MANIFESTIMI QENDROR I FITËR BAJRAMIT
MANIFESTIMI QENDROR I FITËR BAJRAMIT
Mesazhet që theksojnë jetën si dhuratën më të çmuar nga Allahu i Plotfuqishëm u përcollën sot nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Në xhaminë historike të Mustafa Pashës, gjatë hutbes së mbajtur në kuadër të manifestimit qendror për faljen e Namazit të Fitër Bajramit, u dha një mesazh për paqe, mirëkuptim dhe unitet. Mysafirë të nderuar në këtë ceremoni ishin Kryetari i Parlamentit të RMV-së, z. Afrim Gashi, dhe Ambasadori i Republikës së Turqisë, z. Fatih Ulusoy.
Ceremonia filloi në orën 5:35 të mëngjesit, me leximin e vargjeve kuranore nga Hfz. Furkan Jaja, transmetuar drejtpërdrejt nga Televizioni Shtetëror MTV kanali i dytë në gjuhën shqipe. Falja e namazit të sabahut u drejtua nga Hfz. Fatih Derdiyok, ndërsa atmosferën festive e plotësoi moderatori Musanif ef. Rufati, i cili prezantoi Korin e BFI-së. Ky grup, përbërë nga Mr. Eljesa Asani, Prof. Dr. Abas Jahja, Gafur Gjureci, Bilal Haxha, Habil Nuredini dhe Ibrahim Ameti, ofroi recitime të bukura të vargjeve kuranore dhe ilahive në katër gjuhë: shqip, maqedonisht, turqisht dhe arabisht.
Muftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, udhëhoqi faljen e Namazit të Fitër Bajramit, pas së cilës Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti një hutbe frymëzuese. Ai theksoi rëndësinë e Ramazanit në zhvillimin e moralit dhe solidaritetit në shoqëri dhe përcolli këto fjalë të ndjera:
“Gjatë këtij muaji të shenjtë, zemrat tona u mbushën me besim dhe dije. Ky është muaji kur ngritëm moralin, respektin, solidaritetin, humanitetin, tolerancën dhe paqen. Festa e Fitër Bajramit, për besimtarin, është kulmi i këtyre përpjekjeve dhe një ditë e madhe gëzimi. Është dita e fitores së besimit mbi mosbesimin, të mirës mbi të keqen, dijes mbi injorancën, paqes mbi konfliktin, dhe njerëzores mbi jonjerëzoren.”
Ai vijoi duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve midis njerëzve dhe kujdesin ndaj më të pamundurve: “Fitër Bajrami është një ditë që shpreh falënderimin tonë të thellë ndaj Zotit të Madhërishëm. Le të jetë kjo festë një mundësi për të forcuar lidhjet tona me të tjerët, për të treguar dashuri dhe respekt për familjet tona, për të shtrirë dorën e pajtimit dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Kam privilegjin që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal, t’u përcjell urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve, duke u lutur Allahut që t’i pranojë agjërimin dhe lutjet tona dhe të na shpërblejë ashtu siç di vetëm Ai.”
Manifestimi u përmbyll me duanë e Fitër Bajramit, e cila u drejtua nga Muftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili.
BFI © 2023 - Të gjitha të drejtat e mbrojtura





