EMANETI I BESIMTARËVE U REALIZUA ME SUKSES
EMANETI I BESIMTARËVE U REALIZUA ME SUKSES
Javën që lamë pas, bota islame, anekënd globit, kremtoi njërën ndër festat e saj më të mëdha dhe më të rëndësishme – Kurban Bajramin.
Kjo festë, krahas dimensionit të saj shpirtëror dhe shënimit të shumë vlerave e arritjeve fetare, në vete ngërthen edhe institucionin e kurbanit, i cili i jep kuptimin më të thellë dhe mesazhin më domethënës kësaj feste. Kurbani është simbol i devotshmërisë, sakrificës, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj Krijuesit, duke forcuar njëkohësisht lidhjet ndërmjet njerëzve dhe ndjenjën e kujdesit për ata që kanë nevojë.
Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kryetarit të saj, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në emër të të gjitha strukturave administrative të saj, si dhe në emër të nxënësve të Medresesë “Isa Beu” dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Islame, shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet më të sinqerta për të gjithë vëllezërit dhe motrat besimtare, të cilët u bënë pjesë e aksionit tradicional të organizuar për therjen e kurbanëve.
Besimi, përkushtimi dhe gatishmëria juaj për të mbështetur këtë aksion fisnik dëshmojnë vetëdijen e lartë fetare dhe humane të besimtarëve tanë. Falë kontributit tuaj, edhe këtë vit u mundësua realizimi me sukses i këtij projekti të rëndësishëm, i cili përveç dimensionit fetar, ka edhe një mision të fuqishëm edukativo-arsimor dhe social.
Mirënjohje e pafund për myftinitë, imamët, këshillat e Xhamive, si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të angazhuar në organizimin, realizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të therjes dhe shpërndarjes së kurbanëve, të cilët me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij aksioni.
Një falenderim i veçantë për Diasporën tone të dashur, të cilët edhe këtë vit kontribuan me Kurbanët e tyre për mbarëvajtjen e institucioneve edukativo – arsimor. Me shpresë që kjo frymë të mos shuhet kurrë derisa të ekzistojë gjithësia.
Lusim Allahun e Madhëruar që të pranojë kurbanët, ibadetet dhe veprat tuaja të mira, t’ju shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme, t’ju dhurojë shëndet, begati dhe mirësi, si dhe të na mundësojë që edhe në vitet në vijim të vazhdojmë së bashku rrugën e solidaritetit, humanizmit dhe shërbimit ndaj fesë, arsimit fetarë dhe shoqërisë.
Allahu u’a pranoftë kurbanët dhe çdo vepër të mirë!
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





