40 VJET MEDRESEJA ISA BEU ARSIMIM, FE, EDUKIM DHE SHKENCË!
40 VJET MEDRESEJA ISA BEU
ARSIMIM, FE, EDUKIM DHE SHKENCË!
Më 18 dhjetor (e mërkurë), në Teatrin Kombëtar Shqiptarë në Shkup, nën patronazhin e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u shënua manifestimi i 40 vjetorit të themelimit të SHMI Medreseja “Isa Beu” – Shkup, manifestim ky i cili bëri bashkë profesorët, ish drejtorët dhe shumë nxënës të kësaj vatre mësimore.
Manifestimin me prezencën e tyre e nderuan shumë personalitete të shquara të jetës fetare, politike dhe shoqërore nga vendi dhe jashtë, duke filluar nga kreu u Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai me gjithë bashkëpunëtorët e tij, myftinjtë dhe drejtorët e Rijasetit. Kryetarët e komunave Saraj, Haraçinë dhe Bogovinë, afaristë të njohur që gjithmonë i kanë qëndruar afër Medresesë, përfaqësues të ambasadave dhe shoqatave të ndryshme. Gjithashtu këtë manifestim e nderuan edhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe muftiut Naim Ef. Tërnava, Ahmed Sadrija, dhe kryeimami i Kosovës, Kryeimami Vedat ef. Sahiti, dekani i ri i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi bashkë me homologun e tij nga Prishtina, dekanin e FSI-së, Prof. Dr. Islam Hasani, pastaj drejtori i Medrsesë Haxhi Sheh Shamia – Shkodër, drejtori i Medresesë Alaudin në Prishtinë, Fadil Hasani, drejtori i Gjimnazit Islam “Dr. Ahmed Smajloviq” në Zagreb, Mevludi Arsllani dhe atasheu për çështje fetare në ambasadën e Republikës së Türkiye-së në Shkup, Hafiz Mustafa Bodur.
Programi filloi me këndimin e bukur nga Kurani fisnik nga hafizi i njohur Xhemail Nuhiju, ndërsa më pas në skenë u ngjit nikoqiri i këtij manifestimi, drejtori i Medresesë Isa Beu, Dr. Islam Islami i cili tha se sot është kënaqësi e veçantë për gjithë besimtarët e këtij nënqielli dhe dashamirët e dijes dhe islamit, sepse Medreseja jonë e dashur feston jubileun e 40.
Në kohën kur mësimi në gjuhën shqipe nga regjimi i atëhershëm komunist shihej si gjë e rrezikshme, Bashkësia Islame bashkë me besimtarët dhe intelektualët e kohës morën nismën më të mirë që ndonjëherë ishte bërë për besimtarët e vendit. Ky vendim nuk ishte aty për aty, por ishte ëndërr shumë shekullore e besimtarëve tonë. Për ndërtimin e kësaj vatre arsimore, besimtarët e vendit dhanë gjithçka, gratë dhuruan hallkat, gjerdanët dhe unazat e tyre, burrat nuk kursyen mundin dhe kafshatën e tyre. Dhanë gjithçka për këtë Medrese. Sot me krenari mund të themi se kuadrot që dolën nga kjo Medrese janë bartës të pozitave dhe shkëlqejnë në shumë qendra islame në vend dhe gjithandej në botë. Në fund drejtori falënderoi Bashkësinë Fetare Islame dhe gjithë ata që ndër vite e ndihmuan dhe e mbajtën në jetë Medresenë Isa Beu.
Më pas nxënësja Amra Ismaili emocionoi të pranishmit me poezinë e saj enkas për Medresenë Isa Beu.
Më pas të pranishmit në emër të muftiut të Republikës së Kosovës, Naim Tërnava i përshëndeti përfaqësuesi i BIK-ut, Ahmed Sadrija i cili tha se është kënaqësi kur njeriu merr pjesë në jubile të një medreseje kaq të suksesshme. Kënaqësi kur mëson për suksesin, punën dhe ecurinë e kësaj vatre të dijes. Pasi jam përgjegjës i diasporës në BIK, gjithandej në Evropë dhe më gjerë kam takuar shumë kuadro që të fascinojnë me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre. Ata janë njerëz që kanë dalë pikërisht nga kjo vatër arsimore. Urime, shumë suksese dhe dhashë Zoti kjo vatër të vazhdojë të shndrisë përgjithmonë.
