REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI NDEROHET ME “ÇMIMIN PËR ARRITJE TË VEÇANTA” (ACHIEVEMENT AWARD)
REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI NDEROHET ME “ÇMIMIN PËR ARRITJE TË VEÇANTA” (ACHIEVEMENT AWARD)
Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, është nderuar me “Çmimin për Arritje të Veçanta” (Achievement Award), të akorduar nga organizata BlockBuzz, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të shquar në udhëheqjen e Bashkësisë Fetare Islame dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e dialogut ndërfetar, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore.
Çmimi iu dorëzua nga Prof. Dr. Dustin Plantholt, Drejtor Ekzekutiv i BlockBuzz, i cili, gjatë fjalës së tij, vlerësoi lidershipin e Reisul Ulemas, përkushtimin e tij në ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve dhe rolin e tij në afirmimin e vlerave universale të paqes, dialogut dhe bashkëpunimit.
Në ceremoninë solemne morën pjesë personalitete të shquara nga jeta shtetërore, fetare dhe shoqërore. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të bashkësive fetare, si dhe znj. Olivera Trajkovska, Drejtoreshë e Komisionit për Marredhënie me Bashkësite Fetare dhe Grupet Religjioze. Delegacioni ndërkombëtar u kryesua nga Prof. Dr. Dustin Plantholt, ndërsa pjesë e tij ishin Fadi Elsalameen, William McClure, Dr. Lisa Corsa dhe Riadh Bouaziz, Arben Çejku, Ylli Paja dhe personalitete tjera të njohura.
Me rastin e pranimit të këtij vlerësimi, Reisul Ulema shprehu mirënjohjen e tij ndaj organizatës BlockBuzz dhe të gjithë atyre që e kanë vlerësuar këtë angazhim, duke theksuar se ky çmim është një vlerësim jo vetëm për të personalisht, por edhe për Bashkësinë Fetare Islame, bashkëpunëtorët e saj dhe të gjithë ata që punojnë për kultivimin e dialogut, respektit dhe bashkëjetesës.
Ky vlerësim ndërkombëtar përbën një dëshmi të respektit që gëzon Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut në promovimin e dialogut ndërfetar dhe të vlerave universale, si dhe një nxitje për të vazhduar misionin e saj në shërbim të paqes, mirëkuptimit dhe dinjitetit njerëzor.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





