• Çairska nr.52, Shkup 1000
  • Hën - Pre 8:00 - 16:00
Na ndiqni:
SHQ | MKD | ENG
  • Info:
  • Tel: + 389 2 3117 410
  • + 389 2 3117 410

ISRAJA DHE MI’RAXHI – MREKULLI E ZOTIT TË MADHËRISHËM DHE INSPIRIM I GJALLË I IDEVE PËR TË GJITHA KOHËRAT



Shpërndaje:

ISRAJA DHE MI’RAXHI – MREKULLI E ZOTIT TË MADHËRISHËM DHE INSPIRIM I GJALLË I IDEVE PËR TË GJITHA KOHËRAT

ISRAJA DHE MI’RAXHI – MREKULLI E ZOTIT TË MADHËRISHËM DHE INSPIRIM I GJALLË I IDEVE PËR TË GJITHA KOHËRAT
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ
سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
NË EMËR TË ALLAHUT MËSHIRUESIT MËSHIRËPLOTIT
“I Lartësuar qoftë Ai që e bëri robin e Tij të udhëtojë natën nga Mesxhidul-Haram në Xhaminë Aksa, rethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është që Dëgjon dhe Shikon çdogjë.” (El-Isra, 1)
Nata e Israsë dhe Miraxhit nuk është vetëm një ndodhi madhore e historisë islame, por një pikë kyçe e vetëdijes njerëzore, ku feja, dija dhe morali ndërthuren në mënyrën më të thellë. Që në fillim të ajetit kuranor, Allahu i Lartësuar e hap këtë ngjarje me madhërimin e Vet: Subhâne-l-ledhi -“I Lartësuar qoftë Ai …, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një vepër hyjnore të jashtëzakonshme, reale dhe të qëllimshme, në të cilën Ai e ngriti robin e Tij në sferat më të larta të ekzistencës, me trup dhe shpirt.
Ky theksim hyjnor është themelor, sepse përjashton çdo interpretim që e redukton Isranë dhe Miraxhin në përjetim subjektiv apo simbol alegorik. Kur’ani përdor termin ʿabd – rob – për të shprehur njeriun e plotë, të përbërë nga shpirti dhe trupi, nga dimensioni material dhe ai shpirtëror. Kjo na mëson se Islami nuk e ndan njeriun në fragmente, por e sheh atë si njësi të pandashme, ku ngritja shpirtërore nuk realizohet duke mohuar realitetin material, por duke e orientuar atë drejt qëllimit të tij të drejtë.
Për këtë arsye, Israja dhe Miraxhi, si vepër e Allahut me vlerë absolute dhe universale, mbeten të hapura për reflektim në çdo epokë. Ato mund të shqyrtohen nga këndvështrime të ndryshme – fetare, etike, psikologjike, shoqërore – varësisht nga nevojat që e preokupojnë njerëzimin në një kohë të caktuar. Megjithatë, thelbi i kësaj ngjarjeje mbetet i pandryshueshëm: nga ajo rrjedhin ide thellësisht humane dhe progresive, por realizimi i tyre varet nga aftësia jonë për t’u thelluar në kuptimin e saj dhe për ta kuptuar qëllimin e vërtetë të kësaj ngritjeje hyjnore.
Me Miraxhin është artikuluar njëherë e përgjithmonë koncepti themelor i jetës njerëzore: domosdoshmëria e harmonisë mes shpirtërores dhe materiales. Jeta e individit dhe e bashkësisë nuk mund të ndërtohet mbi njëanshmëri. Pa pjekuri shpirtërore, pa disiplinë të brendshme dhe pa etikë të kultivuar, të balancuar me zhvillimin material dhe trupor, nuk mund të hapet rruga e ngritjeve të larta as për njeriun, as për shoqërinë. Mos-harmonia mes këtyre dy faktorëve prodhon varfëri të dyfishtë – shpirtërore dhe materiale – e cila, me kalimin e kohës, e shtyn njeriun drejt skajeve të rrezikshme dhe ekstremizmit.
