Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai mori pjesë në pritjen solemne me rastin e ditëlindjes së Mbretit Charles III
Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai mori pjesë në pritjen solemne me rastin e ditëlindjes së Mbretit Charles III
Shkup, 9 qershor 2026 – Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, z. Matthew Lawson, dhe bashkëshortja e tij, znj. Enrica Vida, me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III.
Ceremonia u mbajt më 9 qershor 2026 në hotelin Limak në Shkup, në praninë e përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, bashkësive fetare, organizatave ndërkombëtare dhe personaliteteve të jetës publike në vend.
Me këtë rast, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai përcolli urimet e tij për Mbretin Charles III dhe popullin britanik, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe rolin e rëndësishëm që diplomacia britanike luan në promovimin e dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve dhe kulturave.
Pjesëmarrja e Reisul Ulemas në këtë ngjarje përfaqëson angazhimin e vazhdueshëm të Bashkësisë Fetare Islame për kultivimin e marrëdhënieve të mira me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për promovimin e vlerave të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar.
Në fund të pritjes, Reisul Ulema pati rastin të zhvillojë takime dhe biseda miqësore me përfaqësues të trupit diplomatik dhe personalitete të tjera të pranishme në këtë manifestim solemn.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