Më pas në skenë doli ilahisti Furkan Zendeli me një ilahi të përgatitur enkas për këtë manifestim, për Medresenë Isa Beu.
Të pranishmëve më pas iu drejtua njeriu i parë i BFI të RMV – së, ai që mbi supet e tij mban përgjegjësinë dhe kujdesin për jetën fetare në vend, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai.
Pasi i përshëndeti të pranishmit, Reisul Ulema tha se sot, të gjithë ne në këtë ambient jemi të privilegjuar dhe krenarë që po shënojmë një përvjetor shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në historikun e arsimit dhe edukimit të popullatës sonë në këtë nënqiell, po shënojmë 40-vjetorin e punës edukative dhe arsimore të Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup, që është një jubile katër dekadëshe i përkushtimit, sakrificës dhe suksesit në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. Ky rrugëtim misionar i kësaj vatre të arsimit filloi në vitin shkollor 1984/1985, kur pas shumë përpjekjesh dhe sfidash, Kryesia e atëhershme e Bashkësisë Fetare Islame arriti të ndërtojë objektin e ri të kësaj shkolle dhe atë ta lëshojë në përdorim.
Duke pasur parasysh rrethanat e asaj kohe kur shkollimi i shqiptarëve, jo vetëm te ne por në tërë territorin e ish-Federatës Jugosllave ishte i kufizuar dhe i kontrolluar nga ish-sistemi komunist, hapja e Medresesë Isa Beu në Shkup ishte një shpresë e madhe drejt një kthese historike, në zhvillimin dhe ngritjen e shkollimit ndër ne.
Me plotë të drejtë mund të konstatojmë se Medreseja Isa Beu gjatë katër dekadave plotësisht e kreu rolin e vet për të cilin dhe u themelua, duke shkolluar dhe edukuar breza të tërë, bij dhe bija të popullatës sonë në vend. Këtë e vërteton edhe fakti se kuadri i diplomuar në Medresenë Isa Beu, është pjesë e jetës publike të shoqërisë sonë.
Reisul Ulema theksoi edhe dimensionin kombëtarë të Medresesë Isa Beu.
Medreseja Isa Beu në vitin 1991, hapi dyert për shkencëtarët e çështjes shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të mbajtur simpoziumin shkencor “Shqiptarët e Maqedonisë”, ku Medreseja ishte organizatore dhe nikoqir i të gjithë pjesëmarrësve në këtë simpozium.
Reisul Ulema falënderoi të gjithë besimtarëve dhe atyre që ndihmuan Medresenë.
“Në këtë 40-vjetor, falënderojmë nga zemra të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e Medresesë Isa Beu. Le të vazhdojmë të ecim përpara së bashku, duke e çuar këtë institucion të nderuar në nivele të reja suksesi. Urime 40-vjetori i Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu”!
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj të vazhdueshëm”. Reisul Ulema në fund posaçërisht falënderoi të gjithë ish kryetarët e BFI-së, Bedri Hamidin, Jakup Selimovskin, Arif Eminin dhe Sulejman Rexhepin për kontributin e tyre të madh për Medresenë dhe jetën fetare në vend.
Më pas me mirënjohje u dekoruan ish drejtorët e Medresesë, Prof. Sabahudin Mahmudi, Peof. Bahri Aliu, Prof. Dr. Muhamed Mustafa, Ibrahim Idrizi si dhe Muhamed Iseni (post mortum).
Gjithashtu mirënjohje u ndanë edhe për profesorët veteranë të Medresesë, Rexhep Osmani, Sadrija Hasanoviq, Mahir Asani, Hamdi Iljazi, Jusuf Çolloviq, Shafi Osmani, Shabi Sinani, Gajur Beluli, Besir Imeri, Sheval Azizi, Isa Ismaili dhe Elez Ismaili. Mirënjohje iu nda edhe Reisul Ulema, H. Hfz Shaqir Ef. Fetai për mbështetjen dhe kontributin e tij.
Më pas të pranishmit ndoqën dokumentarin e përgatitur për ecurinë e Medresesë Isa Beu që nga themelimi e deri sot.
Në fund programi u mbyll me performimin e disa ilahijeve nga kori i medresesë nën udhëheqjen e Eljesa Asanit, ndërsa befasia e fundit ishte performimi i ilahistit me përmasa botërore, Mesut Kurtish i cili këndoi ilahi për Medresenë Isa Beu.
Moderator i programit ishte prezantuesi i njohur, Avdi Bakiu.
Allahu ju bekoftë!
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





