VLERA DHE RËNDËSIA E MEVLUDIT NË ISLAM

Nga Prof. Rexhep ef. Ziberi

Muslimanët në mbarë botën, pra edhe në viset tona, për çdo vit me rastin e 12 rebiul-evvelit, ditëlindjes së të dërguarit të Allahut Muhamedit a.s organizojnë manifestime të rastit, lexime mevludesh dhe gazmende të ndryshme. Në këtë mënyrë ata të gëzuar dhe krenarë, shprehin dashuri dhe respekt ndaj Pejgamberit a.s, jetës së tij, detyrës dhe mësimit Pejgamberik që ai ua ka lënë në amanet.
Ditëlindja e Muhammedit a.s është një ngjarje e shënuar që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë nga të gjithë muslimanët e rruzullit tokësor. Këtë vit, gjegjësisht në vitin 2021, duke marë parasysh faktin se kalendari hënor është për disa ditë më i shkurtër se ai diellor, do të kemi fatin që ditëlindjen e Mësuesit të njerëzisë ta manifestojmë më 18 tetor duke vazhduar me manifestime gjatë tërë muajit të mevludit. Ditëlindja e Muhamedit a.s që si zakonisht thirret dita e Mevludit është bërë zakon pothuajse në tërë botën islame të festohet duke e kënduar me melodi jetën e Muhamedit a.s, si dhe duke u mbajtur fjalime mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së Pejgamberit a.s.
Tema e Mevludit është një temë shumë e gjerë, e cila meriton që të shtjellohet në dimensione të ndryshme ngase dobitë e tij janë të panumërta. Mirëpo, meqë natyra e trajtimit të temave nëpër rrjetet sociale kufizon hapësirën për shtjellim më të detajuar të temave, në këtë rast temën në fjalë do ta trajtojmë në mënyrë sa më konçize.
Faktet historike vërtetojnë se muslimanët kanë filluar shumë herët ta manifestojnë datën e lindjes së Pejgamberit a.s.
Banorët e Mekkes, më 12 rebiu’l-evvel, ditën e lindjes së të Dërguarit të All-llahut, për çdo vit e vizitonin xhaminë e cila ka qenë e ndërtuar në vendin ku më parë ekzistonte shtëpia ku është lindur Pejgamberi a.s.
Nga ana tjetër, poezia është shënuar që nga koha e Pejgamberit a.s madje e inspiruar edhe nga vet ai. Lidhur me poezinë vetë Pejgamberi.s ka thënë: “Poezia është një gjë që të bukurën e bënë më të bukur dhe të keqen e bën më të keqe”. Buhariu
Veprat, të cilat e lavdërojnë dhe i theksojnë cilësitë e Muhammedit a.s filluan të shkruhen duke qenë ai ende gjallë, siç ishte rasti me vet poetët e kohës së Pejgamberit a.s. Hasan ibn Thabitin me poezitë e mirënjohura “El Ajnije”, “El Hemzije”, Ali ibni ebi Talibin që ka thurur lëvdata për Pejgamberin a.s., prozë në formë të hutbeve, Ka’b ibn Zuhejrin të cilët shkruanin vargje për personalitetin e Pejgamberit a.s., madje është i njohur rasti me Kabin dhe Kasiden e famshme të tij “Kasidetul Burde”, kur Kabi kishte arritur te vargjet: “Pejgamberi është dritë me të cilën ndriçohemi, luan nga shpatat e zhveshura të Indisë”, Pejgamberi a. s kishte ndërhyrë dhe e kishte korrigjuar: “… nga shpatat e Allahut”, ndërsa Kabi e kishte përmirësuar vargun”. Transmeton ibni Hishami
Poeti më i njohur i muslimanëve në kohën e Pejgamberit a.s Hasan ibni Thabit në një kaside kushtuar Muhamedit a.s thotë:
“Më të mirë se ty s’kanë parë kurrë sytë e mi
Më të bukur se ty s’kanë lindur gratë ndonjë fëmi
Ti je krijuar i pastër nga çdo e metë
Sikur t’ishe krijuar ashtu si ke dashtë vetë”.
Komentatori i famshëm shqiptar i Kur’anit, Fisnik H. Ibrahim Dalliu për Pejgamberin a.s pati shkruar shumë vargje, ndër të cilat veçojmë:
O Muhamed ty ta ka hua e gjithë bota
Se i ke mundur të gjitha besimet e kota
Me plot argumente të plota…
Kremtimi i Mevludit si një manifestim që i kushtohet ditëlindjes së Pejgamberit a.s ka filluar në shekullin e IV të hixhretit, gjegjësisht në shekullin e dhjetë miladij. Mevludi, fillimisht ka filluar të kremtohet nga dinastia Fatimite në Egjipt (909-1171) duke filluar nga dymbëdhjetë rebiul evveli dhe zgjaste deri në fund të muajit të mevludit. Ndër mevludet e para në gjuhën turke njihet Mevludi i Sulejman Çelebiut (1409), a njëherit konsiderohet si vepër e parë e këtij lloji.
Formën e mevludeve, lavdeve dhe konsideratave për Pejgamberin a.s e gjejmë edhe te populli ynë, por ajo që vlen të theksohet është se pikërisht shumica e këtyre mevludeve janë shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare nga personalitete dhe dijetarë të shquar e të dëshmuar, si në rrafshin fetar ashtu edhe kombëtar. Pikërisht për këtë mevludi konsiderohet si mjet i ruajtjes së vlerave fetare islame ndërshqiptare.
Thamë se përpilimi i mevludeve në gjuhën shqipe ka filluar që me periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe është shkruar nga rilindasi ynë i shquar Hasan Zyko Kamberi me dy poemat islame të tij Lindja dhe Miraxhi (shek. XVIII), që njihen si mevludi i parë në gjuhën shqipe nga shumë studiues shqiptar dhe ka vazhduar deri në ditët tona.
Në gjuhën shqipe janë botuar mbi 30 lloje të mevludeve siç janë: Mevludi i Hafiz Ali Ulqinakut më 1878, i Hafiz Ali Korçës më 1900, i Ahmed Shkodrës më 1926, i Hafiz Abdullah Zemlakut më 1931, i Hafiz Ibrahim Dalliut më 1934, i Tahir Ef. Popovës më 1944, i Zejnulla Jasharit më 1973, i Idriz Lamës më 1982, i Fahrudin Osmanit në vitin 1984, iShefki Hoxhaj më 1982, Mevludi çam i Fahri Deharit më 2000 etj.
Manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s që njihet me emrin Mevlud, në trevat tona shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm, qoftë në përhapjen e fesë Islame apo dhe vlerave njerëzore në përgjithësi. Gjatë periudhës së sistemit monist-komunist, kur njerëzit kishin frikë të identifikoheshin me identitetin e vërtet fetar islam e lëre më të shkonin në xhami për t’u falur, mevludi ishte ura e vetme që lidhte interpretuesit fetar me popullatën muslimane në trevat tona shqipfolëse. Askush nuk mundet që të kontestoj rolin e mevludit në këtë aspekt dhe kushdo që mundohet ta nënvlerësoj, ta nënçmoj apo ta anashkaloj efektin e tij, jep të kuptosh se ai ose nuk është i informuar mirë me kohë ose është shërbëtor i dreqit.
Në kohët e sotme, mevludet zënë vendin e merituar si nëpër familjet ashtu edhe nëpër shoqëritë tona islame. Kjo traditë e mevludeve nëpër familjet tona islame, ku ftohen familjarët, miqtë, fqinjët dhe dashamirët, përveç që tregon gëzimin dhe dashurinë që kemi ndaj Pejgamberit a.s, mundëson edhe mësimin e Islamit, por ajo që është e pa kontestuar në këtë çështje është zgjerimi i rrethit që njerëzit të njihen dhe përforcojnë miqësinë e tyre mes veti. Mevludi në vetvete mbart mesazhin edukues, kulturor si dhe mesazhin e dashurisë, sinqeritetit dhe përkushtimit ndaj Krijuesit Absolut.
Mevludi në brendësinë e vet është i mbushur plotë e përplot me adhurime të ndryshme duke u nisur nga leximi i Kur’anit famëlartë, këndimi i salevateve mbi Muhamedin a.s, përshkrimi i jetës dhe veprës së Muhamedit a.s, dëgjimi i ligjëratave fetare, shtruarja e pyetjeve të ndryshme fetare, dhe fare në fund për të nxjerrë mësime dhe mesazhe që do të na nevojiten në jetën tonë të përditshme.
Duke marrë parasysh faktin se mevludi ka luajtur dhe luan një rol të madh në ruajtjen e vlerave kulturore e fetare te ne shqiptarët edhe instititucioni më i lashtë që është kujdesur dhe ende kujdeset për kultivimin, zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare Islame në këto treva, Bashkësia Fetare Islame e RM në kuadër të shumë aktiviteteve të saj i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të veçantë pritjes së natës së lindjes së Pejgamberit a.s., dhe në asnjë moment nuk e lë pas dore organizimin e mevludit me të gjitha format e saj në tërë territorin e Maqedonisë. Institucionet e BFI-së respektivisht, muftinitë e BFI-së në tërë territorin e vendit në prag të natës së lindjes së mësuesit të njerëzisë nëpër të gjitha xhamitë e vendit organizojnë manifestimin dhe leximin e mevludit duke e shoqëruar atë me ligjërata të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s nga këndvështrime të ndryshme.
Qëndrimi i dijetarëve Islam rreth Mevludit
Tubimet në të cilat lexohet Kur’ani famëlartë, mevludi dhe shpjegohet jeta e Pejgamberit a.s si dhe ligjërohet Islami, konsiderohen tubime të frytshme, apo thënë shkurt sipas terminologjisë islame, tubime të adhurimit, për të cilat Pejgamberi a.s në hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku r.a. ka thënë: “Kur të kaloni pranë kopshteve të xhenetit, pushoni. Të pranishmit pyetën: Cilat janë ato kopshte të xhenetit o i Dërguari i Allahut?. Pejgamberi a.s tha: “Tubimet ku përmendet emri i Allahut” Transmetojnë Maliku dhe Ahmedi në Musnede.
Tubimet e këtilla ku muslimanët përfitojnë prej tyre janë tubime edhe të melekëve të cilët marrin pjesë duke iu lutur Allahut xh.sh. për ata besimtarë që prezantojnë në atë tubim. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. ku Pejgamberi a.s ka thënë: “Vërtet, Allahu ka melekë shëtitës nëpër tokë që hulumtojnë për tubimet e dhikrit, e kur të gjejnë tubime të tilla ulen edhe ato me njerëzit dhe i luten Allahut”. Transmeton Muslimi.
Ibni Haxher Askalani sjell këto argumente lidhur me manifestimin e mevludit: “Pejgamberi vjen në Medine dhe i gjen jehudët, që po agjëronin ditën Ashur kur i pyeti, ata i thanë: “Është ajo ditë kur Zoti e fundosi faraonin dhe e shpëtoi Musanë, e ne agjërojmë në shenjë falënderimi ndaj Zotit të madhërishëm, Muhammedi s.a.s. me atë rast thotë: “Ne kemi më tepër përparësi që ta nderojmë Musain dhe i urdhëron që atë ditë ta agjërojnë edhe muslimanët. Sahihajn
Nga kjo kuptohet se është vepër e mirë të bëhen vepra që i do Zoti fuqiplotë, çdo vit në atë ditë kur ka ndodhur ndonjë begati e Zotit të madhërishëm. E ku ka begati më të madhe se sa Lindja e Pejgamberit a.s!? Andaj, shënimi i ditëlindjes së Muhamedit s.a.v.s. duke kryer vepra të dashura për All-llahun fuqiplotë është çështje e bukur. Ky është një argument i fortë për tubimin në mevlude duke u mbështetur në kijasin, i cili në këtë rast kuptohet nga vetë puna e Pejgamberit a.s, e puna e tij është sunnet për ne. Pra, ai falënderoi Zotin fuqiplotë për shpëtimin e Musait a.s, e ne kemi për detyrë të falënderojmë për dërgimin e Muhamedit a.s.
Si argument tjetër për mevludin është edhe mendimi i imam Sujutiut, i cili përmend edhe transmetimin që përmend Bejhekiu nga Enesi r.a se Pejgamberi a.s: “Therri kurban (akika) për vetveten pas pejgamberllëkut”, e dihet se atë detyrë e pati kryer gjyshi i tij në ditën e shtatë të lindjes së Muhamedit a.s. Ajo detyrë nuk do të duhej përsëritur sikur të mos ishte për qëllim falënderimi ndaj Zotit, që e bëri mëshirë për botën. Ky është pra, edhe një sinjal për ne se duhet përkujtuar dhe shprehur falënderim për ditëlindjen e tij.
Hadithi i Pejgamberit a.s thotë se Ebu Lehebit do t’i lehtësohet ndëshkimi për çdo të hënë ngase qe gëzuar për lindjen e Muhammedit s.a.s. dhe në shenjë gëzimi e pati liruar nga robëria shërbëtoren Thuveiben.
Sipas mendimit të Sujutiut, përkujtimi i ditëlindjes së Muhammedit s.a.s. është i argumentuar me: Sunnet, Ixhma dhe Kijas. Të gjithë muslimanët në botë e festojnë ditëlindjen e tij. E festoi edhe vetë Pejgamberi a.s ngaqë agjëronte ditën e hënë dhe të enjte dhe , kur e pyetën pse agjëron të hënën, ai u përgjigj: “Të hënën linda, të hënën më erdhi shpallja, të hënën bëra hixhretin”.
Mevludi risi e mirë dhe e kërkuar
Është e vërtetë se festimi i mevludit nuk bëhej në kohën e Pejgamberit a.s, as në kohën e sahabëve, as në kohën e tabiinjëve, por kjo aspak nuk e zbeh, nuk e zhvlerëson dhe nuk e ndalon manifestimin e mevludit, përderisa kjo gjë nuk ka kurfar të lige që bie ndesh me parimet islame pavarësisht nga ajo se nuk është praktikuar në kohën e Pejgamberit a.s, sepse kur Zejd ibni Thabiti i tha ebu Bekrit pas vdekjes së Pejgamberit a.s lidhur me shkrimin e Kur’anit se nuk bën kjo punë, sepse këtë nuk e ka bërë Pejgamberi a.s. Ebu Bekri me shumë urtësi iu përgjigj: “Pejgamberi a.s nuk e ka bërë por tash duhet bërë, sepse është në dobi të fesë islame.” Nga kjo del se është irracionale të ngulësh këmbë që të mos bësh një punë vetëm pse nuk e ka bërë Muhamedi a.s. Marrin shembull faktin se Muhamedi a.s asnjëherë nuk ka hipur e udhëtuar me mjetet transportuese të cilat sot i gëzon bota as që i ka shfrytëzuar arritjet tekniko-teknologjike të kohëve tona, prandaj të mohosh sot përdorimin e këtyre mjeteve do të thotë të veprosh kundër logjikës së shëndoshë, kundër parimeve Kur’anore dhe kundër parimeve të vet sunetit të Pejgamberit a.s, andaj le të jetë një porosi e qartë për të gjithë ata të cilët tentojnë të manipulojnë me masën e painformuar lidhur me çështjen e mevludit se rregullat e konkurrencës duhet të vlejnë për të gjitha kohët, nuk i konkurrohet automatikut me shpatë e as helikopterit ushtarak me automatik.
Nga ana tjetër, është i mirënjohur dhe i elaboruar mirë në shkrimet tona të mëparshme hadithi i Muhamedit a.s, i cili thotë: “Kush e fillon një traditë të mirë, atij i takon shpërblimi i saj dhe shpërblimi i atyre që veprojnë me të…”. Muslimi
El Bejhekiu në veprën Menakibu esh-shafij, shënon se imam Shafiu ka thënë: “Ka dy lloje risish, një që bie ndesh me Kur’anin, Sunetin, Etherin dhe Ixhmain dhe kjo është risia që është e ndaluar. Eshtë e vërtetë që manifestimi i mevludit është risi, por është risi që nuk i kundërvihet, Kur’anit, Sunetit, Etherit e as Ixhmait, dhe kështu manifestimi i mevludit është risi që nuk mund të qortohet”, konstaton imam Shafiu.
Edhe ibni Tejmije në librin e tij Iktidau siratil mustekijm muhalefetu as-habil xhemil është shprehur në favor të manifestimit të mevludit duke thënë: “Të respektuarit e ditëlindjes së Pejgamberit a.s dhe festimi i saj, shpërblehen nga Allahu për shkak të qëllimit të mirë, respektit e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s”., kështu mendojnë imam Neveviu, el Alusij, el Kastalanij, Askalani, Hejthemiu, el Halebiju, ibn Batuta e shumë e shumë dijetarë të famshëm islam.
Dijetari tjetër, imam Sehaviju thotë: “Edhe po qe se në këtë nuk ka kurfarrë dobie, përveç asaj që shejtani do të hidhërohet dhe besimtarët do të gëzohen, mjafton të festohet ditëlindja e Pejgamberit a.s., ndërsa mësuesi i imam Neveviut, dijetari ebu Shamer kur bëhet fjalë për mevludin thotë: “Risia më e mirë që është paraqitur në kohën tonë, është festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s për çdo vit…”.
Dijetari tjetër i njohur, el Kastalaniju rreth ditëlindjes së Pejgamberit a.s dhe shënimit të tij thotë: “Muslimanët që vijnë pas tri gjeneratave të para, vazhdimisht e festonin ditëlindjen e Muhamedit a.s., këtë e bënin duke dhënë sadaka të ndryshme, duke i shtuar veprat e mira, duke lexuar për historinë dhe biografinë e Pejgamberit a.s. dhe pikërisht për këtë, ata do të begatohen dhe furnizohen me të mirat e Allahut xh.sh.”.
Historiani i njohur i shek VIII hixhrij, Ibn Batuta duke përmendur një traditë rreth festimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s thotë: “Pas çdo namazi të xhumasë dhe në festën e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. hapeshin dyert e Qabesë nga roja e saj, dhe pastaj Kadiu i Mekes, Muhjidin Taberiu, shpërndante ushqim për njerëzit e Mekes.”
Argument tjetër për legjitimimin e mevludit është ajo se mevludi fillet e manifestimit të tij në këtë formë i ka që nga shekulli i shtatë hixhrij dhe vazhdon të praktikohet po në të njëjtën formë edhe sot e kësaj dite pa asnjë lloj divergjence në asnjë kohë, kurse hadithi i Pejgamberit a. s tha: “Umeti im nuk bashkohet në çështje të humbura”, sikur të ishte ndryshe, ashtu siç pretenduan mercenarët e huaj, atëherë mevludi nuk do të ishtë manifestuar shekuj me radhë. Dijetarët islam janë të mendimit se manifestimi i mevludit është vepër e mirë, kurse Pejgamberi a.s ka thënë: “Dora e Zotit është me xhemat e kush ndahet, ndahet në xhehenem”.
Abdullah ibni Mesudi lidhur me këtë thoshte: “Atë që muslimanët e shohin se është vepër e mirë (e që duhet të bëhet) edhe Allahu f.p e konsideron si të mirë, atë që muslimanët e shohin si vepër të keqe (e që nuk duhet të bëhet) edhe Allahu f.p e konsideron si të keqe.” trasnsmeton Ahmedi.
Mëshirë në ditën e gjykimit
Qëllimi i të gjithë muslimanëve në organizimin e manifestimeve të tilla është të arrihet një pikë mëshire nga Mëshiruesi i pakufishëm në atë ditë kur do të jemi më të nevojshëm për të, dita kur njerëzit do të llogariten për veprat e tyre, ditë e cila do të zgjatë sa pesëdhjetë mijë vite të kësaj bote! Dita kur dielli u rri njerëzve mbi kokë! Dita kur djersët e njerëzve do të arrijnë deri te veshët e tyre! Dita, për të cilën Imam Ahmedi në Musnedin e tij shënon hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi në të cilin thuhet se i Dërguari a.s ka thënë: “Të gjithë Pejgamberëve lutjet e tyre u janë plotësuar në këtë botë. Ndërsa unë lutjen time e kam ruajtur për ditën që të jem ndërmjetësues i Umetit tim”. As-habët i thanë: “ O i Dërguar i Allahut! Ku të gjejmë ty atë ditë, në atë turmë njerëzish kur të gjithë popujt do të tubohen para Madhërisë së Allahut f.p?” Tha: “Më kërkoni te Mizani, aty ku peshohen veprat e njerëzve” As-habët i thanë: “Nëse nuk të gjejmë te Mizani ku të të kërkojmë? Tha: “Më kërkoni te burimi im, aty ku i jap Umetit tim të pijnë ujë nga duart e mia” As-habët i thanë e nëse nuk të gjejmë as aty ku të të kërkojmë? Tha: “Më kërkoni tek ura e Siratit që është e shtrirë mbi zjarr të xhehenemit!”As-habët i thanë: “O i Dërguar i Zotit, ura i ka dy anë, në cilën anë të urës jeni Ju? Tha: “Në anën e majtë të urës!” As-habët i thanë: “Kush do të jetë në anën e djathtë të saj?” Tha: “Ibrahini a.s!” As-habët i thanë: “Kush është më i vyeshëm tek Allahu, Ju apo Ibrahimi a.s?” Tha: “Unë!” As-habët të etur për ta detajuar çështjen deri në fund i thanë: “Pse atëherë ai në anën e djathtë, ndërsa ju në anën e majtë?” Tha: “O Umeti im, kah Ibrahimi a.s kalojnë ata që punët i kanë të pastra, ata që janë të pastër nga mëkatet, ndërsa kah unë kalojnë ata që punët i kanë të përziera! Unë i mbaj që të mos bien në zjarrin e xhehenemit!”
Në transmetimin e Ebu Hurejres thuhet se Muhamedi a.s tha: “Unë jam Zotëria i njerëzve ditën e gjykimit! A e dini pse? “Allahu i madhërishëm i mbledh atë ditë në një shesh të vetëm të parët dhe të fundit. Pastaj i bën të dëgjojnë thirrësin dhe ua mpreh shikimin. Dielli u afrohet njerëzve shumë afër. Në ato çaste shqetësimi edhe vështirësitë e tyre arrijnë aq sa ata nuk mbajnë më. Kështu që disa njerëz i thonë njëri tjetrit: “A e shihni se në ç’gjendje jemi? A e shihni ku kemi arritur? Po sikur të gjejmë ndonjë që të ndërmjetësojë për ne te Zoti ynë? Le të shkojmë tek Ademi!” Kur shkojnë tek Ai, i thonë: “O Adem! Ti je babai i njerëzimit. Allahu të krijoi ty me dorën e vet, fryu te ty nga shpirti i vet dhe i urdhëroi Melekët që të të përulen, andaj ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk e sheh se në ç’gjendje jemi? A nuk e sheh se ku kemi arritur?” Ademi u thotë: “Me të vërtetë që Zoti im është zemëruar ashtu siç nuk ka qenë zemëruar kurrë më parë dhe siç nuk do të zemërohet më kështu!” Ai më ndaloi të haja nga ajo pemë, por unë nuk iu binda, kështu që sot jam vetëm për veten time. Prandaj shkoni te Nuhi a.s!” Nuhi a.s do të jetë i preokupuar me lutjen që bëri kundër popullit të vet, andaj i këshillon që të shkojnë te Ibrahimi a.s. Ibrahimi a.s. do të jetë i preokupuar me tri gënjeshtrat e veta andaj i këshillon që të shkojnë te Musai a.s, mirëpo pasi që edhe Ai kishte vrarë një njeri në këtë botë i këshillon që të shkojnë tek Isai a.s i cili do t’ju thotë: “Shkoni te Muhamedi a.s!” Mësuesi i njerëzisë tha: “Ata vijnë tek unë dhe më thonë: “O Muhamed! Ti je i Dërguar i Allahut, je i fundi i Pejgamberëve dhe Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e mëparshme dhe të mëvonshme, andaj ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk e sheh se në ç’gjendje jemi? A nuk e sheh ku kemi arritur?” Unë nisem dhe shkoj poshtë Arshit. Atje i bie në sexhde Allahut dhe Ai më frymëzon të them lavdata dhe falënderime për Të, ashtu siç nuk ka bërë për dikë tjetër veç meje. Pastaj, Allahu i madhëruar më thotë: “O Muhamed! Kërko, sepse do të jepet dhe ndërmjetëso, sepse do të pranohet ndërmjetësimi!” dhe aty për aty më thuhet: “O Muhamed! Këdo që nuk ka llogari prej ndjekësve tu, fute në xhenet nga dera e djathtë prej dyerve të xhenetit…”
Ky do të jetë ndërmjetësimi i parë i Muhamedit a.s. Ndërmjetësimi i fundit i Tij do të jetë atëherë kur banorët e xhenetit të hynë dhe të stabilizohen në të, do të kërkojnë nga Muhamedi a.s që të ndërmjetësoj tek Allahu f.p për muslimanët mëkatarë të cilët veç më do të jenë futur në xhehenem, ateherë Muhamedi a.s bie në sexhde para Allahut të madhëruar, i cili i thotë: “Ngrije kokën! Kërko se do të jepet! Fol se do të dëgjohesh! Ndërmjetëso sepse do të pranohet ndërmjetësimi!” Pejgamberi a.s çohet duke thënë: “O Zot! Më lejo të kërkoj falje për të gjithë ata që kanë thënë “LA ILAHE IL-LALLAH- Nuk ka Zot tjetër veç Allahut”. Allahu f.p i thotë: “Pasha fuqinë time! Pasha Madhërinë time! Pasha Madhërinë time! Do të nxjerr nga zjarri këdo që ka thënë LA ILAHE IL-LALLAH” Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi.
I Dërguari ynë, Muhammedi s.a.s., përkujton ditëlindjen e tij në çdo shtatë ditë dhe në shenjë falënderimi ndaj Zotit agjëronte ditën e hënë. Në realitet, me këtë agjërim ngjallte përkujtimin e një dite të ndershme nga ditët e Zotit. Kur u pyet, pse rregullisht agjëron atë ditë ai tha: “Ajo është ditë, në të cilën u linda dhe në të cilën u dërgova (u gradova me gradën Pejgamber”. Muslimi
Pasi që vet Muhamedi a.s e përkujtonte ditëlindjen e tij me agjërim, atëherë përkujtojeni edhe ju o besimtarë me falënderim ndaj Allahut f.p dhe përkujtim ndaj lindjes së atij që solli gëzim, hare, begati, dritë, mëshirë, shpëtim dhe përparim.
Zotëria i këtij umeti nuk mund të harronte as bashkësinë që shekuj më vonë do të ketë nderin të bëhet pjesë e bashkësisë së tij. Ai në vizitën e fundit që ua bëri varrezave të Uhudit tha: “Përshëndetje qoftë mbi vëllezërit e mi!” As-habët i thanë: “A nuk jemi ne vëllezërit tu?” Ai tha: “Ata ende s’kanë ardhur!” Ja, pra, ne jemi ata që mësuesi i njerëzisë i quajti vëllezërit e mi! Ashabët qenë shokët e tij të cilët bashkë me të patën jetuar, ndërsa ata që erdhën më pas, që iu bindën atij pa e parë, që i vunë gjoksin çdo lloj vuajteje e shqetësimi në interes të islamit janë vëllezërit e tij. Detyrën përkatëse që u shtroi koha, ata e çuan në vend me një bindje karakteristike për ta, kurse tani, neve na bie për ta çuar në vend të njejtën detyrë me të njejtën vetëdije.
Autori është Kryetar i Shoqatës së Ulemave të BFI të RMV
0
People Reached
0
Engagements
Boost Post
Like

Comment
Share

Comments are closed.