• Çairska nr.52, Shkup 1000
  • Hën - Pre 8:00 - 16:00
Na ndiqni:
SHQ | MKD | ENG
  • Info:
  • Tel: + 389 2 3117 410
  • + 389 2 3117 410

BFI shënon Vitin e Ri Islam Hixhri 1448 me një manifestim madhështor nën patronazhin e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetait



Shpërndaje:

BFI shënon Vitin e Ri Islam Hixhri 1448 me një manifestim madhështor nën patronazhin e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetait

BFI shënon Vitin e Ri Islam Hixhri 1448 me një manifestim madhështor nën patronazhin e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetait
Me një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga jeta fetare, publike, politike, akademike dhe kulturore, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut shënoi manifestimin qendror me rastin e Vitit të Ri Islam Hixhri 1448.
Manifestimi u mbajt nën patronazhin e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, ku morën pjesë myftinj, imamë, profesorë, përfaqësues të institucioneve, besimtarë dhe dashamirë të shumtë të BFI-së.
Programi u zhvillua në sallën e DoubleTree by Hilton – Shkup, ndërsa u moderua dhe prezantua nga Fejzulla Sadiki dhe u transmetua drejtpërdrejt në TVM2.
Manifestimi filloi me leximin e bukur të ajeteve kur’anore nga Hfz. Berkin Veseli, duke i dhënë solemnitetin e duhur këtij tubimi kushtuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë islame – Hixhretit të Pejgamberit Muhamed a.s..
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai theksoi rëndësinë shpirtërore, historike dhe civilizuese të Hixhretit, duke nënvizuar se ky udhëtim nuk është vetëm një ngjarje historike, por një mesazh i përhershëm për ndryshim pozitiv, sakrificë, shpresë dhe përkushtim ndaj vlerave të larta njerëzore.
Duke iu referuar ajetit kur’anor:
“Vërtet, ata që besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, këta shpresojnë në mëshirën e Allahut. E Allahu është Falës dhe Mëshirues.”
(El-Bekare, 2:218)
Reisul Ulema Fetai tha se Hixhreti simbolizon kalimin nga vështirësia drejt shpresës, nga errësira drejt dritës, nga dobësia drejt fuqisë së besimit dhe moralit.
Ai theksoi se mesazhi i Hixhretit në kohën e sotme është më i nevojshëm se kurrë:
“Hixhreti jonë sot është rrugëtimi nga padituria drejt dijes, nga urrejtja drejt dashurisë, nga përçarja drejt bashkimit, nga padrejtësia drejt drejtësisë, nga mëkatet drejt pendimit dhe nga largimi prej Allahut drejt afërsisë me Të.”
Në kuadër të programit u shfaq edhe dokumentari “Bashkësia Fetare Islame e RMV – Një vit punë, angazhim, përpjekje dhe plot sfida”, i cili prezantoi aktivitetet, projektet dhe angazhimet e BFI-së gjatë vitit të kaluar.
Publiku pati mundësi të ndjekë edhe programin artistik me pjesëmarrjen e Korit të Medresesë “Isa Beu”, nën udhëheqjen e Mr. Elyesa Asanit, Prof. Dr. Abaz Jahjas dhe Azra Pajazitovskës, si dhe monologun e interpretuar nga Blerim Ismani.
Atmosferë të veçantë solli mysafiri special, interpretuesi i njohur i ilahive Mesut Kurtish, i cili përmes interpretimit të tij shpirtëror përmbylli pjesën artistike të manifestimit.
Një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte ndarja e Çmimit “Myfti Vehbi Dibra”, si vlerësim për kontributet dhe angazhimet në shërbim të fesë dhe komunitetit.
Çmimi iu nda:
Dr. Qenan ef. Ismaili – Myfti i Myftinisë së BFI-së – Shkup
Mr. Nasir Rexhepi – Myfti i Myftinisë së BFI-së – Shtip
Prof. Dr. Naser Ramadani – Profesor në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup
Mr. Nuhi Ali – Kryetar i OEMVP
dhe TV GLOBI
Në këtë manifestim u bë edhe ndarja e diplomave për hafizët e rinj, të cilët përfunduan me sukses memorizimin e Kur’anit Famëlartë. Diplomat iu dorëzuan nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në shoqërinë e Myftiut të Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili dhe Myftiut të Tetovës Dr. Selver ef. Xhemaili.
Hafizët e nderuar janë:
Hfz. Jetmir Murtezani
Hfz. Shuajb Sadiki
Hfz. Slahaddin Mert Baki
Hfz. Amar Fejzuli
Hfz. Rumesa Sefa
Hfz. Liridon Ceka
Hfz. Isra Sejfulla
Hfz. Dino Smailagiq
Hfz. Semir Shaipi
Hfz. Emre Nesimi
Hfz. Hamza Abazi
Hfz. Ajan Ibraimi
Hfz. Afan Nuhiju
Hfz. Emre Idrizi
Hfz. Elmira Elmazi
Hfz. Nusejba Asllani
Hfz. Mizan Lush
Hfz. Adem Muça
Hfz. Berkin Veseli
Hfz. Tarik Alija
Hfz. Erhan Saliu
Hfz. Ramazan Zejnullovski
Hfz. Talha Neziri
Hfz. Husna Xhemaili
Hfz. Jumna Xhemaili
Hfz. Nusret Mustafovski
Manifestimi qendror i Vitit të Ri Islam Hixhri 1448 u përmbyll me lutje për paqe, mirësi, unitet, begati dhe suksese për familjet, shoqërinë, diasporën dhe gjithë njerëzimin.
Viti i Ri Islam Hixhri 1448 u shënua kështu si një moment reflektimi, falënderimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore për të gjithë besimtarët myslimanë në vend dhe më gjerë.
Shpërndaje: