Përfundoi me sukses Konferenca e 5-të Ndërkombëtare për teknologjinë ushqimore dhe nutricion, me fokus në Standardin Hallall
Përfundoi me sukses Konferenca e 5-të Ndërkombëtare për teknologjinë ushqimore dhe nutricion, me fokus në Standardin Hallall
Me pjesëmarrje të gjerë të studiuesve nga vendi dhe jashtë, sot përfundoi Konferenca e 5-të Shkencore Ndërkombëtare që u organizua nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në bashkëpunim me Agjensionin për Hallall Standard, që funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame (BFI).
Konferenca ishte pjesë e International Congress on Natural, Health Sciences and Technology, dhe përfshiu sesione paralele mbi teknologjinë ushqimore dhe nutricionin, me theks të veçantë në temat: “Hallall Edukimi” dhe “Ushqimi Hallall”. Diskutimet shkencore u përqendruan në sistemet e ushqimit hallall dhe rolin e tyre në tregjet globale, duke i vendosur këto çështje në qendër të vëmendjes akademike dhe profesionale.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Reisul Ulema i BFI-së, hfz. h. Shaqir ef. Fetahu, theksoi rëndësinë e kësaj konference për të forcuar lidhjen ndërmjet vlerave fetare dhe shkencës moderne. Ai përgëzoi studiuesit për prurjet e tyre shkencore dhe nënvizoi se “standardi hallall nuk është vetëm një normë fetare, por edhe një koncept me bazë shkencore që garanton sigurinë dhe pastërtinë ushqimore.”
Po ashtu, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof. dr. Xhezair Idrizi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërinstitucionale, duke i cilësuar ato si hallka të pazëvendësueshme për zhvillimin e qëndrueshëm akademik dhe profesional, sidomos në fushën e sigurisë ushqimore dhe etikës shkencore.
Konferenca njëditore përmbylli punimet me konkluzione që theksojnë nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet institucioneve arsimore, fetare dhe profesionale për të avancuar edukimin dhe standardizimin hallall si një fushë e integruar në zhvillimet globale.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





