REISUL ULEMA PRITI NË TAKIM SHEFIN E RI TË SEKTORIT POLITIK DHE EKONOMIK TË AMBASADËS SË SHBA- SË NË SHKUP
REISUL ULEMA PRITI NË TAKIM SHEFIN E RI TË SEKTORIT POLITIK DHE EKONOMIK TË AMBASADËS SË SHBA- SË NË SHKUP
Shkup, 29 shtator 2026 – Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, priti në zyrën e tij Shefin e ri të Sektorit Politik dhe Ekonomik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, z. Bradley Gardner, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës për të Drejtat e Njeriut pranë Ambasadës së SHBA-së në Shkup, z. Andrew Kovtun.
Në fillim të takimit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe z. Gardner në detyrën e tij të re, duke i prezantuar atij një pasqyrë të përgjithshme mbi organizimin, funksionimin, misionin dhe veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame.
Gjatë prezantimit, Reisul Ulema Fetai theksoi rolin dhe kontributin e BFI-së në jetën fetare, arsimore, kulturore dhe shoqërore të vendit, si dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për promovimin e paqes, tolerancës, dialogut ndërfetar, bashkëjetesës dhe respektimit të vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut.
Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup. Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushat me interes të përbashkët.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Fetare Islame për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin me Ambasadën e SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe të partneritetit institucional në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit në shoqëri.
Në takim, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai shoqërohej nga z. Agron Vojnika, Drejtor i Shërbimit Informativ të BFI-së dhe përgjegjës për marrëdhëniet ndërmjet BFI-së dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dr. Abdulkerim Iseni, Shef i Kabinetit të Reisul Ulemasë, si dhe Hfz. Fejzullah Sadiki, Drejtor i Sektorit për Arsim dhe Kulturë në BFI.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, me mirëkuptim të ndërsjellë për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