Israja dhe Miraxhi kanë gjithashtu rëndësi të jashtëzakonshme në zbulimin e një bote më të lartë të njohjes. Në rrethana normale, njohja njerëzore realizohet përmes shqisave dhe intelektit.
Miraxhi, megjithatë, na dëshmon se ekziston edhe një dimension tjetër i të njohurit, përtej kufijve të zakonshëm të kohës dhe hapësirës. Ai që arrin ta tejkalojë këtë kufizim, i hapet një horizont më i thellë i së vërtetës – një botë e njohjes që nuk e mohon arsyen, por e tejkalon reduktimin e saj.
Kur’ani e shpreh qartë qëllimin e kësaj ngjarjeje:
لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا “
Që t’ ia tregojm atij disa nga argumentet Tona” (El-Isra: 1),
Vetë Profeti Muhammed a.s. ka dëshmuar për përjetimet e tij në Miraxh, për realitetet e përhershme që qëndrojnë përtej botës së dukshme. Nga kjo përvojë ai fitoi forcë të re shpirtërore, qartësi mendore dhe bindje të palëkundur për ta vazhduar misionin profetik, pavarësisht vështirësive të mëdha.
Israja dhe Miraxhi gjithashtu, paraqesin një kthesë madhështore në historinë e njerëzimit. Ato dëshmojnë se misioni i Muhammedit a.s. është vazhdimësi e shpalljeve të mëparshme, se Kudsi është nyjë lidhëse e pejgamberve dhe se mesazhi hyjnor ka qenë gjithmonë i njëjtë: besimi në Allahun, besimi në botën tjetër dhe përgjegjësia morale për veprat në këtë botë. Kjo ngjarje konfirmon universalizmin e misionit pejgamberik dhe legjitimitetin e tij historik e hyjnor.
Kulmi praktik i Miraxhit është namazi – dhurata më e madhe për umetin. Namazi nuk është thjesht obligim ritual, por mjeti më i fuqishëm i edukimit shpirtëror dhe moral. Ai e lidh njeriun me Krijuesin, e forcon vetëdijen e përgjegjësisë dhe e mbron nga amoraliteti dhe për këtë arsye Pejgamberi a.s. e ka quajtur namazin: “miraxhi i besimtarit”.
Në dritën e shkencës bashkëkohore, Israja dhe Miraxhi nuk synojnë të shpjegohen brenda kufijve të ligjeve fizike, sepse ato janë shfaqje e fuqisë së pakufishme të Allahut. Megjithatë, zbulimet shkencore bashkëkohore na ndihmojnë të kuptojmë se realiteti është shumë më kompleks dhe më i thellë se sa perceptimi ynë i zakonshëm. Kjo e zgjeron horizontin e mendimit njerëzor dhe e mban mendjen të hapur ndaj së vërtetës.
Israja dhe Miraxhi mbeten, pra, burim i pashtershëm i dijes, etikës dhe shpresës. Ato na mësojnë se ngritja e vërtetë e njeriut nuk është teknologjike, por morale, nuk eshte arratisje nga realiteti, por rikthim në të me përgjegjësi më të madhe, nuk eshte dominim mbi botën, por drejtësi brenda saj.
Në këtë natë të bekuar, i lutemi Allahut të Madhëruar që Israja dhe Miraxhi të mos mbeten vetëm rrëfim historik apo përkujtim vjetor, por të shëndrrohen në orientim për mendimin tonë, kriter për veprimin tonë dhe themel për përgjegjësinë tonë kolektive.
Na qoftë për hajr kjo natë e madhe.
Allahu na bekoftë.
(Fjala e rastit e Reisul Ulemasë në panelin fetaro shkencor e organuzuar nga Myftinia e BFI – Shkup, për Natën e Israsë dhe Mi’raxhit)
Shpërndaje: