REISUL ULEMA PRITI NË VIZITË PROF. DR. KHALIF MUAMMAR A. HARRIS NGA UNIVERSITETI UTM – KUALA LUMPUR DHE DEKANIN E FSI-SË NË PRISHTINË, PROF. DR. ISLAM HASANI
REISUL ULEMA PRITI NË VIZITË PROF. DR. KHALIF MUAMMAR A. HARRIS NGA UNIVERSITETI UTM – KUALA LUMPUR DHE DEKANIN E FSI-SË NË PRISHTINË, PROF. DR. ISLAM HASANI
Më 30 tetor (e xhuma), Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, priti në kabinetin e tij, në vizitë kortezie, Prof. Dr. Khalif Muammar A. Harris nga Universiteti UTM – Kuala Lumpur, të shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Prof. Dr. Islam Hasani.
Në fillim të takimit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, duke i falënderuar për vizitën dhe duke u uruar qëndrim të këndshëm në trevat tona.
Me këtë rast, Reisul Ulema i njoftoi mysafirët për veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, aktivitetet që zhvillon në fusha të ndryshme, projektet që janë në fazën përfundimtare të realizimit, si dhe ato që planifikohen të ndërmerren në të ardhmen. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që, në forma të ndryshme, kontribuojnë në krijimin e mundësive të reja dhe hapjen e horizonteve të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën akademike dhe shkencore.
Në vijim, Reisul Ulema vuri në pah resurset dhe potencialet me të cilat disponon aktualisht Bashkësia Fetare Islame e RMV-së dhe institucionet e saj edukativo-arsimore, duke i cilësuar ato si një bazë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve intelektuale, profesionale dhe shpirtërore.
Ai theksoi se, ndonëse Malajzia dhe trevat tona ndodhen mijëra kilometra larg njëra-tjetrës, distanca gjeografike nuk duhet të përbëjë pengesë për afrimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe personaliteteve akademike. Përkundrazi, ndërtimi i urave të komunikimit dhe forcimi i bashkëpunimit të ndërsjellë do të krijojnë mundësi të reja për të ecur së bashku në shërbim të Zotit, dijes dhe edukimit të mirëfilltë.
Nga ana e tyre, Prof. Dr. Khalif Muammar A. Harris dhe Prof. Dr. Islam Hasani falënderuan Reisul Ulemanë për pritjen dhe shprehën vlerësimin e tyre për angazhimin e Bashkësisë Fetare Islame në zhvillimin dhe avancimin e arsimit dhe veprimtarisë fetare. Njëkohësisht, ata e njoftuan Reisul Ulemanë për zhvillimin e jetës fetare në Malajzi, për pozitën dhe rëndësinë që i kushtohet edukimit dhe arsimit në këtë vend, si dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe konstruktiv në fusha të ndryshme të jetës fetare, shoqërore, akademike dhe shkencore.
Në përmbyllje të takimit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vizitën, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u ndau mysafirëve nga një plaketë të posaçme, si simbol i vlerësimit dhe nderimit për personalitetet që kontribuojnë në zhvillimin e jetës fetare, arsimore dhe intelektuale në shoqëritë muslimane.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





