VIZITË MBRESLËNËSE XHAMISË NË KASALOLDO TË ITALISË

Të shtunën me datë, 19.03.2022, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Muftiu i Muftinisë së Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani si dhe Drejtorin për Diasporë Dr. Selver ef Xhemaili, vizituan objektin e Xhamisë në Casaloldo-Itali, ku u pritën nga Dr. Reshat Ibishi me kryesinë e xhamisë dhe ku kishim nderin dhe kënaqësinë që me ftesë të kësaj Qendre të vizitojmë besimtarët tanë në këtë vend të Evropës.
Në këtë mbrëmje mbresëlënëse dhe shumë të këndshme me prezencë të një numri të madh të bashkëvendësve tanë dhe kontribuuesve të xhamisë, delegacioni lartë i BFI me në Krye Reisul Ulemanë, përshëndetën të pranishmit me disa këshilla dhe falënderime për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore.
Pas porosive dhe fjalëve përshëndetëse të Muftiut të Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani dhe Drejtorit për Diasporë Dr. Selver ef Xhemaili, Kryetari i BFI Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në këtë mbrëmje iu drejtua të pranishmëve me një ligjëratë dhe prezantim modest ku foli për vlerat e bashkatdhetarëve dhe qendrave islame në diasporë, sfidat e tyre, si dhe angazhimin e Bashkësisë Fetare Islame në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare në vendlindje si dhe në diasporë, si dhe për kontributin e pashmangshëm të bashkatdhetarëve tanë për mirëmbajtjen e pesë medreseve të vendlindjes. Prezantimet ishin shumë domethënëse dhe kuptimplotë me një qasje inovative ndaj sfidave të kohës së sotme si dhe shumë mbresëlënëse dhe inspiruese për të gjithë të pranishmit.
Në fund për kontributin e madh të këtij xhemati, Kreu i BFI shpërndau mirënjohje Imamit të kësaj qendre si dhe Kryetarit të BFI së Italisë Dr. Reshat ef. Ibishit “Veteran i jetës fetare në diasporë, Itali” po ashtu dekoruan Kryesinë e Xhamisë për angazhimin dhe kontributin në zhvillimin e jetës fetare në këtë Qqendër e cila vlerësohet si një ndër qendrat islame shqiptare më aktive në diasporën shqiptare e sidomos në Itali.
Falënderim të veçantë u bë për kryesinë e xhamisë, si dhe gjithë pjesëmarrësit për vëmendjen dhe prezencën e tyre
Zoti i nderoftë.

Comments are closed.