REISUL ULEMA I BASHKËSISË FETARE ISLAME TË RMV-SË MORI PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “MEDRESETË TE SHQIPTARËT: HISTORI – TRASHËGIMI – KONTRIBUT”
Më 28 tetor 2026, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, me ftesë të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Mr. Naim ef. Tërnava, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Medresetë te shqiptarët: histori – trashëgimi – kontribut”, e organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame, në bashkëpunim me Medresenë e Mesme “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Në këtë ngjarje shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë rreth 60 studiues dhe referues, ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e studimit shkencor të historisë së medreseve dhe kontributin e tyre në zhvillimin arsimor, fetar e kombëtar të shqiptarëve.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai ishte i shoqëruar nga Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan Ismaili, drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, si dhe nga shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, drejtorë të Rijasetit, profesorë të Fakultetit të Studimeve Islame dhe profesorë të Medresesë “Isa Beu”.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit institucionalë theksuan rolin historik të medreseve si vatra të dijes, edukimit fetar dhe formimit intelektual, të cilat ndër shekuj kanë dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e traditës, zhvillimin e arsimit dhe kultivimin e vlerave kombëtare e kulturore të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai theksoi rëndësinë e medreseve në procesin edukativo-arsimor, duke vënë në pah rolin e ambientit të shëndoshë familjar, të nxënësit të vetëdijshëm për misionin e tij dhe të mësimdhënësit me profesionalizëm e moral të lartë.
Konferenca merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Medreseja “Alauddin” shënon 75-vjetorin e themelimit. Punimet shkencore synojnë të ndriçojnë më tej historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve në jetën arsimore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.
Pjesëmarrja e delegacionit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së në këtë konferencë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të angazhimit të përbashkët për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë arsimore e fetare shqiptare.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





