MIRË SE ERDHE O RESULALL-LAH – GOSTIVARI U MBUSH ME DRITË, DASHURI DHE MESAZH HYJNOR
MIRË SE ERDHE O RESULALL-LAH – GOSTIVARI U MBUSH ME DRITË, DASHURI DHE MESAZH HYJNOR
Ditën e premte, 05.09.2025, në organizim të Muftinisë së BFI – Gostivar dhe nën patronazhin e Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u mbajt për të 22-tin vit me radhë Manifestimi Tradicional “MIRË SE ERDHE O RESULALL-LLAH”, i kushtuar përkujtimit të lindjes së Muhammedit alejhis-selam dhe mesazhit të tij për mbarë njerëzimin.
Ky manifestim tashmë është shndërruar në një ngjarje të përvitshme që tubon mijëra zemra në Gostivar, duke i dhënë qytetit një atmosferë solemniteti, shprese dhe dashurie për të Dërguarin e All-llahut. Palestra Sportive “Rinia” u mbush përplot me besimtarë e dashamirë nga mbarë rajoni, të cilët e pritën këtë natë me emocion dhe respekt të thellë.
Të nderuar nga prania e Kryetarit të BFI e RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Sekretarit Gjeneral, anëtarëve të Rijasetit, Muftijve nga mbarë vendi me bashkëpunëtorët e tyre, si dhe me praninë e Kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, Kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, deputetëve, zyrtarëve shtetërorë, drejtuesve të institucioneve, kryetarëve të subjekteve politike, kandidatëve për të parin e Gostivarit në zgjedhjet e ardhshme, mysafirëve nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Turqia, si dhe një numri të madh qytetarësh që kishin ardhur nga të gjitha anët, Gostivari rrezatoi dritë dhe nur nga ambienti i përshpirtshëm.
Programi nisi me leximin e ajeteve të Kur’anit Famëlartë nga hafizi mysafir nga Turqia, Emrullah Kaçar, duke e mbushur sallën me dritën e fjalës së All-llahut. Pjesë poetike të ndiera, të interpretuara me mjeshtëri nga aktorët Arsim Fazlia, Adem Karaga dhe Blerim Ismani, sollën para publikut vargje që zgjuan mallëngjim dhe dashuri për Muhammedin a.s. Ndërkaq, zëri melodioz i Hfz. Xhemail ef. Nuhiut, drejtor i Institutit të Hifzit në Shkup, e lartësoi mbrëmjen me pjesë nga mevludi kushtuar lindjes së të Dërguarit s.a.s.
Muftiu i Muftinisë së BFI – Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se dashuria ndaj Muhammedit a.s. është urë që na bashkon çdo vit në këtë formë, duke na kujtuar mesazhin e tij të përjetshëm. Pas tij, fjalën qendrore e mbajti Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përmes lutjeve drejtuar të Madhit All-llah theksoi vlerat themelore që na la amanet i Dërguari i Tij: besimin në All-llah, kultivimin e dijes, moralin e lartë, respektin për familjen, shenjtërinë e jetës dhe dashurinë ndaj atdheut e kombit. Fjalimi i tij u shoqërua me vëmendje të thellë dhe duartrokitje mirënjohëse nga publiku.
Në vazhdim, kori i Muftinisë së Gostivarit dhe i Medresesë, nën udhëheqjen e maestro Mr. Elyesa ef. Asanit, interpretoi ilahije të përzgjedhura që ngrohën zemrat e të pranishmëve. Një element i veçantë i këtij viti ishte paraqitja e Korit “Acappella” pranë Universitetit të Tetovës, të cilët me stilin e tyre unik sollën një freski artistike që u prit me duartrokitje të fuqishme.
Ngjarja mori përmasa ndërkombëtare me pjesëmarrjen e mysafirëve nga Turqia. Artisti i mirënjohur Dursun Ali Erzincan i dhuroi publikut emocione të fuqishme me dy poezi të thella shpirtërore, ndërsa Fatih Koca, një nga interpretuesit më të njohur të ilahive në botë, u ngjit në skenë me zërin e tij të fuqishëm dhe prekës, duke ngritur atmosferën në kulmin e saj. Tingujt e tij sollën lot gëzimi dhe falënderimi në shumë sy, duke e kthyer këtë manifestim në një kujtim të paharrueshëm.
Programin e moderuan referenti pranë Muftinisë së Gostivarit, H. Mallzim ef. Zendeli, dhe Prof. Hafsa Rushiti, të cilët me profesionalizëm dhe elegancë e udhëhoqën mbrëmjen nga fillimi deri në fund, duke i dhënë asaj ritmin dhe solemnitetin e duhur.
Mbrëmja u përmbyll me këndime të ilahijeve nga kori i Muftinisë dhe Medresesë, duke lënë tek secili i pranishëm një ndjenjë të fortë shpirtërore, dashuri të ripërtërirë për Muhammedin a.s. dhe bindjen se mesazhi i tij hyjnor mbetet udhërrëfyes për jetën dhe shoqërinë tonë.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





