KONFERENCË NË TIRANË: PROMOVOHET VEPRA VOLUMINOZE “EL – IHTIJARI” NË GJUHËN SHQIPE BOTUAR NGA TRE BASHKËSITË ISLAME: SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MAQEDONISË SË VERIUT
KONFERENCË NË TIRANË: PROMOVOHET VEPRA VOLUMINOZE “EL – IHTIJARI” NË GJUHËN SHQIPE BOTUAR NGA TRE BASHKËSITË ISLAME: SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MAQEDONISË SË VERIUT
Më 13.Djetor 2025 në ambientet e hotelit Tirana International, u mbajt konferenca shkencore me temë “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”, e organizuar me rastin e promovimit të veprës së njohur voluminoze “El-Ihtijâr li-Ta‘lîl el-Muhtâr” të Imam Ebu’l-Fadl Abdullah ibn Mevdud el-Mevsilî, një nga veprat themelore të fikhut hanefi.
Kjo vepër, e cila së fundmi është sjellë në gjuhën shqipe, përbën një projekt të përbashkët të tre bashkësive fetare islame shqiptare: Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, duke shënuar një hap të rëndësishëm në pasurimin e literaturës juridike islame në gjuhën shqipe dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Konferenca u hap me fjalë përshëndetëse nga drejtuesit më të lartë të këtyre institucioneve fetare: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Muftiu i Kosovës, H. Naim Tërnava, si dhe Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Në fjalimet e tyre, ata theksuan rëndësinë e veprës “Ihtijar” në ruajtjen, sistematizimin dhe zhvillimin e trashëgimisë juridike islame, si dhe domosdoshmërinë e një qasjeje të thellë shkencore në studimin dhe interpretimin e saj.
“Ky përkthim plotëson një boshllëk shkencor që ka ekzistuar për dekada, pasi shumë nga veprat kryesore hanefite ende nuk janë përkthyer saktësisht në gjuhët ballkanike. Disponimi i përkthimit të librit El Ihtijar për lexuesin shqiptar përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e studimeve juridiko-fetare, zhvillimin e kurrikulave të edukimit islam, lehtësimin e qasjes në trashëgiminë e medhhebit dhe konsolidimin e identitetit shkencor të myslimanëve në këtë rajon,” – tha Kryetari Spahiu.
Ceremonia vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Kosovës, H. Naim ef. Tërnava, i cili e vlerësoi botimin në shqip të veprës “El Ihtijar li Ta‘lîli-l-Muhtâr” si një ngjarje me rëndësi të veçantë shkencore dhe fetare për të gjithë besimtarët myslimanë të hapësirës shqipfolëse.
“Është kënaqësi të shohim një moment të tillë në Tiranë, ku tri bashkësitë islame shqiptare bëjnë një botim të përbashkët. Një nismë e çmuar, që meriton vlerësim dhe vazhdimësi në projekte të tjera bashkuese. Le të shërbejë kjo vepër si frymëzim për projekte të tjera shkencore, për përkthime të reja, për studime të thelluara dhe për nisma që pasurojnë korpusin tonë akademik. Le të jetë një kujtesë se dija është një mision, një përkushtim dhe një trashëgimi që meriton t’u transmetohet brezave me dinjitet, me saktësi dhe me respekt,” – u shpreh Myftiu Tërnava.
Ndërsa Kryetari i BFI-së në RMV, Reisul Ulema Shaqir Fetai, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të tre komuniteteve fetare si jetike në misionin tonë të përbashkët të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave dhe normave tona fetare islame tek brezat e rinj, por edhe tek e gjithë ajo kategori që synon të thellohet në literaturën islame.
“Ky përkthim është akt strategjik, akt kulturor, akt fetar dhe, mbi të gjitha, akt kombëtar, sepse ky libër, tashmë i përkthyer, u jep mundësi brezave të rinj që të mos varen nga përkthime të huaja, por të njohin traditën e tyre fetare në gjuhën e tyre amtare. Ihtijari, në këtë mënyrë, bëhet jo vetëm vepër e përkthyer, por platformë e përbashkët metodologjike, bosht unifikues dhe simbol i kohezionit fetar ndërshqiptar. Ai na kujton se kufijtë politikë janë të rastësishëm në raport me thelbin e identitetit tonë fetar dhe se ajo që na bashkon, si feja, tradita, gjuha dhe amaneti i dijes, është shumë më e thellë sesa gjithçka që mund të na ndajë,” – tha ai.
Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, konferenca vijoi më tej me promovimin e veprës në fjalë nga z. Sabri ef. Bajgora, Bashkësia Fetare Islame e Kosovës, Mr. Mafiz Rustemi, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe z. Dorian Demetja, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Në këtë konferencë, si përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i cili foli mbi ” Vlerën shkencore dhe pedagogjike të veprës El-Ihtijar në mësimdhënjen e jurisprudencën islame”
Delegacionin e BFI-së e shoqëruan edhe Mr. Musanif ef. Rufati, Drejtor I Sektorit për shkencë, kulturë dhe botime dhe Driton Dikena, drejtor I Agjensionit për Hallall Standard.
Konferenca u vlerësua si një platformë e rëndësishme shkencore për shkëmbim mendimesh, thellim të dialogut akademik dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e studimeve islame në hapësirën shqiptare, duke dëshmuar një përkushtim të përbashkët ndaj trashëgimisë klasike islame dhe nevojave bashkëkohore të dijes.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





