Vojnika: Jemi të rrethuar, policët vëzhgojnë, nuk po i dëbojnë sulmuesit!

Edhe sot ka vazhduar situata e tensionuar në hapësirën e Bashkësisë Fetare në Shkup. Policia ka bllokuar hyrjet e objektit, ndërsa në afërsi janë vërejtur grupe të personave që besohet se mbështesin Myftiun e Shkupit.

Ndërkohë, Agron Vojnika, drejtor për mardhënie me publike,  në hapësirat e BFI-së ka folur rreth situatës së krijuar në hapësirat e këtij institucioni.

Sipas tij, gjatë mëngjesit të djeshëm, një grup prej rreth 50 personave, të udhëhequr nga muftiu i shkarkuar i Shkupit, Ibrahim Shabani, dhe sekretari gjeneral, Afrim Tahiri, i sulmuan të punësuarit e BFI-së me qëllim që t’i largojnë nga vendet e tyre të punës dhe të marrin (uzurpojnë) selinë e BFI-së, raporton SHENJA.

“Ne u treguam që jemi të vendosur në qëndrimin tonë dhe nuk lëshuam pozitat në asnjë moment, qoftë edhe nëse rrezikohej jeta jonë. Në ato çaste ata ftuan një grup njerëzish të armatosur të cilën që nga momenti i parë me dhunë u futën dhe i sulmuan të punësuarit. Policët nga stacioni i Bit Pazarit u bënë si një lloj muri mes nesh dhe parandaluan incidente të tjera. Ata kanë qëndruar këtu gjatë gjithë natës”.

Vojnika ka deklaruar se fatkeqësisht, organet më të larta të policisë dhe të shtetit nuk po ndërhyjnë për të larguar personat.

“Ne momentalisht jemi të rrethuar nga njerëzit që qëndrojnë jashtë, të cilët nuk largohen nga organet policore. Fatkeqësisht dua të theksoj se sot që në orët e para të mëngjesit kishim ndërhyrjen e ndihmës së parë e cila erdhi dhe u dha ndihmë tre personave, dy prej të cilëve dje u sulmuan fizikisht dhe pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa personi i tretë nga stresi që përjetoi dje, kishte probleme shëndetësore dhe nevojitej intervenim”.

Sipas Vojnikës, një pjesë e atyre personave që janë futur brenda institucionit janë ende në zyrën e sekretarit të përgjithshëm dhe policia i ruan edhe ata.

“E dimë që ata posedojnë armë me leje, por ne me ta nuk kemi asnjë lloj komunikimi. Ata treguan fytyrën e tyre të vërtetë. Pas asaj që ata e bënë, duke organizuar rreth 50 persona që të na sulmojnë, ne nuk mund të kemi asnjë lloj komunikimi me ta”, ka thënë Vojnika.

I pyetur nga gazetari i portalit SHENJA, se si e sheh zgjidhjen e situatës, Vojnika ka thënë se kjo mund të arrihet në mënyrë ligjore. “Prokuroria e përgjithshme publike dje ka dhënë urdhër që policia të intervenojë dhe t’i largojë personat, uzurpuesit, që kanë hyrë pa leje në ambientet e institucionit”, ka thënë Vojnika. Abdulla Berisha /SHENJA/ 

Comments are closed.