• Çairska nr.52, Shkup 1000
  • Hën - Pre 8:00 - 16:00
Na ndiqni:
SHQ | MKD | ENG
  • Info:
  • Tel: + 389 2 3117 410
  • + 389 2 3117 410

U PËRMBYLLËN ME SUKSES GARAT E KATËRTA NDËRKOMBËTARE TË KUR’ANIT FAMËLARTË – SHKUPI 2026



Shpërndaje:

U PËRMBYLLËN ME SUKSES GARAT E KATËRTA NDËRKOMBËTARE TË KUR’ANIT FAMËLARTË – SHKUPI 2026

U PËRMBYLLËN ME SUKSES GARAT E KATËRTA NDËRKOMBËTARE TË KUR’ANIT FAMËLARTË – SHKUPI 2026
Me një ceremoni solemne të mbajtur në Shkup, u përmbyllën Garat e Katërta Ndërkombëtare të Kur’anit Famëlartë për vendet e Ballkanit, të organizuara nga Ministria e Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit e Mbretërisë së Arabisë Saudite, në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ceremonia përmbyllëse mblodhi personalitete të larta fetare dhe diplomatike, përfaqësues të institucioneve islame nga vendet e Ballkanit, anëtarët e jurisë ndërkombëtare, garuesit dhe mysafirë të shumtë, duke kurorëzuar me sukses një aktivitet që për disa ditë e shndërroi Shkupin në qendër të promovimit të Kur’anit Famëlartë dhe të bartësve të tij.
Në ceremoni morën pjesë Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, z. Ahmed Harbi, Atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Sarajevë, Shejh Abdullatif bin Nasir Al-Husejni, kryetarë të bashkësive islame nga vendet e Ballkanit, myftinj, imamë, dijetarë dhe mysafirë të shumtë.
Programi filloi me leximin e ajeteve të Kur’anit Famëlartë nga njëri prej garuesve, ndërsa të pranishmit ndoqën edhe mesazhin video të Ministrit të Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Sh.T. Dr. Abdullatif bin Abdulaziz Al Sheikh, i cili theksoi rëndësinë e kujdesit ndaj Kur’anit Famëlartë, mbështetjes së hafizëve dhe bartësve të tij, si dhe përhapjes së vlerave të Islamit të mesëm, tolerancës dhe bashkëjetesës.
Në vazhdim u shfaq dokumentari kushtuar Kompleksit të Mbretit Fahd për Shtypjen e Mushafit Fisnik në Medinë, qendra më e madhe në botë për botimin, përkthimin dhe shpërndarjen e Kur’anit Famëlartë.
Me fjalë rasti të pranishmëve fillimisht iu drejtua Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, z. Ahmed Harbi, i cili përcolli përshëndetjet e udhëheqjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se kujdesi i Mbretërisë për Kur’anin Famëlartë dhe bartësit e tij mbetet ndër prioritetet kryesore të saj dhe se organizimi i kësaj gare është fryt i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit dhe Bashkësisë Fetare Islame.
Një vend të veçantë në ceremoni zuri fjalimi i Reisul Ulemasë, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili e cilësoi këtë aktivitet si një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare, arsimore dhe kulturore të organizuara në vendin tonë. Ai theksoi se Garat Ndërkombëtare të Kur’anit nuk janë vetëm një garë mes hafizëve dhe lexuesve të Kur’anit, por një manifestim madhështor i dashurisë ndaj Librit të Allahut, një shkollë edukimi për brezat e rinj dhe një urë bashkëpunimi që bashkon myslimanët rreth fjalës së Zotit.
Reisul Ulema shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit Muhamed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, si dhe Ministrit të Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit, Sh.T. Dr. Abdullatif bin Abdulaziz Al Sheikh, për përkujdesjen e vazhdueshme që Mbretëria e Arabisë Saudite i kushton Kur’anit Famëlartë, bartësve të tij dhe organizimit të garave ndërkombëtare kur’anore në mbarë botën.
Ai vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Çështjeve Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Bashkësisë Fetare Islame, duke theksuar se besimi i dhënë për organizimin e kësaj gare në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një nder i madh për institucionin dhe një përgjegjësi që do të vazhdojë të përmbushet me përkushtim në shërbim të Kur’anit Famëlartë dhe edukimit të brezave të rinj.
Një nga momentet më solemne të ceremonisë ishte ndarja e Çmimit për Shërbimin ndaj Kur’anit Famëlartë dhe për Përhapjen e Vlerave të Tolerancës dhe Luftës Kundër Urrejtjes për vitin 2026, të cilin Bashkësia Fetare Islame ia akordoi Ministrit të Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Sh.T. Dr. Abdullatif bin Abdulaziz Al Sheikh, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të Kur’anit Famëlartë dhe mbështetjen e programeve kur’anore në mbarë botën. Në emër të ministrit, çmimin e pranoi Zëvendës Ambasadori, z. Ahmed Harbi.
Në vijim u shpallën rezultatet përfundimtare të garës. Në kategorinë Hifz i plotë i Kur’anit, vendin e parë e fituan Alban Fehmi Duli nga Kosova dhe Suhejla Egriu nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Në kategorinë Hifz i 10 xhuzëve, fitues u shpallën Harith Elmir Ćusović nga Serbia dhe Bedia Marstavi nga Belgjika. Në kategorinë Hifz i 5 xhuzëve, vendin e parë e fituan Talha Sulejman Tretić nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kuki Zejneb nga Italia. Në kategorinë Hifz i 2 xhuzëve, fitues u shpallën Besmir Ilir Beka nga Shqipëria dhe Umra Erxhin Shala nga Kosova, ndërsa në kategorinë Tilavet – 5 xhuzë, vendin e parë e fituan Muhamed Nazim Murto nga Shqipëria dhe Aura Llezim Aziri nga Republika e Maqedonisë së Veriut. winners_ar.pdf
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në organizimin dhe suksesin e kësaj ngjarjeje, Bashkësia Fetare Islame ndau mirënjohje për Zëvendës Ambasadorin, z. Ahmed Harbi, Atasheun për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Sarajevë, Shejh Abdullatif bin Nasir Al-Husejni, si dhe Zëvendës Atasheun Fetar, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në realizimin e kësaj gare ndërkombëtare.
Mirënjohje u ndanë gjithashtu edhe për Komisionin Ndërkombëtar të Vlerësimit, të kryesuar nga Dr. Sami Al-Awaxhi, si dhe për anëtarët Dr. Abdullah Al-Faqih, Dr. Sabahuddin Jerebičanin, Dr. Abdulaziz Dërkić, Dr. Mustafa Dallku dhe Mr. Ferat Plakaj, për profesionalizmin, paanshmërinë dhe nivelin e lartë shkencor të treguar gjatë vlerësimit të garuesve.
Në përmbyllje të ceremonisë, organizatorët shprehën falënderime të veçanta për Mbretin Salman bin Abdulaziz Al Saud, Princin e Kurorës dhe Kryeministrin Muhamed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, si dhe për Ministrinë e Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, për mbështetjen e vazhdueshme në shërbim të Kur’anit Famëlartë dhe bartësve të tij.
Me këtë ceremoni u përmbyll me sukses një tjetër edicion i Garave Ndërkombëtare të Kur’anit Famëlartë, duke dëshmuar edhe një herë se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të japë fryte të çmuara në shërbim të Kur’anit Famëlartë, bartësve të tij dhe promovimit të vlerave universale të Islamit.
Shpërndaje: