Vlerësohet puna e Medresesë Isa Beu

Vlerësohet puna e Medresesë Isa Beu

Këshilli Edukativo-Arsimor i Medresesë Isa Beu në Shkup, në mbledhjen e mbajtur më 6 janar, 2020, ka vlerësuar punën e shkollës së mesme islame në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2019/2020. Në mbledhje ka marrë pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Në fjalën e tij para Këshillit kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut e ka çmuar lart punën e nxënësve të Medresesë dhe suksesin e tyre të arritur në këtë gjysmëvjetor. Në vitin e 35-vjetorit, ka thënë ai, Medreseja Isa Beu është angazhuar maksimalisht që nxënësit të arrijnë suksese të shënuara. Në këtë drejtim – ka potencuar Kryetari i BFI – hendikep është mospërfshirja e MIB-it në sistemin shkollor të RMV, gjë që u krijon problemeve medresantëve gjatë regjistrimit të tyre në fakultet, kur e kryejnë shkollimin këtu. Në këtë drejtim, ne jemi optimistë se kjo çështje në këtë vit do të zgjidhet në të mirë të të gjithëve, ka thënë Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Këshilli Edukativo-Arsimor, i udhëhequr nga drejtori prof. Ibrahim Idrizi, ka diskutuar për Raportin me shkrim nga kujdestarët e klasave për suksesin, sjelljen e nxënësve dhe mungesat në gjysmëvjetorin e parë, pastaj për Raportin nga profesorët e lëndëve për realizimin e planprogrameve, Raportin me shkrim nga Këshilli i Edukatorëve për realizimin e rendit shtëpiak, Verifikimin e rezultateve të provimit nga sesioni i janarit 2020 për nxënësit me korrespondencë dhe ata të diplomës, fillimin e gjysmëvjetorit të dytë etj.
Anëtarët e Këshillit Edukativo-Arsimor të Medresesë Isa Beu janë shprehur optimistë për punën në vijim të qendrës shkollore islame në Kondovë, rrethina e Shkupit.

Comments are closed.