, kushtuar lindjes së Muhammedit alejhis-selam dhe mesazhit të tij për mbarë njerëzimin.
Për 23 vite radhazi, ky manifestim është shndërruar në një traditë të rëndësishme të Gostivarit, duke bashkuar qindra besimtarë në dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit të Allahut.
Në këtë mbrëmje të veçantë ishin të pranishëm ish-Reisul Ulema i BFI-së, Muftinjtë e Muftinive të BFI-së së RMV-së, drejtori i SHAM “Medreseja Isa Beu”, Kryetari i Kuvendit të BFI-së, drejtorë të Rijasetit, Kryetari i Komunës së Gostivarit, Kryesuesi i Këshillit Komunal të Vrapçishtit, ministra, deputetë, Avokati i Shtetit, Rektori i UEJL-së, kryetarë të subjekteve politike, nëpunës fetarë, drejtorë të institucioneve lokale dhe qendrore, profesorë të Medresesë dhe shkollave fillore e të mesme, si dhe shumë personalitete të tjera nga jeta fetare, akademike, institucionale dhe publike.
Programi filloi me leximin e Kur’anit Famëlartë nga Hfz. Fatih Derdijok, duke i dhënë mbrëmjes një fillim të veçantë shpirtëror. Ai më pas, me zërin e tij të mrekullueshëm, u paraqit para publikut me këndimin e Mevludit në gjuhën shqipe dhe një Kaside në gjuhën turke.
Pas hapjes nga moderatorja, Muftiu i Muftinisë së BFI – Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, mbajti fjalën përshëndetëse, duke theksuar se dashuria ndaj Muhammedit a.s. është një vlerë që na bashkon dhe na kujton mesazhin e tij të përjetshëm.
Në vazhdim u paraqit Kori i Muftinisë së Gostivarit dhe SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave, nën udhëheqjen e Mr. Eljesa ef. Asanit, me një program të përzgjedhur ilahish.
Fjalën e rastit e mbajti Reisul Ulema i BFI-së së RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili theksoi vlerat themelore që na la amanet i Dërguari i Allahut: besimin, dijen, moralin e lartë, respektin për familjen, shenjtërinë e jetës dhe dashurinë ndaj atdheut e kombit.
Një moment i veçantë ishte paraqitja e grupit të aktrimit, të përgatitur nga aktorja e mirënjohur Vjollca Baftiu Zulbeari, ku fëmijët, me një prezantim të shkëlqyer dhe plot emocion, përcollën mesazhe mbi dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut, duke u pritur me duartrokitje të ngrohta nga publiku.
Programi vijoi me pjesën e dytë të Korit të Muftinisë dhe SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave, nën udhëheqjen e Mr. Eljesa ef. Asanit, ndërsa manifestimi u përmbyll në një atmosferë të veçantë shpirtërore.
Manifestimi u moderua me profesionalizëm nga Ajnur Selmani, ndërsa kjo ngjarje u ndoq dhe u përcoll nga mediat lokale TV Globi dhe TV2, si dhe drejtpërdrejt përmes rrjeteve sociale të BFI-së dhe Muftinisë së Gostivarit.
“Mirë se erdhe O Resulall-llah” – 23 vite radhazi, një traditë që vazhdon të bashkojë zemrat në dashuri për Muhammedin a.s.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





