VIZITA PËRURUESE NË XHAMINË BUHARA NË SULGEN
Të dielën më 13.06.2021, delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame i udhëhequr nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Drejtori i Sektorit për Diasporë në BFI, Dr. Selver ef. Xhemaili, Drejtori i OH “Hilal”, H. Fadil ef. Ramadani dhe Shefi i Kabinetit të Reis Ulemasë, Evzal ef. Sinani, vazhduan me vizitat dhe takimet në kuadër të udhëtimit zyrtar dhe vizitës që ia bëjnë Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër.
Këtë herë, delegacioni i BFI vizitoi Xhaminë Buhara në Sulgen, me ç’rast u bë përurimi i kësaj xhamie të re nga ana e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Gjatë vizitës, delegacionin e BFI e shoqëronin: imami i kësaj xhamie Mr. Amet ef. Memeti dhe Kryetari i Xhamisë H. Mustafa Saliu.
Fillimisht Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti fjalimin përurues të hapjes të xhamisë së re, e këtë rast përshëndeti kryesinë dhe besimtarët për kontributin e tyre në hapjen e kësaj xhamie. Ai para të pranishmëve tha se Xhamitë i ndërtojnë, i meremetojnë dhe mirëmbajnë besimtarët që kanë iman të paluhatshëm, pavarësisht vendit ku veprojnë dhe jetojnë. Në këtë rast, besimtarët tanë jo vetëm që kanë iman të paluhatur, por e kanë edhe një detyrë dhe obligim historik, që ta paraqesin islamin në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjitha lajmet që vijnë në vendlindje nga diaspora jonë në Evropë, na bëjnë krenarë si për sjelljen e tyre ashtu edhe për organizimin e mirëfilltë të jetës fetare nëpër vendet Evropiane, e sidomos në Zvicër.
Në shenjë kujtimi për këtë vizitë dhe mirënjohje për punën e palodhshme të tyre, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i dhuroi mirënjohje Imamit Mr. Amet ef. Memeti dhe Kryetarit të Xhamisë Buhara në Sulgen H. Mustafa Saliu si dhe nga një pllakat Simbolin e BFI-së ku ndodhet Kurani Fisnik me ngjyrë të artë, në mes të cilit shkruan Lexo – Ikre.
Comments are closed.