Zoti nuk i do zullumqarët

“Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë. Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre. Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.”

 

(El Bekare, 9-12)

 

Organet e BFI në RM vazhdojnë të merren me përpëlitjet psikopatike të grupit “puçist” të motivuar nga do struktura të cilat paraprakisht e kishin përgatitur edhe rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Sulmit skandaloz dhe banditesk të këtyre “puçistave” BFI iu përgjegj përmes qëndrimeve zyrtare dhe unike të të gjitha organeve dhe institucioneve të saj, të ngritura në mbledhjet e jashtëzakonshme të Rijasetit.

Përgjatë 13 ditëve të uzurpimit të zyreve të BFI-së, Rijaseti demonstroi unitetin, jetën institucionale si dhe qëndrimin e pathyeshëm përballë lojërave të rrezikshme që mëtojnë goditjen përfundimtare, madje deri në shkatërrim, të BFI në RM. Edhe me këtë rast “zogjtë vdiqën duke kënduar”, ndërsa ngordhësirat u hodhën në pleh. “Puçistët” u larguan nga radhët e BFI-së, ndërsa Rijaseti, në mbledhjen e vet të fundit, më 22 maj të vitit 2015, emëroi persona eminentë në vendet vakante të krijuar pas dëbimit të “rrebelëve” të cilët u dëshmuan se janë pjesë e mekanizmit antiislam në vend dhe më gjërë.

Tani paralajmërojnë lojë të re “puçistët“. Nuk e njohin asnjë organ dhe asnjë institucion të BFI-së ndërsa prej të njëjtave organe dhe institucione kërkojnë që të njihen si ‘faktorë’ përndryshe do të protestojnë ! Rrebelët paskan menduar që tërë BFI duhet të solidarizohet me sjelljet e tyre shkatërrimtare, rrebelët shkuan edhe në variantin për të provokuar gjakëderdhje vetëm e vetëm për ta njollosur BFI-në, rrebelët tani nuk njohin asnjë vendim të të gjitha organeve dhe institucioneve të BFI-së por i njohin “qëndrimet’ puçiste të dy-tre individëve të manipuluar ose të kyçur vullnetarisht në strukturat antiBFI!

“Puçistët” kanë paralajmëruar protesta derisa BFI nuk do t’i tërheq vendimet e veta përmes të cilave dëshmoi unitetin, përbashkësinë si dhe forcën e pathyeshme përballë elementëve antiislam. Kanë thënë “të pamendin mos e pyet se të tregon vetë” ! Në pyetjen e gazetarëve se deri kur mund të zgjasin këto protesta, vetë protestaxhiu numër një thotë: “për aq sa do të thotë organizatori”! Dmth ata paskan një organizator të tyre i cili për opinionin e gjërë mbetet “misterioz”! Në aparencë, kamerat e sigurisë si dhe fotoreporterët e mediave të vendit kanë fokusuar individë që janë aktivistë të flaktë partie dhe kjo i dëmton tepër shumë, mbi të gjitha, interest e tyre partiake dhe assesi jo BFI-në!

Po pse kjo dëshirë e sëmurë për ta shkatërruar BFI-në? Le të mbetet ky veprim idiotik dëshirë patologjike e njerëzve dhe strukturave antishqiptare dhe antiislame. BFI një gjë ua përkujton: “Bashkësia Fetare Islame ka traditë kontinuitive mbi gjashtëqindvjeçare dhe, përgjatë këtyre shekujve ka përjetuar lloj-lloj forcash, perandorësh, kriminelësh, banditësh, sistemesh antiislame por, kurrë nuk u arrit të paktën një sekond ta asgjësojnë islamin dhe jetën fetare islame nga këta troje. Sepse, feja islame është vetë shpirti i muslimanëve të vendit. Kriminelët gjithmonë ngelin pakicë ndërsa shumica i shkelë kurthet kriminele duke hapëruar drejt sukseseve të reja. Është thënë edhe më herët: përpjekjet e shkatërrimtarëve të përbetuar të jetës institucionale islame në vend gjasojnë në përpëlitjet e bishtit të këputur të zhapikut! Aq, dy-tri përpëlitje dhe, ngordhin, edhe bishti edhe zhapiku! BFI ka përjetuar dhe ka mbijetuar lehtësisht përpëlitje të tilla, madje edhe më të rrezikshme se kjo e fundit e këtij grupi delikuentësh. Zoti është me organizatorët e avansimit të jetës islame dhe jo me organizatorët e shkatëqrrimit të kësaj jete. Prandaj përballë BFI-së edhe “fuqitë perandorake” janë gjunjëzuar.

 

 

Shërbimi për informim pranë BFI në RM

Comments are closed.