PROF. DR. SHINAZI MEHMETI DEKOROHET ME ÇMIM NGA KOMISIONI PËR MARRËDHËNIE ME BASHKËSITË FETARE DHE GRUPET RELIGJIOZE
PROF. DR. SHINAZI MEHMETI DEKOROHET ME ÇMIM NGA KOMISIONI PËR MARRËDHËNIE ME BASHKËSITË FETARE DHE GRUPET RELIGJIOZE
Me 11.12.2025, në ambientet e Filharmonisë së Maqedonisë, u ndanë çmimet prestigjioze “Veljo Mançevski”, një event që tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar në vend.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Muftinjtë e BFI-së, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, si dhe drejtues të lartë të sektorëve të Rijasetit. Prania e delegacionit të BFI-së e theksoi edhe më tej peshën e manifestimit.
Në mesin e të ftuarve të lartë ishte edhe Presidentja e shtetit, znj. Gordana Siljanovska Davkova, e cila iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, si dhe udhëheqësit më të lartë të të gjitha bashkësive fetare të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë ngjarjes karakter të qartë ndërinstitucional.
Nga Bashkësia Fetare Islame, çmimin e pranoi Prof. Dr. Shinazi Mehmeti, në vlerësim të personalitetit të tij dhe veprimtarisë shumëvjeçare në fushën shkencore, intelektuale dhe fetare. Përkushtimi i tij në edukimin fetar, kontributi akademik dhe roli i pandërprerë në forcimin e kohezionit shoqëror dhe bashkëjetesës ndërfetare u vlerësuan si shembull i një modeli udhëheqjeje me vizion dhe përgjegjësi.
Çmimet u ndanë nga drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, znj. Olivera Trajkovska, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare si garanci për stabilitetin dhe harmoninë shoqërore.
Çmimi “Veljo Mançevski” jepet si mirënjohja më e lartë vjetore për persona juridikë dhe fizikë, të cilët me angazhimin, veprimtarinë dhe punën e tyre kanë dhënë një kontribut të përhershëm në zhvillimin dhe thellimin e segmenteve të rëndësishme të jetës fetare në shtet.
BFI përgëzon Prof. Dr. Shinazi Mehmetin për këtë vlerësim të merituar dhe e çmon lart rolin e tij në shërbim të fesë, dijes dhe shoqërisë.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





