KRYETARI I BASHKËSISË FETARE ISLAME TË RMV, REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI, PRITI NË KABINETIN E TIJ PROF. DR. MURTEZA BEDIR
KRYETARI I BASHKËSISË FETARE ISLAME TË RMV, REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI, PRITI NË KABINETIN E TIJ PROF. DR. MURTEZA BEDIR
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga drejtori i Sektorit Fetaro-Arsimor, Mr. Hfz. Fejzulla Sadiki, priti në kabinetin e tij Kryetarin e Qendrës për Hulumtime Islame (ISAM) – Stamboll, Prof. Dr. Murteza Bedir, i shoqëruar nga Prof. Dr. Sulejman Kaya, Prof. Dr. Nail Okuyucu, Dr. Sevba Abdulla, Dr. Fatijon Shabani dhe Berat ef. Sadiki.
Në fillim të takimit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shprehu mirëseardhje delegacionit, duke e falënderuar Prof. Dr. Murteza Bedir për vizitën dhe duke i dëshiruar qëndrimi të këndshëm në vendin tonë.
Me këtë rast, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i njoftoi mysafirët për veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame, aktivitetet e saj në fusha të ndryshme, projektet që janë në përfundim e sipër, si dhe ato që planifikohen të realizohen në të ardhmen. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shprehu mirënjohjen e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Turqisë dhe të institucioneve të saj në krye me Presidentin z. Recep Tayyip Erdogan, duke vënë në pah marrëdhëniet e frytshme dhe bashkëpunimin konstruktiv që është ndërtuar ndër vite.
Në veçanti, Reisul Ulema vuri në spikamë bashkëpunimin e frytshëm me Presidencën për Çështje Fetare, me Drejtorinë e Përgjithshme të Vakufeve, me agjencionin TIKA e në veçanti me Qendrën për Hulumtime Islame (ISAM), të cilën e drejton Prof. Dr. Murteza Bedir. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, aktualisht po punohet për sjelljen në gjuhën shqipe të veprës madhore “Enciklopedia Islame”, një projekt me rëndësi të veçantë shkencore, kulturore dhe arsimore, i cili përbëhet nga tetë vëllime.
Ai theksoi se botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe përbën një kontribut të çmuar në pasurimin e literaturës islame, në zhvillimin e mendimit shkencor dhe në avancimin e kulturës e të arsimit islam ndër shqiptarët. Njëkohësisht, shprehu bindjen se kjo enciklopedi do t’u shërbejë studiuesve, studentëve, intelektualëve, institucioneve arsimore e fetare, si dhe të gjithë lexuesve të interesuar, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë hapësirën shqiptare, në Ballkan dhe në Botë.
Nga ana e tij, Prof. Dr. Murteza Bedir e falënderoi përzemërsisht Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen institucionale, duke vlerësuar lart gatishmërinë e tij për të pritur delegacionin, pavarësisht angazhimeve të shumta dhe agjendës së ngjeshur.
Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e zhvilluar ndërmjet institucioneve përkatëse, duke theksuar se marrëdhëniet e mira institucionale përbëjnë një bazë të rëndësishme për realizimin e projekteve të përbashkëta me vlera të qëndrueshme. Në këtë kontekst, ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet zyrtare të Republikës së Turqisë, si dhe bashkëpunimin e veçantë në fushën e zhvillimit të literaturës, arsimit dhe edukimit islam.
Prof. Dr. Murteza Bedir theksoi se qëllimi i vizitës ishte riafirmimi i bashkëpunimit ndërmjet ISAM-it dhe Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, forcimi i marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe vazhdimi i përkrahjes së projekteve me interes të përbashkët. Ai shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e botimeve shkencore, përkthimit të veprave me rëndësi për trashëgiminë islame dhe zhvillimit të literaturës në gjuhën shqipe.
Gjatë takimit u theksua se bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe Qendrës për Hulumtime Islame (ISAM) përfaqëson një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet institucioneve, studiuesve dhe traditave të pasura intelektuale të botës islame. Në këtë drejtim, u shpreh vullneti i përbashkët që bashkëpunimi ekzistues të zgjerohet përmes projekteve të reja në fushën e kërkimit shkencor, botimeve, përkthimeve, shkëmbimit të përvojave akademike dhe përgatitjes së literaturës cilësore për brezat e rinj.
Në fund të takimit, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i dhuroi Prof. Dr. Murteza Bedir një dekoratë të çmuar, me rëndësi dhe peshë institucionale.
Ndërkaq, Prof. Dr. Murteza Bedir i dhuroi Reisul Ulemasë disa nga botimet me vlerë të veçantë të Qendrës për Hulumtime Islame (ISAM) – Stamboll, si përmbledhjet më të vjetra të Sahihu’l-Buhariut, përmbledhjen e 26 fetvave të Akademisë Ndërkombëtare të Fetvave, si dhe veprën Tetimmetu’l-Keshshaf (Hashijetu’l-Çarperdi ale’l-Keshshaf), e përbërë nga dymbëdhjetë vëllime.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





