• Çairska nr.52, Shkup 1000
  • Hën - Pre 8:00 - 16:00
Na ndiqni:
SHQ | MKD | ENG
  • Info:
  • Tel: + 389 2 3117 410
  • + 389 2 3117 410

REISUL-ULEMA SHAQIR EF. FETAHU MORRI PJESË NË CEREMONINË E DORËZIMIT TË MENSHURËS PËR REISUL-ULEMANË E RI TË BOSNJËS



Shpërndaje:

REISUL-ULEMA SHAQIR EF. FETAHU MORRI PJESË NË CEREMONINË E DORËZIMIT TË MENSHURËS PËR REISUL-ULEMANË E RI TË BOSNJËS

REISUL-ULEMA SHAQIR EF. FETAHU MORRI PJESË NË CEREMONINË E DORËZIMIT TË MENSHURËS PËR REISUL-ULEMANË E RI TË BOSNJËS
Sarajevë, 15 nëntor 2026
Reisul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, dr. Abdulxhemil Nesimi, drejtori i Medresesë “Isa Beu”, dr. Islam Islami, drejtori i Agjensionit për Hallall Standard, z. Driton Dikena, drejtori i Arkivit të BFI-së, mr. Habib Ebibi, si dhe përgjegjësi për marrëdhëniet me Bosnjë dhe Hercegovinën, Mr. Seadin Bilali, mori pjesë në ceremoninë solemne të dorëzimit të Menshurës dhe marrjes së detyrës Reisul-Ulema i ri i Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Nexhad ef. Grabus.
Ceremonia u zhvillua në Xhaminë historike të Gazi Husrev-beut në Sarajevë, në prani të personaliteteve të larta fetare, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, delegacioneve të bashkësive islame dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe figurave të shquara të jetës publike.
Në këtë ceremoni, Nexhad ef. Grabus mori zyrtarisht detyrën si Reisul-Ulema i 14-të i Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke pasuar Husein ef. Kavazoviçin, i cili udhëhoqi këtë institucion për 14 vite.
Aktin solemn të dorëzimit të Menshurës e realizoi kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ed’hem Biçakçiç.
Grabus: Bashkësia Islame është ixhtihadi ynë më i rëndësishëm i përbashkët
Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, Reisul-Ulema Nexhad ef. Grabus theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit institucional, forcimit të edukimit fetar dhe moral të brezave të rinj, si dhe hapjes së Bashkësisë Islame ndaj zhvillimeve bashkëkohore.
“Bashkësia Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë është një bashkësi e vetme dhe e bashkuar. Ajo është ixhtihadi ynë më i rëndësishëm i përbashkët. Në punën tonë do të përpiqemi të realizojmë programe që forcojnë unitetin e saj dhe njëkohësisht mundësojnë hapjen ndaj zhvillimeve të dobishme bashkëkohore”, deklaroi Grabus.
Ai nënvizoi rëndësinë e mejtepeve, xhemateve dhe institucioneve arsimore në formimin e brezave të rinj, duke theksuar se të rinjtë duhet të kenë hapësirë për të kontribuar në zhvillimin e Bashkësisë Islame.
Një vëmendje të veçantë i kushtoi edhe dialogut ndërfetar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve islame në rajon.
Në këtë kontekst, Reisul-Ulema Grabus përmendi edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe partneritet në trajtimin e çështjeve të rëndësishme për jetën fetare, kulturore dhe shoqërore të myslimanëve.
“Ne jetojmë në një mjedis pluralist, shumëfetar dhe demokratik; njëkohësisht jemi myslimanë dhe evropianë”, theksoi ai.
Kavazoviç: Ta ruajmë Bashkësinë Islame si trashëgiminë tonë më të çmuar
Në ceremoninë solemne, të pranishmëve iu drejtua edhe Reisul-Ulema në largim, Husein ef. Kavazoviç, i cili gjatë fjalimit të tij theksoi rëndësinë e vazhdimësisë institucionale, përgjegjësisë fetare dhe unitetit të besimtarëve.
“Ta ruajmë Bashkësinë Islame si trashëgiminë më të çmuar që kemi. Ajo është mburoja jonë, zëri ynë dhe shtëpia jonë e sigurt. Stuhitë politike dhe prirjet ideologjike kalimtare vijnë e shkojnë, por institucioni që mbështetet mbi devotshmërinë ndaj Zotit mbetet”, u shpreh Kavazoviç.
Ai i uroi pasardhësit të tij urtësi, durim dhe suksese në udhëheqjen e Bashkësisë Islame, duke u bërë thirrje dijetarëve dhe besimtarëve që të jenë mbështetje për udhëheqësin e ri.
Një ngjarje e rëndësishme për bashkëpunimin ndërmjet bashkësive islame në rajon
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë ceremoni paraqet një dëshmi të marrëdhënieve tradicionale vëllazërore dhe institucionale ndërmjet dy bashkësive islame.
Këto marrëdhënie, të mbështetura në vlera të përbashkëta fetare, historike dhe kulturore, përbëjnë një bazë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit islam, veprimtarisë fetare, ruajtjes së trashëgimisë, zhvillimit institucional dhe çështjeve me interes të përbashkët për myslimanët e rajonit.
Ceremonia e Menshurës, e cila mblodhi mbi 500 mysafirë nga 23 shtete, përfaqësoi një moment të rëndësishëm të vazhdimësisë institucionale dhe të afirmimit të rolit të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Nexhad ef. Grabus u zgjodh në detyrën e Reisul-Ulemasë më 10 tetor 2026, ndërsa mandati i tij do të zgjasë deri në vitin 2033.
Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përmes pjesëmarrjes së delegacionit të saj në këtë solemnitet, riafirmon rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve vëllazërore me Bashkësinë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, në frymën e unitetit, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen e institucioneve islame në rajon.
Shpërndaje: