REISUL ULEMA MORI PJESË NË HAPJEN SOLEMNE TË XHAMISË SË RE “FIRDAUS” NË TETOVË
REISUL ULEMA MORI PJESË NË HAPJEN SOLEMNE TË XHAMISË SË RE “FIRDAUS” NË TETOVË
Nën praninë e një numri të madh besimtarësh dhe nën jehonën e tekbireve, në qytetin e Tetovës u bë hapja solemne e Xhamisë së re “Firdaus”.
Në këtë ngjarje madhore morën pjesë Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, Kryetari i Komunës së Tetovës, Dr. Bilal Kasami, Drejtori i Përgjithshëm i Medresesë, Dr. Islam ef. Islami, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, drejtorë nga Rijaseti, koordinatori i Medresesë së vajzave në Tetovë, profesorë të Medresesë, imamë, si dhe xhemat i shumtë nga Tetova dhe rrethina.
Në fillim u lexua një pjesë nga Kurani Famëlartë nga Hfz. Idriz ef. Osmani, ndërsa më pas Hoxha Ibrahim ef. Alija foli për historikun e ndërtimit të Xhamisë “Firdaus”, duke prezantuar rrugëtimin, përpjekjet dhe angazhimin që çuan në realizimin e këtij objekti të rëndësishëm fetar.
Fjalën përshëndetëse e mbajti Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, i cili ndau momente emocionale nga fillimet e ndërtimit të xhamisë dhe vlerësoi përkushtimin e xhematit dhe donatorëve.
Fjala kryesore iu dha Reisul Ulemasë, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për vlerën dhe rolin e xhamisë në jetën fetare dhe shoqërore. Duke cituar ajetin kuranor: ”Xhamitë e Allahut i ndërtojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që e falin namazin, e japin zekatin dhe nuk i frikësohen askujt përveç Allahut”, ai theksoi se në këtë xhami dallohen qartë dy dimensione: forca dhe bukuria.
Sipas tij, forca dëshmon rrënjët e thella të muslimanëve në këto troje historike, ndërsa bukuria është shenjë e një të ardhmeje të ndritur për shoqërinë.
Reisul Ulema nënvizoi se xhamitë nuk janë vetëm mure, por institucione që formojnë njerëz të përkushtuar ndaj vlerave dhe veprave të mira, ndërtojnë shoqëri me moral e etikë të shëndoshë, në shërbim të të tjerëve, që forcojnë familjen dhe promovojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën.
Në fund, Reisul Ulema ua bëri për hajr të gjithve hapjen e xhamisë së re, duke bë lutje që Allahu t’i shpërblejë të gjithë donatorët dhe kontribuesit, ata që ndihmuan me pasuri, lutje dhe fjalë të mira, por edhe ata që shfaqën skepticizëm, sepse edhe kjo ka shërbyer si nxitje për të mos u ndalur në rrugën e ndërtimit.
Nga Reisul Ulema iu nda edhe dekreti i emërimit imam hoxhës Florent ef. Alili, i cili do të shërbejë si imam në Xhaminë e re “Firdaus”.
Në përmbyllje të programit, lutjen përfundimtare e bëri drejtori i Medresesë, ndërsa programin e moderoi sekretari i Myftinisë së Tetovës, Samir ef. Fazliji.
Hutben e xhumasë e mbajti drejtori i Sektorit për Kulturë dhe Shkencë, Mr. Musanif ef. Rufati, ndërsa namazin e xhumasë e udhëhoqi vetë Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Allahu ju bekoftë.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





